Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë konferencës mbi dezinformimin të organizuar nga NDI, 10 dhjetor 2019
Ju faleminderit për prezantimin e sjellshëm, Shari dhe dëshiroj ta falënderoj Alex Chavarrian dhe ekipin e tij në NDI për organizimin e kësaj konference.
Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi. Kam privilegjin që jam këtu për t’ju folur për rolin që të gjithë mund ta luajmë për t’ju kundërvënë dezinformimit në kohërat bashkëkohore.
Një fjalë e urtë, që daton prej ditëve të telegrafit dhe anijeve me avull, thotë “Rrena e përshkon gjysmën e botës derisa e vërteta ende s’është nisur”. Nëse kështu ka qenë para njëqind viteve, sigurisht që është më se e vërtetë tani, ku çdo individ me një telefon të mençur, lidhje interneti dhe ngjarje për të rrëfyer – të vërtetë apo jo – mund të tërheqë audiencë të madhe.
Jo vetëm që po i lexojmë ngjarjet, të vërteta apo të pasakta, por po i përforcojmë ato: i bëjmë ‘like’, ‘forward’, ‘share’ dhe i postojmë sërish në Twitter. Ne jemi ushtarë në luftën e informatave dhe kohën më të madhe as që e dimë për çka po luftojmë dhe nëse informata që po e përhapim më tej është e besueshme apo e rrejshme. Ajo thjesht tingëllon duket tërheqëse; përshtatet me pikëpamjet dhe idetë tona të paramenduara, kështu që përhapim fjalët.
Dëshiroj të them disa mendime se si mund të mbrojmë veten dhe shoqëritë tona nga dezinformata. Si mund të bëhemi pjesë e zgjidhjes e jo e problemit. Por, së pari, më lejoni ta vë problemin në kontekst të informatës në kohën bashkëkohore.
Mënyrat se si i përthithim informatat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në dhjetëvjeçarët e fundit. Kur isha duke u rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1960 e 1970, ishin mijëra gazeta lokale, por përveç gazetave në disa qytete të mëdha si New York Times dhe Chicago Tribune, shumica e gazetave përqendroheshin në ngjarjet lokale. Librat dhe revistat ofronin një varg idesh, por jo në mënyrë të përshtatshme dhe të menjëhershme. Kështu që, kur ishte puna te lajmet kombëtare dhe ndërkombëtare, shumica e amerikanëve bazoheshin në televizor.
Kjo ishte para rrjeteve 24-orëshe të lajmeve, e lëre më para internetit. Tri rrjete televizive amerikane – CBS, NBC, ABC – jepnin vetëm një emision 30-minutësh të lajmeve të mbrëmjes. Kështu që, deri në një masë të madhe, redaktorët e atyre tri emisioneve të lajmeve vendosnin cilat lajme kishin rëndësi kur i përzgjidhnin ngjarjet që duhej ti përfshinin në ato 30 minuta. Kjo nuk përbënte dezinformim; ishte vendimmarrje e sinqertë redaktuese. Por, prapëseprapë i filtronin lajmet.
Numri i kufizuar i mediumeve kryesore nuk nënkuptonte se të gjithë reagonim në mënyrë të njëjtë ndaj lajmeve. Studiuesit që kanë studiuar rreth ndikimin e mbulimit të medieve amerikane të luftës në Vietnam kanë ardhur në përfundim se shikuesit më të vjetër mëtonin ti kushtonin më shumë vëmendje fjalëve që i dëgjonin – shpesh presidentët dhe gjeneralët që thonin se lufta po shkonte për së mbari. Të rinjtë kishte gjasa të ndikoheshin më shumë nga pamjet e vdekjes dhe kaosit që e shihnin çdo natë në TV. Dallimi në perceptim kontriboi në “hendekun mes brezave” përkitazi me qëndrimin ndaj luftës, besimin në qeveri dhe çështjet e tjera politike dhe shoqërore.
Tani, do të flas sërish për disa prej temave që i preku Shari. Interneti e ka mundësuar rritjen gjithnjë e më të ndarë të mediumeve. Madje edhe në një vend të vogël si Kosova ka plot televizione, gazeta, ueb-faqe dhe bllogje personale. Të gjithë ne mund të marrim informata ‘me kërkesë’ nga numër i pafund i burimeve në internet dhe televizione satelitore, që të gjitha kanë shtrirje globale. Shumë prej jush po e shikoni telefonin për ti lexuar lajmet dhe po e injoroni fjalimin tim.
Natyrisht që ka aspekte pozitive të kësaj përhapjeje – më shumë zëra, më shumë liri, më pak mundësi për disa pronarë mediash që ta dominojnë hapësirën informative. Por, nuk jam shumë i sigurt nëse numri i shumtë i burimeve ka përmirësuar cilësinë e informatave.
E para, shumë prej këtyre portaleve online, të financuara dobët, nuk kanë personel, para apo vullnet për ti përmbushur standardet profesionale të gazetarisë, duke kontrolluar informatat në mënyrë të thukët para se ti shpërndajnë ato. E dëgjojnë një fjalë, lexojnë diçka që duket e mirë dhe menjëherë – lajmi del në ueb-faqe.
Një efekt tjetër i shumimit të burimeve është fragmentimi: njerëzit i gjejnë disa burimeve të lajmeve dhe iu qëndrojnë besnik atyre që i pasqyrojnë pikëpamjet e tyre ekzistuese në vend se ta hulumtojnë atë xhunglën informative për të kërkuar ide të freskëta. Kompanitë teknologjike të mediave e dinë këtë dhe ato ua përshtatin lajmet dhe reklamat që i shohim online gjurmëve tona digjitale. Kjo gjë edhe më tej ngushton informatat që i shohim.
Këto sfida – të mënyrës amatore, fragmentimit, të mënyrave të ndryshme si i përthithim informatat – na e vështirësojnë punën se si të pajtohemi për çka të besojmë. Nëse grindemi në kafe-bar apo në kuzhinë rreth asaj se çka të besojmë, është më vështirë të diskutojmë në mënyrë konstruktive se si do të duhej të veprojmë, për kë të votojmë – si ta bëjmë pjesën tonë në përpjekje për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Gjë që më sjell te sfida e dezinformatave.
Çka janë dezinformatat? Tashmë i dëgjuam një apo dy përkufizime. Ja edhe një tjetër: “Dezinformata është njoftim i rrejshëm që ka qëllim për të mashtruar, veçanërisht propaganda e lëshuar nga organizatat qeveritare për t’ju kundërvënë pushtetit rival apo mediave”. Do të theksoja se dezinformatat nuk vijnë vetëm nga qeveritë: mund të vijnë ngado. Por, qeveritë janë praktikuesit më të fuqishëm të dezinformatave.
Mund të mendojmë për dezinformatat si armë, armë për sulm, që përdoret për të ngatërruar dhe dobësuar kundërshtarin, shpesh përdoren për të ngatërruar dhe dobësuar kundërshtarët politikë. Shtetet autoritare shpesh i gënjejnë jo vetëm rivalët e huaj, por edhe vetë popullin e tyre se sa mirë qeveria kujdeset për të. Që kjo të funksionojë, shteteve autoritare iu duhen armë për mbrojtje – vegla për të bllokuar që informatat e vërteta të arrijnë te njerëzit.
Dikur shtetet autoritarët mund ta bënin këtë duke i ndaluar gazetat lokale opozitare dhe duke i kapur lajmet e huaja në kufi. Me zbulimin e radios dhe televizorit, ata u përpoqën duke kufizuar qasjen. P.sh. për vite me radhë, radiot në Korenë e Veriut mund të lidheshin vetëm me kanalet e pakta qeveritare dhe me burimet e tjera të informimit. Në këtë mënyrë, njerëzit s’kishin si ta dinin për prosperitetin më të madh dhe lirinë në Korenë e Jugut. Disa regjime autoritare nuk arrinin ti kufizonin informatat, për fat të keq të tyre. Për dallim nga Koreja e Veriut, prijësit komunistë të Gjermanisë Lindore nuk arrinin të ndalonin qytetarët e tyre për të parë TV-të nga Gjermania Perëndimore. Ata mësuan se makineria e propagandës nuk mund të garonte me të vërtetën që i ndriçonte çdo mbrëmje shtëpitë e qytetarëve. Ju kujtohet çka thashë më herët për fuqinë e fotografive: për të parë përtej gënjeshtrave të komunizmit, gjermano-lindorët as që kishin nevojë të dëgjonin zërin e lajmeve të Gjermanisë Perëndimore; mund të shihnin në ekranet televizive qytetarët e rëndomtë në Perëndim dhe të shihnin se si ata jetonin shumë më lirë dhe më begatshëm.
Ato pamje shkatërruan themelet e Murit të Berlin me po aq fuqi si faktorët politikë dhe ekonomikë – dhe hapën rrugën për rënien e komunizmit të stilit sovjetik. Me fjalët e presidentit Ronald Reagan: “Informatat janë oksigjeni i kohës bashkëkohore. Depërton nëpër muret me tel çeliku; depërton përtej kufijve të elektrifikuar”.
Qeveritë autoritare të tashme nuk kanë harruar. Disa shtete ndalojnë TV-të satelitore dhe ndërtojnë mure mbrojtëse për internetin në nivel shtetëror. Qytetarët me antena satelitore dhe VPN kanë gjetur mënyra për ti thyer këto mure. Por, kur qytetarët në shtetet autoritare mundohen ti gjejnë kështu informatat e pakufizuara, ata përballen me të njëjtat sfida si ne: të dallojnë faktin nga trillimi dhe informatat e pasakta prej gënjeshtrave troç.
Pra, çka mund të bëjmë për këtë?
Për të mbajtur sistem të hapur dhe demokratik – ku të gjithë flasin dhe shprehin mendimin e tyre, qoftë edhe nëse nuk është i popullarizuar – institucionet qeveritare, shoqëria civile dhe mediat luajnë rolin e tyre.
Kur them që qeveria ka rol në luftimin e dezinformatave, nuk mendoj censurë dhe nuk mendoj kriminalizimin e lirisë së shprehjes. Amerikanët besojnë se liria e shprehjes është thelbësore për çdo demokraci, edhe nëse shprehja është jo e popullarizuar, edhe nëse shprehja është fyese. Detyra e parë e qeverisë është që të jetë shumë e ndërgjegjshme për shpërndarjen e informatave të sakta. Qeveria duhet ta vendosë standardin e saktësisë. Shkrimtari George Orwell ka thënë: “Në kohë të mashtrimit, ta thuash të vërtetën është vepër revolucionare”.
Gazetarëve – kush është gazetar këtu? Ngriteni dorën nëse jeni gazetar. Gazetarëve iu them se tash më shumë se kurrë na duheni. Na duhen gazetarë profesionistë që do të punojnë me mund, do të raportojnë me seriozitet dhe do të hetojnë për të dalluar sinjalin nga zhurma dhe për të bërë publike informatat e rrejshme. Gazetarë — përdoreni pushtetin tuaj për të sjellë punën e grupeve të pavarura që kontrollojnë faktet te audienca më e madhe.
Në fund, qytetarët mund të veprojnë. Së pari, të gjithë mund të përmirësojmë njohuritë tona për medie, për të dalluar dhe refuzuar rrëfimet e rrejshme dhe përçarëse dhe gjuhën e urrejtjes, për të ndihmuar që komunitetet të bëhen më përfshirëse dhe më pak të predispozuar ndaj dezinformatave.
E dyta, mund të kërkojmë informata të verifikueshme e të vërteta. Duhet të jemi më skeptikë. Kur lexoni ose e shikoni një reportazh ose koment të redaksisë, a e pyetni veten: kush e ka shkruar? A e pyetni veten kush ka paguar për të? A kanë ndonjë agjendë tjetër përveç raportimit të fakteve? E kur bie fjala për këtë, përse ambasadori amerikan është në këmbë dhe po flet për dezinformata? Cila është agjenda e tij? Çka po kërkon ai?
Agjenda amerikane për Kosovën është e drejtpërdrejtë: paqe, drejtësi dhe prosperitet.
Nuk keni nevojë ti pranoni synimet e SHBA-s verbërisht. Nuk ju duhet shumë punë – veç pak hulumtim në Google – për të gjetur akademikë, ekspertë, analistë, politikanë dhe mediume duke analizuar dhe kritikuar programin e qeverisë sime lirshëm. Jam i bindur se porosia jonë, programi ynë, mund ti mbijetojnë vëzhgimit të thuktë. Prandaj, ju nxis të hulumtoni ato kritika dhe analiza si për qeverinë tuaj, ashtu edhe për timen. Mbikëqyrja nga publiku është diç e mirë për çdo demokraci.
E treta, kur jeni në rrjetet sociale, kontrollojeni burimin e rrëfimit para se ta përhapni atë: mos shpërndani çdo gjë që ju prek në emocione dhe që pasqyron pikëpamjet tuaja personale. Ky lloj i disiplinës mund të ketë potencialin që ta prishë ekosistemin – dhe modelet themeluese – mbi të cilat lulëzojnë dezinformatat.
Në fund, qytetarë, kërkoni pikëpamje të larmishme. Herën e ardhshme kur ti shikoni lajmet, zgjidhni kanal ose ueb-faqe të ndryshme prej atyre të zakonshmeve. Përpiquni ta gjeni një burim që mendoni se do të ketë pikëpamje krejt më të ndryshme se tuajat. Hapni veshët. Hapni mendjen. Sepse me fjalët e shkrimtares dhe aktivistes Nadine Gordimer: “E vërteta nuk është gjithmonë bukuri, por uria për të po”.
Ju faleminderit për vëmendje!