Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Konferencës IDAHOT, 17 maj 2019
Faleminderit, Blert për ftesën për të folur me këtë rast të rëndësishëm. Falënderoj edhe QZhGSh dhe QBL që po punojnë me mund për ti bashkuar aleatët e LGBTI-së përmes kësaj konference.
Sot, në Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, kremtojmë një lëvizje globale drejt ngritjes së ndërgjegjësimit dhe pranimit të të drejtave të individëve nga radhët e komunitetit lezbik, gej, biseksual dhe transgjinorë. Po ashtu, bashkojmë zërin me thirrjet për dinjitet dhe barazi më të madhe për të gjithë personat, pa marrë parasysh racën, fenë, orientimin seksual apo identitetin gjinor.
Siç e kam thënë në kontekst tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë të gjitha përgjigjet si të ndërtojë një shoqëri më të drejtë e më të barabartë – por kombi ynë është themeluar me premisën se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe i kanë të njëjtat të drejta të patjetërsueshme në jetë, liri dhe përpjekje për të qenë të lumtur dhe vazhdojmë të përpëlitemi për ta realizuar këtë premtim të barazisë.
E të drejta të ngjashme – për jetë, liri dhe ndjenjën e sigurisë personale; liri të shprehjes; e drejta për liri të tubimit dhe shoqërimit paqësor – tani janë të mishëruara edhe në Deklatën Universale të të drejtave të njeriut.
Ta parafrazoj presidentin amerikan John F. Kennedy: „të drejtat e çdo personi zbehen nëse rrezikohet e drejta e një personi të vetëm”. Prej vitit 1963, kur presidenti Kennedy i tha këto fjalë si thirrje për veprim në mbështetje të të drejtave civile për pakicat, Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të madh në shumë fronte, përfshirë edhe për të drejtat e amerikanëve nga komuniteti LGBTI. Më kujtohet kur, para jo edhe aq shumë viteve, mbrojtja ligjore për këta qytetarë dukej si ide ekstreme në vendin tim. Por, dhjetëvjeçarë të tërë të mbështetjes, ndryshimeve legjislative dhe shoqërore e kanë bërë SHBA-në vend më mikpritës për komunitetin LGBTI.
Por, anembanë botës, përpjekjet për barazi vazhdojnë. Pjesëtarët e komunitetit LGBTI shpesh nuk mund ti jetësojnë të drejtat themelore të njeriut. Ata vazhdojnë të përballen me dhunë, ngacmim, përjashtim dhe kanosje nga bashkëqytetarët e tyre, përfaqësuesit e qeverisë, madje edhe nga anëtarët e familjeve të tyre.
Në Kosovë, përkundër kushtetutës që ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët, komuniteti LGBTI ende lufton për ti vendosur të drejtat e tij dhe për pranim më të gjerë. Kjo përpjekje duket se po shpaguhet sepse sukseset e fundit kanë treguar – kanë sinjalizuar hapje dhe pranim më të madh të komunitetit LGBTI të Kosovës.
Duhet veprim i vazhdueshëm dhe konkret për tu siguruar se respektohen të drejtat e njeriut e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë personave LGBTI. Veprim nga qeveria, shoqëria civile dhe individët. Më lejoni ti përmendi disa shembuj të veprimit pozitiv gjatë viteve të fundit:
Përderisa në marshimin e parë të krenarisë në vitin 2014 morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, numri i tyre u rrit çdo vit. Në 2018-n, komuniteti LGBTI organizoi paradën e krenarisë me rreth 500 marshues. Komuniteti pati mbështetje të dukshme nga Policia e Kosovës, e cila siguroi të drejtën e komunitetit për tu grumbulluar pa u shqetësuar. Kjo është shenjë e qartë e rritjes së mbështetjes publike për komunitetin LGBTI dhe ndoshta ofroi një liri të porsazbuluar në mesin e shumë pjesëtarëve të komunitetit për tu shprehur lirshëm.
Përkitazi me të drejtat ligjore, ndryshimet e fundit të kodit penal të Kosovës ofrojnë kornizë konkrete për ndjekjen e shkeljeve penale, që kanë cak komunitetin LGBTI. Mbrojtja ligjore kundër krimeve të urrejtjes paraqet hap thelbësor për të siguruar të drejtën për jetë, liri dhe siguri personale.
Prokuroria dhe agjencitë e zbatimit të ligjit gjithnjë e më shumë po i shtojnë përpjekjet e tyre për të siguruar që pjesëtarët e komunitetit i gëzojnë të drejtat e plota sipas ligjit. Në shtator 2016, prokuroria në Ferizaj ndërmori veprim ligjor kundër dy individëve që supozohet se kishin sulmuar pjesëtarë të komunitetit LGBTI.
Por, duhet të punohet edhe më shumë. Qeveria ka themeluar Grupin këshillues dhe koordinues në suaza të Zyrës për qeverisje të mirë për të promovuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe personave LGBTI, por ky grup këshillues nuk ka bërë mjaft për ti detyruar ministritë dhe agjencitë e tjera për ti zbatuar ligjet ekzistuese që mbrojnë komunitetin LGBTI.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë po ofrojnë këshilla thelbësore dhe shërbime mbështetëse për komunitetin LGBTI, por i nxis këto organizata që të bashkëpunojnë për të pasur ndikim më të madh. Të tjerët, përfshirë qeverinë dhe mediet, e kanë më të vështirë të shpërfillin atë që po e thoni kur flisni njëzëri.
Në fund dua t’ju them se çdo qytetar luan rol në mbështetjen për të drejtat e fqinjëve, familjarëve dhe miqve tuaj nga komuniteti LGBTI për të jetuar pa frikë nga dhuna dhe diskriminimi. Një shoqëri është pasqyrim i vlerave të qytetarëve të saj dhe ju keni rastin ti tregoni botës se Kosova është vend i pranimit dhe përfshirjes. Prandaj, ju nxis të gjithëve që ta mbani momentumin e shprehur këtu për tu siguruar që të drejtat e qytetarëve LGBTI të Kosovës respektohen çdo ditë.