Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Hapjes zyrtare të Burger King-ut, 14 shkurt 2019
Mirëmëngjesi të gjithëve. Kam kënaqësinë që jam këtu për ta uruar Burger King Kosovë në këtë ndërmarrje të re dhe për ti uruar mirëseardhje një ndërmarrjeje të re amerikane në Prishtinë.
E di se rrugëtimi deri te hapja e sotshme ka qenë i gjatë – e kuptoj se janë dashur pothuajse dy vjet negociata për ta realizuar këtë ëndërr. Xhevati dhe Fatmiri janë dëshmitarë se hapja e një përfaqësie ndërkombëtare është e ndërlikuar. I përgëzoj të gjithë për vizionin dhe këmbëngulësinë e tyre.
Janë disa arsye përse jam i emocionuar për këtë hapje. E para, e mendoj mund të them më e qarta, Burger King është prijës botëror në biznesin e restoranteve dhe e di se mijëra qytetarë kosovarë tashmë kanë shijuar ushqimin e tyre të freskët dhe të shijshëm prej hapjes jozyrtare në dhjetor. Niveli i lartë i interesimit të konsumatorëve dhe veprimtaria afariste janë shenja se kosovarët janë të emocionuar për të provuar gjëra të reja dhe veçanërisht të ngazëllyer për brendet ikonike amerikane si Burger Kingu.
(Një këshillë të vogël personale: provoni rrathët me qepë).
Por, gjithashtu, dëshiroj të theksoj ndikimin e vërtetë që bizneset e reja e kanë në ekonomi, veçanërisht një emër i njohur si Burger Kingu në një treg të ri si Kosova.
Një përfaqësi më tepër – një që vë në pah kulturën e përsosmërisë – do të nxisë përmirësime në shërbimin ndaj konsumatorëve dhe menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.
Ky biznes tashmë ka ndryshuar jetën e qytetarëve të ri kosovarë: tashmë ka hapur 100 vende pune, e më shumë do të hapen përderisa biznesi zgjerohet në lokacionet e reja. Këtu përfshihen edhe mundësi për trajnim në menaxhim, përderisa personeli avancohet në organizatë. Jam i mahnitur me energjinë, shkallën e arsimit dhe krijimtarinë e të rinjve kosovarë dhe jam i sigurt se ata do të bëjnë punë të hatashme për Burger Kingun.
Përderisa njerëzit e shijojnë Whopperin apo pijet freskuese, nuk ma merr mendja se ju shkon në mendje që zhvillimi i një përfaqësie si kjo ka ndikim të madh për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është shenjë e interesimit të investitorëve në tregun në rritje të Kosovës.
Paraardhësi im, ambasadori Delawie, ka thënë shpesh se hapja e çdo përfaqësie të re amerikane është shenjë e besimit në Kosovën dhe të ardhmen e saj. Zinxhirët e mëdhenj bëjnë hulumtime të thella para se të hyjnë në një treg të ri. Çdo përfaqësi që hapet iu dërgon sinjal pozitiv përfaqësive të tjera, e çka është edhe më me rëndësi, iu dërgon sinjal investitorëve. Qeveria ime është e lumtur që po sheh rritje të investimeve amerikane në Kosovë dhe po i nxisim edhe më shumë ndërmarrje, në më shumë fusha, për ta pasur në mendje Kosovën.
Megjithatë, duhet ta pranojmë se ka faktorë të jashtëm të zhvillimit të afarizmit që pengojnë investimet e huaja në Kosovë – veçanërisht tensionet e vazhdueshme politike në rajon dhe sfida e korrupsionit në vend. Përpjekjet për të ndërtuar paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e saj janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Paqja, drejtësia, mbarësia – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për ti mbështetur miqtë tanë në Kosovë përderisa përballeni dhe i tejkaloni sfidat në të tri frontet.
Më lejoni ta përmbyll fjalën duke uruar Burger King Kosovë për këtë ndërmarrje afariste ngazëlluese, që është edhe një shenjë çfarë përfitimi mund ti sjellin Kosovës marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për vëmendje.