Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë hapjes së Rrugës 6

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë hapjes së Rrugës 6, 29 maj 2019

President, Z. Kryetar i Kuvendit, Z. Kryeministër, zonja dhe zotërinj. Është nder i madh që jam sot këtu në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kremtuar projektin e Rrugës 6 dhe për ti uruar mijëra veta të të gjitha kombeve që kanë punuar për ta realizuar atë. Prania e kaq shumë përfaqësuesve të nderuar flet për rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin.

E kemi pritur këtë ditë qe sa kohë dhe e di se projekti nuk ka qenë pa kundërthënie.  Disa kanë sugjeruar se projekti është tepër i shtrenjtë ose që është tepër përparimtar për nevojat e Kosovës.  Besoj se vendimi për ndërtimin e Rrugës 6 ka qenë i guximshëm dhe i drejtë.  Anembanë botës, infrastruktura bashkëkohore nxit zhvillimin dhe ofron mundësi punësimi. Përmirësimi i lidhjeve të transportit mund të sjellë jo vetëm lidhje më të forta ekonomike ndërmjet fqinjëve, por mund të ndërtojë edhe lidhje më të afërta politike dhe lidhje më të mira mes njerëzve.

Projektet e ndërlikuara të infrastrukturës gjithashtu ju ofrojnë mundësi qeverive, ndërmarrjeve dhe punëtorëve individualë për ti zhvilluar shkathtësitë në planifikim, menaxhim të projektit dhe ndërtim.  Jam i bindur se përderisa ministritë e Kosovës mund të mësojnë nga përvoja, ato do të vazhdojnë të hartojnë buxhet dhe plane më të qarta për pagesë, si dhe ti identifikojnë mënyrat për ti shfrytëzuar maksimalisht projektet për ti zhvilluar edhe më shumë aftësitë dhe shkathtësitë vendore.

Zonja dhe zotërinj, do ta mbylli fjalën duke thënë se njëjtë si projekti i Rrugës 7 i Bechtel-Enkës që ka lidhur Prishtinën me Prizrenin, Rruga 6 është dëshmi se çka mund të arrijnë partnerët amerikanë dhe turq kur punojnë së bashku.  Nga bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy vendeve të mëdha përfitojnë popujt tanë, si dhe miqtë e fqinjët tanë.  Bashkëpunimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë nuk duhet të ndryshojë.

Zonja dhe zotërinj, ju dëshiroj rrugë të mbarë.

Rrugë të mbarë.

Srecan put.

Iyi yolculuklar.