Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë hapjes së Javës së Gruas

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë hapjes së Javës së Gruas, 26 mars 2019

Kryeministër, gjyqtare Dobruna, zonja dhe zotërinj, ministra, mirëmëngjesi.  Jam i nderuar që jam këtu për të marrë pjesë në Javën e Gruas në Kosovë.  Veçanërisht dëshiroj ta falënderoj Pranverën, Aleksin, si dhe tërë ekipin e IKD-së për mbështetjen e këtij forumi, i cili ju jep mundësi qytetarëve të dalin me zgjidhje konkrete që shfrytëzojnë forcën e të gjithë qytetarëve të Kosovës për përfshirje dhe integritet më të madh.

E di çka mund të mendoni disa prej jush: Pse një burrë është folësi kryesor gjatë një konference për fuqizimin e gruas?  Dhe më duhet të pajtohem se mund të duket klishe dhe madje edhe ironike.  Por, burrat duhet të jenë aleatë në përpjekjet e grave dhe kjo nuk është ide e re.  Gloria Steinem, aktivistja dhe shkrimtarja amerikane e shek. XX, përkufizoi si feminist “këdo që kupton barazinë dhe njerëzinë e plotë të grave dhe burrave”.  Dhe më duhet t’ju them se edhe po ta harroja këtë, bashkëshortja ime Alisoni, e cila është këshilltarja ime e lartë dhe bashkëudhëtarja e jetës, do t’ma përkujtonte menjëherë.

Më lumturon fakti që shoh burra në sallë gjatë Javës së Gruas, të përkushtuar për ta mbështetur fuqizimin e grave.  Sepse qëllimi për avancimin e barazisë së plotë dhe fuqizimit të grave nuk është vetëm ‘punë e grave’.  Është përgjegjësi e të gjithëve, pa marrë parasysh gjininë, siç është përgjegjësi e të gjithëve për të kërkuar drejtësi racore ose liri fetare.

Edhe në Kosovë ka shembuj pozitivë.  P.sh., ta marrim të riun, Besnik Leka.  I rritur në një qytezë në pjesën lindore të Kosovës, Besniku e ka parë vetë se është trajtuar më mirë se motrat e tij thjeshtë pse është djalë.  Kjo e frymëzoi atë të veprojë.  Ai iu bashkua Nismës së të Rinjve dhe sot ai punon që ti kthejë burrat në aleatë dhe këshillon me punëtori për parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe për promovimin e barazisë gjinore.

Me fjalët e Besnikut: “Duhet ta kuptojmë se barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me sa për të thënë ‘u krye’.  Ka të bëjë me ndërmarrjen e masave serioze për ti dhënë fund këtij përjashtimi”.

Ky do të ishte çasti i duhur për të adresuar diçka që padyshim po e mendoni shumë prej jush: A është Amerika parajsë e tillë për gratë sa të kem të drejtë t’ju ligjëroj popullit dhe prijësve të Kosovës?  Të jemi të sinqertë, dy shekuj pas arritjes së lirisë dhe Amerika ende lufton për barazi për gratë.  Tani kemi më shumë gra se kurdoherë më parë në Kongres, por numri i përfaqësueseve në Kongres, në Capitol Hill, ende është nën 24%.  Edhe pse numri i krye-shefeve tani më nuk është rrallësi, prapëseprapë vetëm 5 % e ndërmarrjeve të Fortune 500 – ndërmarrjeve më të mëdha, kanë gra në pozitat më të larta të udhëheqjes.

Por, përderisa amerikanët ende nuk i ka të gjitha përgjigjet, po përmirësohemi duke shtruar pyetje, në ballafaqimin me të vërtetat e pakëndshme për shoqërinë tonë.  Prandaj, mos ta lëmë faktin që Kosova nuk është i vetmi vend  në botë që përballet me këto çështje të bëhet arsyetim për mungesë veprimi në Kosovë.

Barazia për gra është çështje aq e madhe dhe e gjerë sa na duhen tema për të shtyrë diskutimin.  Gjatë kësaj Jave të Gruas, do të shqyrtoni temën e integritetit në proceset e qeverisë lokale.  Kjo temë përshtatet mirë me dëshirën e popullit të Kosovës, që ka hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë, për ta përmbushur premtimin e demokracie përfaqësuese – një demokraci të tillë ku çdo qytetar ka zë dhe çdo qytetar ka hise në të ardhmen e vendit.

Çka mendoj me “integritet në proceset politike”?  Kur njerëzit e dëgjojnë fjalën “integritet”, ata zakonisht mendojnë për ndershmëri.  Dhe kjo është e vërtetë, si dhe thelbësore për jetën politike dhe në një demokraci.  Por, fjala integritet nënkupton edhe të jesh i plotë, i pandarë, të jesh i kompletuar.

Sot, Kosova nuk është e plotë. Në fakt, ajo është e ndarë sepse 50 përqind të popullatës së saj vazhdimisht pengohen në aspektin politik, ekonomik e social.  Një thënie në Amerikë thotë: “Nëse nuk ke karrige në tavolinë, me siguri je në meny”.

E nëse nuk mendoni se ky nuk është problem i madh për të ardhmen e Kosovës, atëherë nuk i keni kushtuar vëmendje kësaj çështjeje.  Sepse kur gratë janë në tryezë – kur gratë janë pjesë e procesit vendimmarrës – rezultatet janë pozitive për tërë vendin.  Të dhënat e shumta anembanë botës tregojnë se fuqizimi ekonomik i grave rrit produktivitetin e vendit, përmirëson barazinë e të ardhurave dhe nxit Prodhimin e brendshëm bruto.  Studimet tregojnë se kur gratë shërbejnë në qeveri, buxheti për shëndet publik rritet dhe qeveritë janë më pak të korruptuara.

Vetë kosovarët janë ata që duhet të vendosin se duhet ta ndryshojnë çështjen e përfshirjes së grave.  E ndryshimi është i mundshëm.

Përkundër sfidave institucionale dhe kulturore, gratë në Kosovë po bëjnë gjëra të mëdha.  Çdo vit regjistrohen më shumë gra në universitete.  Presidentja Jahjaga, Majlinda Kelmendi dhe Era Istrefi janë shembuj të figurave prijëse në aktivizimin për të drejtat e njeriut, në sport dhe zbavitje, si dhe shërbejnë si shembuj për vajzat e anembanë Kosovës.

Gratë në Kosovë po shpërthejnë edhe në fushat tradicionalisht të dominuara nga burrat.  Të flasim për nismën – që më ka lënë veçanërisht përshtypje – e një institucioni qeveritar, Policisë së Kosovës.  Duke iu falënderuar nxitjes së bashkërenduar nga Policia e Kosovës për të inkurajuar barazi më të madhe gjinore në radhët e saj, gratë po i bashkohen Policisë së Kosovës në numër të jashtëzakonshëm.  Prej vitit 2016, përqindja e kadeteve në Akademinë e Policisë është rritur nga 3 përqind në 30 përqind.  Kjo është e jashtëzakonshme dhe paralajmëron një ndryshim rrënjësor kulturor.  Prandaj, z. kryeministër, ju sfidoj: të shohim nëse pjesa tjetër e qeverisë e mban hapin me këtë të arritur.

Do ta përfundoj fjalën në çast sepse është koha që ju të filloni të flisni për këto çështje dhe si mund ta thelloni përfshirjen tuaj.  Pres me padurim ti dëgjoj përfundimet për veprimet që mund ti ndërmarrë qeveria e Kosovës, si mund të jetë shoqëria civile më efikase dhe çka mund të bëj çdo qytetar individualisht për ta adresuar këtë çështje.

Në fund fare, më lejoni ta mbylli fjalimin edhe me një citat, me fjalën e Susan B. Anthony, aktivistes së shek. XIX, e cila i priu betejës në Amerikë për të drejtën e votës për gratë.  Susan B. Anthony ka thënë: “Kurrë nuk do të ketë edhe një stinë të heshtjes përderisa gratë të mos i kenë të drejtat e njëjta si burrat në këtë tokën e blertë”.

Ju faleminderit.