Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Hapjes së Javës kundër Korrupsionit me ambasadorët e QUINT-it/EUSR-në, 10 dhjetor 2018
Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi. Dëshiroj t’ia filloj duke e falënderuar Iniciativën për Progres që na ka ftuar të gjithëve për të folur sot këtu. Jam më se i lumtur që jam këtu – kjo është ngjarja ime e parë publike si ambasador – dhe më vjen shumë mirë që jam këtu për ta çelur Javën kundër Korrupsionit. Mendoj se kjo tregon sa e rëndësishme është çështja e korrupsionit për mua dhe për të gjithë kolegët e mi.
Edhe pse kam ardhur vetëm para disa javësh, kjo nuk është hera e parë që jam në Kosovë. Kur po punoja këtu në vitin 2003, gjërat dukeshin shumë më ndryshe: vendi ishte në periudhën e rimëkëmbjes pas luftës. Tensionet etnike ishin në pikë të lartë dhe sektori i drejtësisë nuk ishte plotësisht funksional. Ndjehesha i nderuar që pata mundësinë të ndihmoja – sadopak, së bashku me kolegët e mi – vendin për të ecur drejt një të ardhme të bazuar në demokraci dhe sundim të ligjit.
U largova nga Kosova pas vetëm gjashtë muajsh, por ky vend më mbeti në mendje dhe në zemër. E tani, jam kthyer në 2018, ndjehem i privilegjuar që jam i pranishëm në Kosovë për fillimin e dekadës së dytë të saj si vend i pavarur. E përgëzoj qeverinë për përparimin që ka bërë në luftimin e korrupsionit. Më inkurajon fakti që publiku ka më shumë qasje në informata dhe e përgëzoj Kuvendin që para pak kohe i miratoi nëntë ligje që forcojnë reformat kundër korrupsionit nëpër tërë qeverinë. Këto reforma mundësojnë ndëshkim të njëtrajtshëm për sjellje të paligjshme, ia mundësojnë publikut për të raportuar rastet e sjelljes së pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për të përmirësuar dukshëm të drejtat pronësore të grave.
Por, qartazi kjo nuk po mjafton. Ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen – dhe atë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Siç e dimë të gjithë, disa zyrtarë qeveritarë marrin ryshfet, punësojnë të afërm dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa abuzojnë rregullisht me pozitën e tyre zyrtare, pa u ndëshkuar, për të përfituar vetë, familjarët e tyre dhe madje edhe miqtë. Në Kosovë, për keqardhje, ka zyrtarë që shumë shpesh e vënë interesin e tyre mbi të mirën e publikut. Korrupsioni, në të gjitha nivelet, njollos reputacionin e Kosovës në vend dhe jashtë, zvogëlon besimin e qytetarëve në qeverinë e tyre dhe i shkurajon investimet dhe rritjen ekonomike. Përderisa transparenca dhe ligjet solide janë thelbësore, qeveria tani duhet ta dëshmojë që është e gatshme për të dënuar zyrtarët, për të dënuar praktikat dhe sjelljen korruptuese, duke filluar nga lart poshtë.
Tani ka ardhur koha për të kaluar nga transparenca në llogari-dhënie. Kjo kërkon udhëheqës që shërbejnë me ndershmëri e integritet – që nuk frikësohen për të marrë qëndrim dhe për ta raportuar korrupsionin kur ta shohin. Udhëheqësit guximtarë po ashtu duhet të jenë të gatshëm për të pyetur veten: “A i shërbej Kosovës a dikujt tjetër”?
Ju faleminderit të gjithëve për vëmendje. Faleminderit. Hvala.