Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Forumit për bashkërenditjen e donatorëve për rimëkëmbje ekonomike, 28 gusht 2020
Kryeministër Hoti, zëvendës-kryeministra, ministra, kolegu im z. Serri, kolegë të tjerë nga komuniteti diplomatik dhe i donatorëve, mirëdita.
Forumi i nivelit të lartë për bashkërenditjen e donatorëve, që mbahet nën udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, na mbledh çdo vit për të bashkërenditur ndihmën nga donatorët dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës. Këtë vit po mblidhemi në mënyrë virtuale, në rrethana të jashtëzakonshme. Asnjë vend nuk i ka të gjitha përgjigjet për sfidat tona të përbashkëta dhe është jetike që të vazhdojmë të vëmë dijeninë në dispozicion dhe të shkëmbejmë idetë përderisa vazhdojmë tutje.
Çdo vend po përballet me sfidën si të sigurojë më shumë resurse për të adresuar nevojat urgjente mjekësore, si dhe si të rimëkëmbë dhe forcojë ekonominë. Kjo nuk është „lojë e shumës zero”, ku njëri fiton e tjetri humb. Menaxhimi i pandemisë shkon krah për krah me përgatitjet për rimëkëmbjen ekonomike. Vënia nën kontroll e kërcënimit që vjen nga virusi dhe sigurimi i shëndetit të komunitetit është parakusht i rimëkëmbjes ekonomike. E rimëkëmbja e plotë ekonomike nuk do të jetë e mundshme nëse dështon menaxhimi i pandemisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare mbesin të përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën. Përderisa SHBA-ja po i mobilizon forcat e saj shkencore dhe industriale, gjithnjë e më shumë kemi mundësi që t’i japim Kosovës pajisje dhe furnizime, duke plotësuar kështu kontributet e vazhdueshme financiare dhe ndihmën teknike.
Këto Forume për bashkërenditjen e donatorëve të jashtëm mund të jenë mënyrë efikase e renditjes së prioriteteve ashtu që resurset e pakta – ato të Kosovës, por edhe ato të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë – të shfrytëzohen në mënyrë efikase. Duhet të përmirësojmë komunikimin, t’ju japim përparësi nevojave dhe të sigurojmë fundin e „pazarit për donatorë”.
Edhe pse ne, ndërkombëtarët mund të ofrojmë pajisje dhe të shkëmbejmë ekspertizën tonë, as ne nuk kemi shkop magjik në mesin e veglave tona. Prandaj, aftësia e qeverisë për ta menaxhuar kërcënimin nga COVID-i më shumë varet nga mobilizimi dhe bashkërenditja e resurseve vendore dhe fuqisë së popullit se sa nga
ndihma nga jashtë. Qeveria duhet të jetë në gjendje të shfaqë vendosmëri për plane të hollësishme që ato të funksionojnë dhe këtu përfshihet mobilizimi i resurseve vendore dhe bashkërenditje më të mirë ndër-ministrore.
E partitë politike duhet të vënë nevojat e popullit mbi ato të politikës së përditshme, duke u përqendruar në miratimin e shpejtë të ligjeve ekonomike dhe duke i lënë anash shkarjet e zakonshme në sherre provinciale.
Do ta përmbylli këtë duke theksuar sërish se edhe pse qeveria duhet t’i prijë betejës, luftimi i COVID-it është detyrë e çdo qytetari. Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë.
Populli i Kosovës është i famshëm për energjinë dhe zgjuarsinë. Këto janë armët tuaja të fshehta.
Ju faleminderit për kohën tuaj dhe le t’i shfrytëzojmë sa më mirë mundësitë që na i ofron kjo konferencë.