Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së shpalosjes së shtatores së senatorit amerikan Bob Doll

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së shpalosjes së shtatores së senatorit amerikan Bob Doll,30 gusht 2020

Kryeministër Hoti, zëvendës-kryeministra, ministra, z. Haradinaj, zonja dhe zotërinj, mirëdita. Ndjehem jashtëzakonisht i nderuar që jam sot këtu dhe që jam pjesë e kësaj ngjarjeje të paharrueshme historike.

Më lejoni t’ia filloj duke i falënderuar udhëheqësit, si nga qeveria ashtu edhe nga sektori privat, që e mundësuan këtë ditë. Veçanërisht dëshiroj ta falënderoj artistin Luan Mulliqi, një mik i kahmotshëm të i Amerikës dhe urë-lidhëse ndërmjet vendeve tona. Luani, siç e pamë, ka punuar një amanet të hatashëm për një njeri të hatashëm.

Sot nuk po e shënojmë vetëm shpalosjen e shtatores, por po e shënojmë edhe jetën e një heroi amerikan dhe miku të vendosur të Kosovës. Pikërisht në ditën e sotme, para 30 viteve, senatori Bob Doll erdhi për herë të parë në Kosovë. Kjo është e rëndësishme, sepse shumë njerëz kanë vënë në pah se vizita e tij në 1990-n paraqet pikëkthimi për lirinë e Kosovës. Vizita e tij ia hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin këtu.

Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë kanë frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe miqve nëpër botë.

Para një viti, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit pata thënë: “Gjatë tërë jetës së tij në shërbim – si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kongresin e SHBA-së, si kandidat për president të SHBA-së dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar – Bob oll ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën. Prandaj nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazevëndësueshëm i Kosovës – duke qëndruar përkrah popullit të Kosovës në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë.”

Bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë e konsiderojmë Bob Dollin ndër heronjtë tanë personalë, jo vetëm sepse është mbrojtës i lirisë, por sepse gjithmonë është ngritur mbi politikën, duke shtrirë dorën përtej vijave partiake për të bashkëpunuar për të mirën e popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Para një viti e pata theksuar edhe rëndësinë e lokacionit ku jemi tani – në këtë kryqëzim të dy rrugëve të emërtuara për nder të rivalëve jetëgjatë politikë nga parti të ndryshme. Ata nuk janë pajtuar gjithmonë për politikat, por Bob Doll dhe Bill Klinton u bënë miq të mirë që kanë të përbashkët dashurinë për vendin dhe përkushtimin për shërbim publik. Sepse edhe pse vinin nga kahje të ndryshme të spektrit politik, qëllimi i tyre i fundit ishte i njëjtë: t’i shërbejnë dhe ta mbrojnë popullin.

Të vazhdojmë ta nderojmë veprën e senatorit Doll jo vetëm përmes kësaj shtatoreje të mrekullueshme, por duke punuar së bashku për të ndërtuar të ardhme në paqe, drejtësi, demokraci dhe përparim për popullin e Kosovës dhe të rajonit.

Ju faleminderit shumë!