Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së ndarjes së Medaljes Presidenciale në nderim të Beau Biden
Zonja presidente, mysafirë të nderuar, zonja dhe zotërinj. Me të vërtetë kam nderin që jam këtu për të pranuar këtë çmim në emër të presidentit Bajden.
Presidente Osmani, fjala juaj vë në pah respektin dhe dashurinë e thellë që nënvizon partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës, ashtu siç fjala e presidentit Bajden vë në pah sa i rëndësishëm është ky çmim për të personalisht, për familjen Bajden dhe për të dy vendet.
Bo Bajden përfaqësonte më të mirën që mund të ofrojë Amerika. Ai e dinte që Amerika të përparojë, amerikanët duhet të angazhohen me botën.
Për këtë arsye mijëra amerikanë si Bo-ja, disa në uniformë e të tjerët në kostum, kanë shërbyer në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit.
Ata kanë punuar përkrah miqve kosovarë për të ndihmuar në arritjen dhe sigurimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës; për ta çuar vendin drejt vetëmjaftueshmërisë ekonomike dhe ekonomisë së tregut, dhe – si Bo – për të mbështetur popullin e Kosovës për të ndërtuar institucione të qëndrueshme të qeverisjes të bazuara në vlerat demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit.
Amerikanët e çmojnë dhe respektojnë udhëtimin e Kosovës sepse edhe ne jemi në të njëjtin udhëtim. Përpjekjet tona të përbashkëta për të ndërtuar shoqëri të bazuar në mundësi dhe drejtësi të barabartë, në respektin për shumëllojshmërinë dhe për të drejtat individuale, kanë krijuar këtë partneritet që do të qëndrojë gjatë dhe i cili vetëm mund të zhvillohet më tutje.
Siç e tha presidenti Bajden, Kosova ka arritur përparim të jashtëzakonshëm prej kur kam shërbyer për herë të parë këtu, para pothuajse 20 viteve. Kosova është bërë më e vetëmjaftueshme, me më shumë besim në vendin e vet në botë. Një brez në rritje i udhëheqësve – energjetikë, të edukuar, të përkushtuar për të ndërtuar të ardhme këtu në shtëpitë e tyre për familjet dhe komunitetet e tyre – po e ndriçon rrugën përpara.
Amerikanët janë krenarë për rolin që kemi luajtur duke ju mbështetur. Qytetarët e Kosovës duhet të ndjehen krenarë për përparimin tuaj. E di se do t’i përballoni sfidat e vazhdueshme për ndërtimin e shoqërisë paqësore, të drejtë, të begatshme dhe të barabartë për të gjithë.
Jam i bindur se në vitet që i kemi përpara, miqësia dhe besimi ndërmjet Amerikës dhe Kosovës do të vazhdojë të forcohet, përderisa kjo gjeneratë e re e udhëheqësve prin në çdo fushë, nga qeverisja dhe ekonomia e deri te shkenca, teknologjia, komunikimi dhe artet.
Edhe pse marrëdhënia jonë është përqendruar në ndihmën e SHBA-së dhe shkëmbimin e ekspertizës, tashmë po shohim lëvizje drejt partneritetit të të barabartëve bazuar në respektin e dyanshëm, zotimet e përbashkëta dhe vlerat e njëjta.
Dhe tani, më shumë se kurrë më parë, është thelbësore që demokracitë të qëndrojnë bashkërisht për t’u përballur me kërcënimet globale – ndryshimet klimatike, pasigurinë energjetike, terrorizmin dhe terrozmin kibernetik, korrupsionin dhe valën në rritje të autoritarianizmit.
Prandaj, zonja presidente, zonja dhe zotërinj, më lejoni ta përfundoj me mendimin se mënyra më e mirë që Kosova ta nderojë trashëgiminë e Bo Bajdenit është që qytetarët e saj – nga çdo komunitet, çdo parti politike, çdo fushë – të vazhdojnë të përpiqen për të ndërtuar atë që themeluesit e Amerikës e kanë quajtur „union më të përsosur” Dhe Amerika do të jetë krah jush në çdo hap.
Ju faleminderit.