Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së kremtimit të 20-vjetorit të Policisë së Kosovës, 6 shtator 2019
Zoti President, z. Kryetar i Kuvendit, kryeministër në detyrë, ministra në detyrë, drejtor i përgjithshëm, zonja dhe zotërinj, mysafirë të nderuar, mirëmëngjesi. Kam nderin dhe privilegjin që jam këtu për të shënuar këtë të arritur të Policisë së Kosovës – përvjetorin e 20-të.
Besoj se mund të theksojmë zhvillimin e Policisë së Kosovës – kësaj organizate profesionale, në të cilën ka përfaqësues të të gjitha bashkësive të llojllojshme të Kosovës – si njërin ndër rrëfimet më të mira të suksesit të dy dhjetëvjeçarëve të kaluar në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës e cilësojnë policinë e tyre si njërën ndër institucionet më të besueshme në vend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë luajtur rol në zhvillimin dhe profesionalizimin e Policisë përmes fondeve, trajnimit dhe bashkëpunimit operacional. Kjo ka qenë ndërmarrje afatgjatë – me përfshirjen e Departamentit amerikan të Shtetit dhe të Drejtësisë, të cilët kanë pasur programe afatgjatë të ndërlidhjes dhe stërvitjes në Kosovë – përkrah agjencive tjera amerikane.
Sot, Policia e Kosovës është gjithnjë e më shumë partnere aktive dhe e besueshme në zbatimin global të ligjit . Siç e përmendën edhe folësit e tjerë, Policia e Kosovës ka nënshkruar më shumë se 80 marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe për bashkëpunim me vendet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare, si dhe ka caktuar atashe të policisë në ambasadat e Kosovës jashtë vendit. Në to, këta atashe po luajnë rol gjithnjë e më të madh në luftimin e krimit dhe terrorizmit ndërkombëtar dhe njëkohësisht ndihmojnë në rritjen e profilit të Kosovës në rrafshin global.
Sot, Policia i takon popullit të Kosovës. Policia e Kosovës është më e larmishme nga aspekti etnik dhe gjuhësor se sa popullata e Kosovës me 16 % e policëve të betuar të Policisë së Kosovës – 16 % nga 8000 policë – që vijnë nga pakicat. Policia ka shtuar pjesëmarrjen e grave në shërbim në 15 % – një e arritur tjetër e shquar – kurse promovimi gjatë këtij viti i disa oficereve në grada më të larta paraqet hap tjetër të rëndësishëm për Policinë dhe për Kosovën. 60 për qind e pjesëtarëve të policisë shprehen se i flasin dy gjuhë, atë shqipe dhe serbe.
Përderisa 20 vjet më parë të shohësh dikë në uniformë ka ngjallur ndjenja të pasigurisë për shumë njerëz në Kosovë, policia tani po punon që ndërveprimet me policët në uniformë të ngjallin ndjenjën e besimit dhe sigurisë në lagje dhe bashkësi nëpër tërë vendin – në lindje e perëndim, veri e jug. Policia është e hapur dhe konkurruese, i jep përparësi mbrojtjes së të drejtave të njeriut, shpërblen profesionalizmin përmes promovimit dhe po punon në trajtimin e mangësive të veta. Këto cilësi bëjnë që të rinjtë ta adhurojnë forcën policore dhe të dëshirojnë të bëhen pjesë e saj.
Folësit e tjerë dhe unë mund t’ju mbajmë këtu tërë ditën duke i përsëritur të arriturat dhe duke e lëvduar Policinë për të arriturat e saj, por na duhet që ti lëmë këta policë që të kthehen në punë. A pajtoheni, drejtor i përgjithshëm? Prandaj, në pjesën tjetër të fjalimit dëshiroj të përqendrohem në një çështje: qasjen e Policisë së Kosovës ndaj policisë në bashkësi.
Policia në bashkësi është model filozofik që ndryshon nga qasja e zakonshme e patrollimit nëpër lagje apo reagimit ndaj incidenteve kriminale dhe civile. Policia në bashkësi e kthen çdo polic nga reagues në pjesëmarrës në zgjidhjen e problemit në bashkësi, ku njerëzit e rëndomtë mund ti kuptojnë përfitimet e punës së përbashkët për ti përshtatur përpjekjet për siguri me nevojat e bashkësisë.
Siç e kemi parë në vendet e tjera – përfshirë shumë shpesh edhe në vendin tim – kur policia nuk e ndan përvojën dhe gjuhën e përbashkët apo nuk ka lidhje të përbashkëta me njerëzit që duhet ti mbrojë dhe t’ju shërbejë, shumë shpesh ata mund të shihen si forcë e kontrollit shtetëror e jo si shërbyes të publikut. Marrëdhëniet përmirësohen dhe krimi bie kur populli i sheh policët si fqinjë, kur e shohin që policia nuk është forcë e jashtme. Policia në bashkësi ka qenë transformuese në qytetet e mëdha në Amerikë – veçanërisht në Nju Jork, i cili me dekada të tëra ka miratuar dhe vazhdimisht ka investuar në policinë në bashkësi. Policia në bashkësi tashmë e ka efektin e njëjtë edhe në Kosovë, duke iu ndihmuar qytetarëve për të adresuar krimet, duke i përmirësuar lidhjet e këputura ndërmjet policëve dhe banorëve dhe duke bërë që të gjithë më të sigurtë.
Më lejoni t’jua jap një shembull: komuna e Klinës është komunitet me përbërje të larmishme etnike, ku banorët nga radhët e pakicave ndjeheshin të frikësuar për shkak të vjedhjeve dhe dëmtimit të pronës, gjë që bënte që të dëshironin të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Policia dhe qytetarët u takuan, zhvilluan planin për siguri në bashkësi, themeluan kujdestarinë në lagje – një prej më shumë se 20 programeve të tilla të bashkëpunimit që policia i ka themeluar viteve të fundit. Ata vendosën shenja me të cilat paralajmëroheshin kriminelët e mundshëm se ky komunitet ishte nën vëzhgim dhe se nuk do ti toleronin më sulmet e tyre. Fshatarët ruanin me ndërrime dhe thirrën policinë kur vërenin diçka të dyshimtë dhe vala e krimit ndaloi.
Zonja dhe zotërinj, përderisa Policia e Kosovës fillon dhjetëvjeçarin e tretë të shërbimit, dëshiroj t’ju shtyj që ti përkushtoheni edhe më shumë policisë në bashkësi. Sfida e ardhshme me të cilën do të përballet Policia mund të vijë me zgjedhjet e ardhshme. Policia duhet ta bëjë punën e saj, përkrah institucioneve të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare, për të siguruar që të gjithë qytetarët – në të gjitha bashkësitë – nuk përballen me kanosje dhe dhunë politike.
Më lejoni ta mbylli fjalimin duke thënë se përderisa Policia dhe populli i Kosovës përballen me sfida në rrugëtimin drejt paqes, prosperitetit dhe drejtësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë krah jush në çdo hap.