Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së dorëzimit të respiratorëve, 25 gusht 2020
Mirëdita të gjithëve. Ministër Zemaj, kolegë dhe miq, veçanërisht përfaqësues i reaguesve të parë.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam nderin që jam këtu për të shënuar mbërritjen e kësaj dërgese të rëndësishme nga SHBA-ja.
Këta 50 respiratorë të sapoprodhuar, bashkëkohorë janë mjete thelbësore për shpëtimin e jetës për popullin e Kosovës. Ky kontribut pasqyron zotimin personal të Presidentit Trump për të ndihmuar popullin e Kosovës në luftimin e pandemisë.
Përveç dërgesës së sotshme, Shtetet e Bashkuara e kanë ndihmuar Kosovën në luftën kundër COVID-it edhe me shpërndarjen e mijërave pakove higjienike nëpër shtëpitë e shëndetit dhe për familjet në nevojë anembanë 38 komunave të Kosovës; me vendosjen e skanerëve për matjen e temperaturës në tetë pikat e hyrjes, përfshirë edhe në Aeroportin e Prishtinës, si dhe me sigurimin e aparateve për RT-PCR dhe pajisjeve laboratorike për të rritur kapacitetet testuese të Kosovës.
Mundësia jonë për të ofruar këtë ndihmë demonstron përkushtimin e qeverisë dhe sektorit tonë privat për të bashkëpunuar në përballje me kërcënimin nga COVID-19, duke vënë kapacitetet industriale dhe shkencore të Amerikës për të mirën e të gjithëve.
Por më lejoni të jem i qartë: edhe pse SHBA-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë vazhdojnë ta ndihmojnë dhe këshillojnë Kosovën për ta luftuar pandeminë, përgjegjësia kryesore duhet të bie mbi qeverinë dhe popullin e Kosovës.
Duhet të përballemi me fakte me syçelë: Kosova ka pasur rritje brengosëse dhe të shpejtë të numrit të të infektuarve me COVID-19. Statistikat janë shqetësuese. Spitalet janë të stërngarkuara, gjë që paraqet sfidë për t’ju ndihmuar të gjithë pacientëve, e jo vetëm atyre që vuajnë nga COVID-i.
Kohëve të fundit, Qeveria dhe Kuvendi kanë marrë masa pozitive, siç është miratimi i ligjeve për të fuqizuar qeverinë për të vepruar më me vendosmëri kundër pandemisë. Shpresoj që rezultati i diskutimeve të vazhdueshme për buxhet do të pasqyrojë një mirëkuptim të ngjashëm real të nevojës për t’i dhënë përparësi veprimit ndaj kësaj sëmundjeje. Sepse me fjalët e presidentit amerikan John F. Kennedy: „Në kohë të krizës në vend, njerëzit e vullnetit të mirë dhe bujarisë duhet të bëhen bashkë pa marrë parasysh partinë ose politikën”.
Por shumë njerëz nuk duket se po e marrin seriozisht kërcënimin që paraqet COVID-i. Parandalimi i përhapjes së sëmundjes është shumë më i thjeshtë dhe kushton më pak se trajtimi i pacientëve pasi të jenë infektuar. Prandaj, është e rëndësishme që institucionet dhe qytetarët e Kosovës t’ju përmbahen rreptazi masave që do të zvogëlojnë mundësinë për infektim. Mbani në mend se edhe nëse i përkisni një grupmoshe – siç janë të rinjtë e shëndetshëm – me rrezik mesatar, nëse nuk kujdeseni, shumë lehtë mund t’i infektoni më të moshuarit ose anëtarët e tjerë të familjes që janë më të cenueshëm.
Masat më të rëndësishme nuk kushtojnë shumë. Bartni maskën në mënyrë të duhur. Lani duart shpesh. Mbani distancë kur jeni jashtë. Alternativa ndaj përmbajtjes së rreptë të këtyre masave – siç rekomandohet edhe nga qeveria juaj – është numër më i madh i vdekjeve të panevojshme dhe kufizime më të rrepta në jetën e përditshme.
Me dekada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar përkrah popullit të Kosovës. Jemi përkrah jush edhe tash. Së bashku, mund ta mposhtim COVID-19.
Ju faleminderit.