Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së diplomimit të Shkollës së Stafit dhe Komandës së Policisë, 28 qershor 2019
Mirëdita të gjithëve. Kam nderin dhe kënaqësinë që jam këtu në mesin e miqve dhe kolegëve nga Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prania e zyrtarëve nga Departamenti i Shtetit dhe ai i Drejtësisë së SHBA-së tregon përkushtimin e qëndrueshëm të qeverisë sime ndaj zhvillimit të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë në Kosovë.
Më lejoni t’ju bashkohem zërave të shumtë duke i përgëzuar të diplomuarit e sotshëm. Programi dhjetë javor i Shkollës së Stafit dhe Komandës të Policisë të Universitetit Northwestern është ndër programet më të mira për udhëheqje dhe menaxhim të institucioneve të zbatimit të ligjit që ofrohen në SHBA. Shumë të diplomuar nga SPSC-ja tashmë shërbejnë në pozitat më të larta të udhëheqjes në agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA dhe në Kosovë. Kualifikimi për këtë kurs nënkupton se ju tashmë keni dëshmuar gatishmërinë për përgjegjësi më të mëdha dhe së shpejti do ta shfrytëzoni këtë përvojë dhe trajnim në nivel më të lartë të udhëheqësisë. E udhëheqësia është në qendër të vëmendjes së fjalës sime sot.
Për këtë çështje janë shkruar mijëra libra dhe do të mund të flisnim tërë ditën për këndvështrimet e ndryshme për këtë temë. Unë do të përqendrohem në tri aspekte specifike të udhëheqjes që mendoj se janë jetike për çdo organizatë: vizioni, puna ekipore dhe ndershmëria.
T’ia fillojmë me vizionin. Sipas mendimit tim, dallimi qenësor ndërmjet udhëheqësit dhe menaxherit është vizioni afatgjatë rreth qëllimit që duhet ta përmbushë organizata. Mos më keqkuptoni, menaxherët janë të rëndësishëm. Menaxheri di si ti bëjë njerëzit që ti përmbushin detyrat për të punuar drejt qëllimeve. Udhëheqësi di si të punojë me të tjerët – kolegët e rangut të njëjtë, vartësit, eprorët, si dhe me të tjerët jashtë organizatës – për ti përkufizuar ato qëllime. Udhëheqësi di si ti frymëzojë të tjerët drejt atyre qëllimeve.
Ja një shembull i famshëm: në vitin 1961, presidenti John Kennedy sfidoi Shtetet e Bashkuara – qeverinë, Kongresin, komunitetin afarist dhe popullin amerikan – për të dërguar një njeri në Hënë brenda tetë viteve. Dukej e pamundshme, por Kennedy më vonë tha:
„Zgjedhim që të shkojmë në Hënë këtë dhjetëvjeçar jo sepse është e lehtë, por sepse është e vështirë… sepse ky qëllim do tʼna shërbejë për ti organizuar dhe matur më së miri energjitë dhe shkathtësitë tona, sepse kjo sfidë është ajo që jemi të gatshëm ta pranojmë, që nuk jemi të gatshëm ta shtyjmë për më vonë dhe që synojmë ta fitojmë“.
Ky është vizion.
Por asnjë individ, madje as një i tillë aq vizionar dhe tërheqës si John Kennedy, nuk mund ta ekzekutojë vizionin i vetëm. Duhet një ekip që vizioni të kthehet në realitet. Me fjalët e njërit ndër prijësit kryesorë të biznesit në Amerikë, kryeshefit ekzekutiv të Oracle, Mark Hurd, „Pa ekzekutim, ‘vizion’ është vetëm fjalë tjetër për ‘iluzion’“. E për ekzekutim, duhet puna ekipore.
Si policë, tashmë dini shumëçka rreth punës ekipore. Gjatë punës suaj ju llogaritni në partnerët tuaj për t’ju mbështetur në të njëjtën kohë që edhe ju i mbështetni. Por, të flasim se si duket puna ekipore në nivel më të madh organizativ. E këtu do të citoj një prijës ushtarak amerikan të viteve 1970, gjeneral-lejtnant Walter Ulmer. Është citat i gjatë, prandaj do ta lexoj sepse është përmbledhja më e mirë se si të vërehet një njësit që vepron mirë si ekip nën presion. Ulmer po fliste për armatën, por e njëjta analizë mund të zbatohet në çdo organizatë të madhe:
„Cili është thelbi i ‘klimës së mirë’ që promovon frymën dhe i lind ‘njësitet që performojnë në nivel të lartë’? Me gjasë më lehtë ndjehet ose kuptohet se sa përshkruhet. Nuk duhet shumë kohë që ata me përvojë ta kuptojnë atë. Ekziston një ndjenjë depërtuese e misionit. Ekziston një marrëveshje e pathënë cilat janë prioritetet kryesore. Ka standarde të qarta. Zotësia çmohet dhe vlerësohet. Ka gatishmëri për të shkëmbyer informata. Ka ndjenjë të lojës së ndershme. Njerëzit i gëzohen punës ekipore. Ka mënyra të shpejta dhe të përshtatshme për ti hequr qafe gjepurat dhe për ti ndrequr lajthitjet në sistem. Ka ndjenjë të sigurt të arsyetimit dhe besimit. Çelësi i klimës është lidershipi në përgjithësi dhe lidershipi i lartë në veçanti.“
Shpresoj se do ta mbani në mend këtë. I referohem përkufizimit të Gjeneralit Ulmer sa herë që i bashkohem një organizate të re, veçanërisht kur kam mundësinë, siç do të keni ju në pozitat tuaja të ardhshme, për të formuar kulturën e saj.
Edhe një mendim për punën ekipore. Hera e parë që u pata graduar në pozitë udhëheqëse, i thashë një shoku, që është udhëheqës me përvojë, se synoja të punoja fort dhe ta shtyja ekipin tim për ta përmbushur çdo mision. Ai më dëgjoi dhe më tha: „Fil, dëgjo çka kam mësuar. Nëse kujdesesh për njerëzit tu, ata do të kujdesen për misionin për ty“. Kjo ishte këshillë e mirë. Gjithashtu kam mësuar se njerëzit do të bëjnë më të mirën vetëm nëse ju respektojnë…e kjo na sjell te çështja e integritetit.
Prej ditës suaj të parë të trajnimit në Policinë e Kosovës ua kanë përkujtuar rëndësinë e integritetit personal. Nuk është fshehtësi se korrupsioni është problem i madh në institucionet e Kosovës dhe si prijës në polici do të sfidoheni që ti rezistoni dhe kundërshtoni korrupsionin në shumë nivele. Si prijës të lartë, ju duhet të jepni shembullin e ndershmërisë dhe integritetit çdo ditë. Kolegët tuaj policë po ju shikojnë, siç ju shikojnë edhe bashkëqytetarët tuaj.
Luftimi i korrupsionit është punë e vështirë, nganjëherë e rrezikshme, por suksesi është i mundshëm. Më lejoni t’ju rrëfej për departamentin e Policisë në Nju Jork në vitet 1960-1970 dhe rastin e vërtetë të një detektivi të policisë, Frank Serpico, rast që më vonë u bë tema e një libri dhe filmi të famshëm.
Në Departametin Policor të Nju Jorkut para 50 viteve, korrupsioni i imtë ishte mënyre jete. Si patrullues i ri, Serpico u njoftua me nivelin e ultë të korrupsionit – gjëra si shujta pa pagesë nga restorantet për ti lënë kamionët e shpërndarjes së mallit për tu parkuar pa leje. S’është kushedi çfarë dëmi, apo jo?
Por, përderisa Serpico gradohet dhe bëhet detektiv, tani i ekspozohet niveleve më të larta të korrupsionit mes partnerëve të ij, si marrje të ryshfetit nga shpërndarësit e drogës për ta kthyer kokën në anën tjetër. Ai refuzon të marrë pjesë në këtë dhe kolegët e leçisin. Serpico bën diç të pamendueshme: e thyen „murin e kaltër të heshtjes“ për ta raportuar korrupsionin te hetuesit jashtë policisë. Partnerët e tij hakmerren duke ia vënë pritën për ta vrarë shpërndarësit e drogës. Serpico shpëton dhe vazhdon të dëshmojë.
Veprimet e Serpicos patën efekt vendimtar për thyerjen e kulturës së korrupsionit në NYPD. Në vitin 2012, Michael Knapp, ish-kryesues i komisionit të Nju Jorkut për luftimin e korrupsionit në polici vuri në pah se „qëndrimi nëpër tërë departamentin duket se është jashtëzakonisht armiqësor kundër këtij lloji të ryshfetit sistematik që ishte mënyre jete para pothuajse 40 viteve“.
Ja çka tha për këtë Frank Serpico vite më vonë: „Lufta për drejtësi kundër korrupsionit kurrë s’është e lehtë. Kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë. Është e mundimshme për ne, familjet, miqtë dhe veçanërisht për fëmijët tanë. Në fund, besoj, si në rastin tim, çmimi që paguajmë ia vlen për të mbajtur dinjitetin tonë“.
Zonja dhe zotërinj, ju faleminderit për vëmendje. Ju ruajtë zoti gjatë shërbimit për vendin tuaj