Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Ceremonisë së betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, 7 gusht 2019
Ju faleminderit, Dr. Grant, për atë prezantim të sjellshëm dhe fjalimin e hatashëm. Faleminderit, Karen, faleminderit Mehrije dhe mirëmëngjesi të gjithëve.
Ministër Bytyqi, zonja dhe zotërinj, ju faleminderit për praninë tuaj. Është kënaqësi dhe nder që jam këtu.
Para se t’ju drejtohem drejtpërdrejt vullnetarëve, dëshiroj të përsëris fjalët e Dr. Grantit dhe ti falënderoj miqtë tanë nga Kosova: familjet nikoqire, stafin dhe trajnerët vendorë të Korpusit të Paqes, kolegët dhe bashkëpunëtorët, stafin nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Qeverisjes së Pushtetit Lokal, të gjithë që punojnë me aq mund që vullnetarët tanë të ndjehen si në shtëpi të tyre dhe që bëjnë të mundur që koha e tyre këtu të jetë produktive dhe e pasur për të gjithë. Nuk do të mund ta bënim punën tonë pa miqtë tanë kosovarë. Prandaj, edhe një duartrokitje për miqtë tanë kosovarë.
Puna me Korpusin e Paqes është ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sime si ambasador. Për herë të parë kam shërbyer në Kosovë në 2003-n, para se të kishim programin e Korpusit të Paqes. Kur erdha vitin e kaluar u ngazëllova kur mora vesh se prej vitit 2014 ishin më shumë se 220 vullnetarë që kishin shërbyer në komunitete nëpër tërë Kosovën, duke sjellë energji dhe entuziazëm, kureshtje dhe njohuri – si dhe gatishmëri për të nxënë dhe për të mësuar. Kur bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë udhëtojmë nëpër vend, gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohë për ti vizituar vullnetarët e për ti falënderuar për përkushtimin e tyre, për të dëgjuar mendimin e tyre se si SHBA-ja mund të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në shtegtimin e saj drejt paqes, drejtësisë dhe mbarësisë për të gjithë qytetarët.
Vullnetarëve tanë të ri: Urime! Keni punuar me mund për tu kualifikuar për program dhe tani ju përfaqësoni Amerikën. Drejtori i parë i Korpusit të Paqes, Sargent Shriver ka thënë: „Korpusi i Paqes është sinonim i gjithçkaje që besojmë dhe shpresojmë ta arrijmë në botë“. Colin Powell, i cili ishte gjeneral ushtrie dhe sekretar i shtetit, e përshkruajti rëndësinë e „fuqisë së butë“ si: „Jemi më të fuqishmit kur fytyra e Amerikës nuk është vetëm ushtari që bart armë, por edhe diplomati që negocion paqen, vullnetari i Korpusit të Paqes që sjell ujë të pijshëm në fshat apo punonjësi i ndihmave humanitare që zbret nga avioni i mallrave përderisa vërshimet përkeqësohen“.
Prandaj, si diplomat i karrierës, si amerikan dhe si prind i Korpusit të Paqes, nga thellësia e zemrës e respektoj punën që vullnetarët e bëjnë për të përfaqësuar llojllojshmërinë, vlerat dhe traditat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Thashë „prind i Korpusit të Paqes“ sepse arsyeja tjetër pse Alisoni dhe unë ndjejmë këtë lidhje me Korpusin e Paqes është se biri ynë Aleksi ka shërbyer si vullnetar në Filipine, duke punuar në menaxhimin e burimeve bregdetare. E kam vizituar atje. Ishte njëmend vend pune i hatashëm. Ai zbatonte programe të reja, mësoi gjuhë të reja dhe zhvilloi shkathtësi të reja. Jetoi në një familje nikoqire të mrekullueshme e mikpritëse, si tuajat. Gjatë punës së tij në menaxhimin e burimeve bregdetare , ai jetoi në plazh, prandaj më vjen keq, vullnetarë, nuk kemi program për menaxhimin e burimeve bregdetare këtu në Kosovë. Nuk ka plazh këtu, por malet janë të bukura.
Biri ynë, si të gjithë vullnetarët, dha kontributin e tij për komunitetin nikoqir duke përfaqësuar njëkohësisht Amerikën. Por, ai ka përfituar edhe personalisht. U kthye në shtëpi i mbushur me ide dhe përvoja që e shtynë në karrierën e tij si planifikues i mjedisit. Aleksi ka mbajtur lidhjet me miqtë dhe kolegët nga Korpusi i Paqes, disa prej të cilëve tani i ka kolegë profesionalë.
Natyrisht, jo të gjithë vullnetarët vazhdojnë punën e ngjashme që e kanë bërë në Korpusin e Paqes. Por, besoj se përvoja juaj këtu do t’ju pasurojë pa marrë parasysh çfarë profesioni përzgjidhni. Prandaj, mos ngurroni ti siguroni familjet në shtëpi që Korpusi i Paqes mund të jetë – ashtu siç thuhet „puna më e vështirë që do ta doni“, por mund t’ju çojë te „një punë tjetër të cilën do ta doni pothuajse aq shumë, por ku edhe merrni pagë“.
Edhe njëherë, urime, ju faleminderit dhe keni respektin tim. Alisoni dhe unë ju dëshirojmë gjithë të mirat përderisa rehatoheni në pozitat e reja dhe shpresojmë t’ju shohim sërish së shpejti.