Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Çeljes së Programit “Peshkopët e Ri”, 21 shkurt 2019
Zonja e zotërinj, ministër, mysafirë të nderuar.
Mirëdita! Kam kënaqësinë që jam këtu për çeljen zyrtare të projektit “Peshkopët e Ri”. Me shumë dëshirë e pranova ftesën për këtë ngjarje sepse njëmend besoj se mbështetja e nismave për edukim – veçanërisht edukim në degët e shkencave natyrore – është thelbësore për suksesin e Kosovës.
Programet konkrete të edukimit për degët e shkencave natyrore, siç është “Peshkopët e Ri”, iu japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara apo për të qenë konkurrues në tregun e punës. Por, çka është më me rëndësi, “Peshkopët e Ri” do ti nxisin nxënësit për të qenë kreativë, për të menduar në mënyrë kritike dhe për ti zhvilluar shkathtësitë për zgjidhjen e problemeve që mund të zbatohen edhe jashtë sallave të kompjuterëve.
Puna e qeverisë amerikane në Kosovë përqendrohet rreth tri temave kryesore: paqe, drejtësi dhe mirëqenie. Nxënësit që do të marrin pjesë në programin “Peshkopët e Ri” do të jeni më të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës në të tri fushat e përmendura.
Lidhja te mirëqenia është e qartë. Programi “Peshkopët e Ri” përqendrohet në shkathtësitë kryesore që ju nevojiten për të kontribuar në ekonominë që ndryshon vazhdimisht dhe të fokusuar kah teknologjia. Me mbështetjen e Qendrës Inovative të Kosovës dhe mentorëve, nxënësit do ti përmirësojnë disa prej vetive të domosdoshme për tu bërë ndërmarrës të suksesshëm dhe për të krijuar vende pune.
Por, edukimi në degët e shkencave natyrore po ashtu i kontribuon edhe krijimit të paqes dhe drejtësisë në Kosovë.
Teknologjia është thelbësore për transparencë. Mjetet si portali Prokurimi i hapur dhe transparent, i mbështetur nga USAID-i, iu japin qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në informata për prokurimin në qeveri. Platformat online ofrojnë mënyra se si publiku mund ti kërkojë llogari qeverisë dhe të kontribuojë në përgjithësi për sundimin e ligjit në Kosovë.
Siç dëgjuat nga organizatorët, programi “Peshkopët e Ri” është hartuar si platformë përfshirëse, që bën bashkë të ri e të reja përtej kufijve gjeografikë e etnikë. Kjo do të ndihmojë për të siguruar që një pjesë më e gjerë e shoqërisë kosovare ka qasje në mjete që do t’ju mundësojë sukses në tregun e punës. Nëse duam që Kosova të mbetet burim i paqes dhe stabilitetit në rajon, rritja e gjerë ekonomike që përfshin burra dhe gra dhe të gjithë komunitetet e Kosovës është thelbësore.
Më vjen mirë që po e shoh që organizatorët e programi “Peshkopët e Ri” po e praktikojnë atë përfshirje, sepse kemi dy gra në ekipin prej tre vetave. Shpesh mendojmë se karrierat në fushat e shkencave natyrore janë të dominuara nga meshkujt, por gratë gjithmonë kanë luajtur rol të rëndësishëm në disa prej të arriturave më të rëndësishme shkencore të botës. Prandaj, më vjen shumë mirë që po shoh kaq shumë vajza të reja këtu.
Në fund, dëshiroj të përgëzoj Shpendin, Zanën dhe Elditën që kanë përpiluar një program me kaq ndikim. Departamenti i Shtetit ka pranuar mbi 1300 aplikacione për projektet “Fondi i pjesëmarrësve për angazhim inovativ” dhe kemi financuar më pak se 1%. Kjo është dëshmi e hatashme e talentit që të gjithë e dimë se është në Kosovë.
Është mrekulli kur i shohim bursistët e programeve të shkëmbimit të qeverisë amerikane duke e mbajtur fjalën për zotimin e tyre për të shfrytëzuar atë që e kanë mësuar në SHBA për të kontribuar në zhvillimin këtu.
Mësuesve dhe mentorëve: ju faleminderit që po kontribuoni në këtë program me talentin, shkathtësitë dhe energjinë tuaj. E të gjithë studentëve: ju nxis të përqafoni mundësitë për të mësuar diçka të re, edhe nëse është e vështirë.
Ju uroj gjithë të mirat për një program të mrekullueshëm.