Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë çeljes së Grupit Ndërkombëtar të Angazhimit, 22 prill 2020
Me shekuj, Kosova ka qenë pikëtakimi për njerëzit e shumë traditave fetare. Njerëzit e vullnetit të mirë gjithmonë i kanë hapur duart dhe shtëpitë e tyre për fqinjët, pa marrë parasysh besimin apo identitetin e tyre etnik. Në dekadat e fundit, njerëz nga komunitetet e ndryshme të Kosovës nganjëherë janë përpëlitur për t’u pajtuar me urrejtjen dhe dyshimet që pllakosin Ballkanin. Nuk është e lehtë, por ka shenja inkurajuese të përparimit. Javëve të fundit, kemi parë se si kërcënimi i shkaktuar nga pandemia ka nxitur bashkëpunim praktik përtej vijave të komuniteteve dhe kufijve rajonalë.
Por, COVID-19 nuk është sulmuesi i vetëm kundër të cilit Kosova dhe të tjerët në rajon janë përfshirë në betejë dramatike. Në dhjetëvjeçarin e fundit, përderisa Kosova ka punuar në ndërtimin e shtetit të pavarur, një ideologji e huaj për mikpritjen dhe përfshirjen historike të Kosovës i ka kaluar kufijtë tuaj, duke synuar për të shkatërruar natyrën thelbësore të shoqërisë suaj. Flas për kërcënimin e shkaktuar nga ekstremizmi i dhunshëm.
Një pjesë të madhe të jetës sime e kam kaluar në shtete kryesisht muslimane – Turqi, Irak, Afganistan, Uzbekistan, Kosovë. Si i krishterë, unë i ndaj shumë besime të njëjta me vëllezërit dhe motrat muslimane dhe i respektoj të gjithë ata që përpiqen të ndërtojnë ura ndërmjet komuniteteve fetare.
Por, në anën tjetër të këtij barazimi, i kam parë për së afërmi gënjeshtrat dhe çmimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. ISIS-i dhe terroristët e tjerë ndërtojnë tundimin e tyre përmes gënjeshtrës joshëse se nuk mund të jesh musliman i mirë dhe qytetar i mirë i vendit tënd. Ata duan që të besoni se modeli i
tyre i kalifatit është ideal dhe që mënyra e vetme për të jetuar si besimtar është duke iu bashkuar atyre, në aspektin ideologjik si dhe atë gjeografik.
Shpesh njerëzit nxiten drejt ekstremizmit jo sepse janë „besimtarë të vërtetë” apo që tërhiqen nga dhuna apo revolucioni, por për shkak se i shohin dështimet në shtëpi – korrupsionin, varfërinë, përjashtimin dhe problemet e tjera shoqërore – dhe ndjehen të pafuqishëm për t’i ndryshuar ato. Joshja e organizatave si ISIS paraqet premtimin e rrugëtimit drejt variantit të tyre të drejtësisë, drejt variantit të tyre të lirisë, për një jetë në bollëk.
Ky është premtim bosh. Gjatë viteve të fundit mbështetja për ISIS është zvogëluar, përderisa pasuesit e hershëm panë përmes gënjeshtrave dhe u larguan. Dhjetëra vende i bashkuan forcat për të eliminuar të ashtuquajturin kalifat fizik.
Por, në vitet e hershme, në kulmin e fuqisë së ISIS-it, porosia e ISIS-it tingëllonte disi tërheqëse për disa. Deri në vitin 2016, më shumë se 400 qytetarë të Kosovës kishin udhëtuar në Siri për t’ju bashkuar ISIS-it, duke shkaktuar edhe më shumë dhunë në atë vend plot vuajtje. Kosovarët që iu përgjigjen thirrjes së ISIS-it lanë prapa një varg me tragjedi në Kosovë – jetë të shkatërruara dhe familje në zi.
Ekziston një rrugë tjetër drejt paqes, lirisë, drejtësisë. Nëse dëshironi ta ndryshoni Kosovën, atëherë bëhuni forcë e ndryshimit në Kosovë, këtu dhe tani. Nëse shqetësoheni për korrupsionin, punoni për ta ndërtuar një shtet më ligjor. Nëse shqetësoheni për mungesën e mundësive ekonomike për fëmijët tuaj, mbështetni përpjekjet për përmirësimin e shkollave dhe për çbllokimin e fuqisë së sektorit privat të vendit. Ndërtojeni një Kosovë përfshirëse, një të tillë që e sheh larminë etnike dhe fetare si çështje të krenarisë dhe burim të forcës.
Sepse me fjalët e filozofit Baruh Spinoza: „Paqja është më shumë se vetëm mungesa e luftës. Është virtyt, gjendje mendore, prirje për dashamirësi, besim, drejtësi”.
Këtu në Kosovë, Arbër Vokrri dhe Grupi Ndërkombëtar i Angazhimit po ndihmojnë në përhapjen e kësaj porosie të paqes.
Vetë rrëfimi jetësor i z. Vokrri është frymëzues. Ai iu ekspozua dhe u përsiat me të njëjtat porosi dhe tundime që i shtynë 400 qytetarë të Kosovës për t’ju bashkuar ISIS-it. Por Arbëri pa përmes mashtrimit, i thirri mendjes dhe tani i është përkushtuar ekspozimit të mashtrimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ai po iu ndihmon të rinjve për të marrë vendime pozitive për të refuzuar dhunën dhe për të përqafuar të ardhme më pozitive këtu në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë krah Arbërit, Grupit Ndërkombëtar të Angazhimit dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë në Kosovë, që po punojnë për të ardhme pa dhunë, pa terror, pa diskriminim. Një të ardhme ku respektohet dinjiteti i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Një të ardhme ku udhëheqësit iu përgjigjen nevojave të popullit me ndershmëri dhe ku qytetarët punojnë për ta bërë komunitetin e tyre edhe më të mirë.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe dëshiroj të shpreh falenderimet dhe respektin tim për të gjithë që punojnë për të ardhme në paqe për Kosovën dhe rajonin.