Fjala e ambasadorit Hovenier me rastin e shënimit të njëvjetorit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, 24 shkurt 2023

Fjala e ambasadorit Hovenier me rastin e shënimit të njëvjetorit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, 24 shkurt 2023

Mirëdita.

Rektor Qerimi, dekan Puka, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit Kelmendi, përfaqësues të Gjykatës Themelore, Gjykatës Komerciale, mysafirë dhe studentë të nderuar, por veçanërisht nëse kemi ndonjë nga miqtë tanë ukrainas, edhe pse mendoj se shumica prej tyre janë në seancën solemne të Kuvendit, ju faleminderit për ftesën dhe që ndatë kohë të premten për të më dëgjuar duke folur për një ndër çështjet më të rëndësishme në rendin tonë të ditës tani.

Një vit e një ditë më parë, Azad Mamedov ishte ulur në një klasë pothuajse si kjo në të cilën jemi momentalisht. Atë natë, ai dhe shokët e shoqet e tij të klasës në Kiev dhe nëpër Ukrainë shkuan në shtrat si çdo natë tjetër.

Edhe pse tensionet me Rusinë ishin të mëdha, shumica e studentëve ukrainas po mendonin, si ju, për lëndët që i kishin përzgjedhur, provimet për të cilat po përgatiteshin; punimet që duhet t’i shkruanin. Ka gjasa që po mendonin edhe për ndejat me shokë, koncertet dhe festivalet që do t’i ndiqnin gjatë fundjavave dhe në kohë të lirë.

Por, një vit më parë, ata u zgjuan nga zhurma e shpërthimeve. Ndërtesat e tyre u drodhën nga granatat përderisa Rusia i nisi sulmet ajrore dhe pushtimin nga toka drejt Kievit dhe Karkivit.

Pas dy javëve, Azad Mamedovi nuk po shkruante fjalim për veprim ndaj ndryshimeve klimatike. Nuk po mësonte për provimin në ekonomi. Ishte vullnetar në një strehimore nga granatimet në qytetin e tij të lindjes.  Ai shkroi:

Brezi ynë po i njeh tmerret e luftës.

Siç u tha, sot shënohet një vit prej kur Putini nisi pushtimin brutal e në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Ky ishte sulm, që pa marrë parasysh se sa inteligjencë paraprake kishim apo paralajmërimet që i dhamë, sërish erdhi si tronditje e jashtëzakonshme për rendin tonë botëror dhe për sistemet dhe strukturat ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë i kemi vënë në funksion me aq kujdes për të parandaluar veprime të tilla të njëanshme që kërcënojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të gjithë Evropës.

Në këtë datë të zymtë, pikërisht pas një viti në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të NATO-s dhe të tjerë me vendosmëri e kanë mbështetur Ukrainën në betejën e saj kundër tiranisë ruse, pata dëshirë të vija këtu për t’ju thënë se – ashtu siç ka thënë vazhdimisht Presidenti Biden – Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa duhet.

Rreziku është i madh. Pas vizitës historike në Kiev për të ri-konfirmuar përkushtimin e palëkundur dhe të patundur të Shteteve të Bashkuara ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, gjatë qëndrimit në Varshavë, Presidenti Biden tha:

„Kievi qëndron i fuqishëm. Ai qëndron krenar. Ai qëndron kryelartë dhe më me rëndësi, qëndron i lirë”.

Pushtimi i Ukrainës nga Putini shënon një çast vendimtar në historinë bashkëkohore të Evropës. Është sfidë thelbësore gjeopolitike dhe mund të jetë sfida më e madhe deri tani në shekullin XXI.

Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të reflektuar mbi atë që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar dhe t’ju njoftoj se si Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë po punojnë për të siguruar që Rusia do të dështojë në lakminë e saj të paligjshme për të rrëmbyer tokë dhe pushtet.

Gjithashtu, dëshiroj t’ju tregoj se po punojmë për të siguruar që Rusia po mbahet përgjegjëse për këtë luftë të padrejtë që ka bërë, për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar që ka kryer, të cilave iu referuat edhe ju, z. Rektor, si dhe për shkatërrimin e jetës së njerëzve dhe komuniteteve.

Dhe në fund, do të flas se si Presidenti Biden dhe Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një ndërmarrje globale për të mbështetur Ukrainën përderisa ajo e mbron popullin dhe territorin e saj.

Më lejoni që së pari të flas se si pushtimi i Ukrainës nga Putini ka ndryshuar në mënyrë thelbësore rendin botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.

Në fund të atij konflikti të tmerrshëm, siç e keni mësuar dhe vazhdoni të mësoni, fuqitë botërore u pajtuan për një varg të parimeve, vlerave dhe sistemeve dhe institucioneve themelore, siç janë Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja, që hapën një periudhë të paprecedent të rregullit dhe përparimit.

Ky nuk ishte sistem i përsosur dhe edhe pse këto parime, vlera, sisteme dhe institucione janë përballur me sfida të mëdha përgjatë viteve dhe nganjëherë kanë treguar mungesë të plotë të reagimit ndaj sfidave me të cilat përballeshin, ato gjithashtu kanë mundësuar paqe dhe siguri për njerëzit anembanë botës.

Me pushtimin e Ukrainës, Putini drejtpërdrejt i sfidoi këto parime ndërkombëtare në mënyrë të rëndësishme dhe të dukshme.

Rusia nisi një luftë të paprovokuar, gjithëpërfshirëse për të marrë me forcë territorin e një vendi sovran që është shkelje e drejtpërdrejtë e detyrimeve ligjore dhe angazhimeve politike që Rusia i ka marrë gjatë dekadave të mëparshme, duke përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, ku Rusia iu bashkua fuqive të tjera bërthamore duke u zotuar që do të respektojë pavarësinë dhe sovranitetin e palëve nënshkruese brenda kufijve të tyre ekzistues dhe që kurrë nuk do të kërcënojë, të përdorë forcën ushtarake apo detyrimin ekonomik kundër Ukrainës. Posaçërisht kundër Ukrainës.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndërlikime të gjera gjeopolitike.

Përpjekjet e Kremlinit për të mohuar ekzistencën e Ukrainës si shtet, të gllabërojë me forcë territorin e saj dhe të nënshtrojë popullin e saj ndaj sundimit imperialist të Kremlinit përbën kërcënim për çdo vend, e jo vetëm për fqinjët e Rusisë.

Ta themi thjeshtë, Rusia po mundohet të fshijë sovranitetin e një shteti të pavarur.

Udhëheqësit e Rusisë kanë qenë mjaft transparentë për pikëpamjet dhe qëllimet e tyre ndaj Ukrainës.

Presidenti Putin shkroi – dua të shtoj në mënyrë të pasaktë – se „Ukraina moderne u krijua tërësisht nga Rusia”. Nuk besoj që historia e mbështet një pohim të tillë.

Moska ka vënë në shënjestër jo vetëm Ukrainën, por edhe parimet e barazisë sovrane dhe integritetit territorial që u mishëruan në Kartën e OKB-së pas Luftës së Dytë Botërore.

Askush në Evropë, askush në botë, nuk mund ta vështrojë në mënyrë pasive kërcënimin që paraqesin veprimet e Rusisë dhe justifikimet përcjellëse.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë. Ky është kërcënim për të gjithë ne.

Është sulm i drejtpërdrejt ndaj shtyllave themelore të rregullit botëror, duke kërcënuar institucionet dhe aranzhimet që kanë mundësuar prosperitet, stabilitet dhe siguri globale për më shumë se gjysmë shekulli.

Dhe fakti qëndron se ndërsa Putini mund të ketë llogaritur në dallimet tona për të na përçarë në përballje me këtë sulm, ne jemi të bashkuar me vlerat dhe aspiratat e përbashkëta të njerëzve në Evropë, Shtete të Bashkuara dhe partnerët tanë në mbarë botën.

Putini tashmë po përballet me pasojat e sfidës së tij ndaj rregullit botëror dhe vlerave demokratike që e mbështesin atë.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë po aq të vendosur si përherë për të siguruar që Rusia i vuan pasojat e luftës së saj të pajustifikuar, të paligjshme dhe të pamoralshme në Ukrainë.

Ne po e mbajmë Rusinë përgjegjëse. Jemi të vendosur që Rusia nuk do të përfitojë nga kjo.

Putini mendoi se do ta thyejë Perëndimin; ai mendoi se do ta gllabërojë pa mund Ukrainën, „Do ta marrim Ukrainën për tri ditë”, por e kishte gabim.

Udhëtimi i Presidentit Biden në Kiev në fillim të kësaj jave ishte demonstrim i fuqishëm i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për t’i siguruar ukrainasit se ata mund të vazhdojnë të llogarisin në mbështetjen e komunitetit global për të mbrojtur vendin e tyre.

Gjatë vizitës së tij historike, Presidenti Biden tha:

„Putini mendonte se Ukraina është e dobët dhe që Perëndimi është i përçarë. […] Ai mendonte se do të qëndronte më gjatë se ne. Nuk mendoj se ende e mendon të njëjtën gjë”.

Njëmend, një vit më pas dhe përkushtimi ynë nuk është zbehur.

Populli ukrainas ka dëshmuar vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe pavarësinë e tyre në fushëbetejë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e partnerët tanë do të vazhdojnë të sigurojnë që Ukraina ka çka i nevojitet për të mbrojtur popullin dhe territorin e saj kundër agresionit të Rusisë.

Rusia e zgjodhi këtë luftë – dhe bota po përgjigjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pasojat e asaj zgjedhjeje, për mizoritë që po i kryen në Ukrainë.

Më shumë se 140 vende votuan në Kombet e Bashkuara dhe dje 141 vende votuan për të dënuar agresionin e Rusisë dhe në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbrojtje të parimeve thelbësore të Kartës së OKB-së.

Sot, jemi mbledhur në këtë klasë në Universitetin e Prishtinës.

Dëshiroj të vë në pah se sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë mbi infrastrukturën civile ka shkatërruar plotësisht rreth 500 institucione arsimore si kjo dhe ka dëmtuar mbi 2500 të tjera.

Por, gjatë vitit të kaluar, agresioni i Rusisë nuk është ndalur vetëm në infrastrukturën civile.

Forcat ruse kanë ndërmarrë sulme të përhapura dhe sistematike kundër popullatës civile të Ukrainës – akte të llahtarshme vrasjesh, torturash, përdhunimesh dhe deportimi të detyruar.

Ekzekutime, rrahje, goditje me elektroshok të civilëve të pafajshëm.

Kjo është barbare.  Është jonjerëzore.

Siç vuri në pah Zëvendës-presidentja Kamala Harris në Mynih fundjavën e kaluar, ne i kemi shqyrtuar provat dhe i dimë standardet ligjore. Edhe shumë prej jush i dini ato standarde.

Shtetet e Bashkuara kanë ardhur në përfundim se këto janë krime kundër njerëzimit. Individët që i kanë kryer këto krime dhe bashkëfajtorët do të mbahen përgjegjës. Do të vazhdojmë të përkrahim hetimet ndërkombëtare si dhe proceset juridike në Ukrainë lidhur me krimet e Rusisë sepse drejtësia duhet të vihet në vend. Në emër të të gjitha viktimave, të ditura e të paditura, drejtësia do të vihet në vend. Ky është imperativ moral dhe është me vend që në auditoriumin e Fakultetit Juridik të thuhet se kjo është çështje e sundimit të ligjit.

Ashtu si Aleatët në fund të Luftës së Dytë Botërore e shtynë përpara drejtësinë dhe na futën në një epokë të re përgjegjësie për krimet më të këqija të imagjinueshme, ne tani jemi përgjegjës për të siguruar që ata që kryen krime lufte dhe mizori të tjera në Ukrainë të japin llogari.

Shtetet e Bashkuara po e udhëheqin këtë përpjekje nën udhëheqjen e Presidentit Biden, por edhe në partneritet me vendet anembanë Evropës dhe globit.

Mundi na është shpërblyer duke parë unitetin e botës në qëllim dhe në vepra. Vizita e Presidentit Biden të hënën në Kiev nënvizoi përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj Ukrainës dhe popullit të Ukrainës. Qëndrojmë krah për krah liderëve ukrainas dhe aleatëve e partnerëve në Evropë në mbështetje të Ukrainës, mbajtjen e Rusisë përgjegjëse dhe frenimin e agresionit rus kundër NATO-s.

Putini priste fitore të shpejtë, por ai nënvlerësoi vendosmërinë dhe aftësinë e popullit të Ukrainës për të mbrojtur vendin, demokracinë dhe lirinë e tyre. Ai gjithashtu nënvlerësoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve tanë për të qëndruar me Ukrainën për aq kohë sa duhet.

Shtetet e Bashkuara kanë bashkuar botën në mbështetje të popullit të Ukrainës teksa mbrojnë lirinë dhe demokracinë e tyre kundër luftës brutale dhe barbare të Rusisë.

Që nga janari i vitit 2021, Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 30.4 miliardë dollarë në asistencë për çështje të sigurisë për të treguar angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të palëkundur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Por, kjo është përpjekje mbarë-botërore.

Ne po udhëheqim një koalicion prej më shumë se 50 vendeve – nga Amerika e Veriut e deri në Evropë e në Indo-Paqësorin – që po ofrojnë ndihmë ushtarake për të ndihmuar Ukrainën.

Që nga 24 shkurti 2022, pra një vit më parë, aleatët dhe partnerët në mbarë botën kanë dhënë mbi 13 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë.

Gjithashtu, po ofrojmë edhe ndihmë ekonomike dhe humanitare. Siç e dini, kjo ndihmë është jetike për të mbështetur popullsinë e zhvendosur, duke përfshirë refugjatët dhe komunitetet e tjera të cenueshme në Ukrainë dhe në mbarë rajonin. Po sigurohemi që njerëzit e prekur nga kjo luftë të kenë qasje në ujë të pijshëm dhe strehim, kanalizime, kujdes shëndetësor emergjent dhe ndihmë urgjente ushqimore.

Si dhe së bashku, kemi vendosur sanksione të rënda, të paprecedentë që po ia vështirësojnë Kremlinit aftësinë për të zhvilluar këtë luftë brutale. Këtë vit kemi mbajtur regjimin më të madh të sanksioneve të vendosura ndonjëherë ndaj një ekonomie të madhe. E kemi shkëputur Rusinë nga mjetet kritike dhe teknologjitë e avancuara. Po e dëmtojmë aftësinë e saj për të luftuar – dhe financuar – këtë luftë.

Presim që sanksionet dhe kontrolli i eksportit do të ketë ndikim edhe më të madh në ekonominë industriale të Rusisë në vitin e dytë të luftës. Masat tona ekonomike janë krijuar posaçërisht për të mbajtur Rusinë përgjegjëse pa penguar eksportet e ushqimit ose ofrimin e ndihmës humanitare. Dhe po punojmë për të zbutur dhimbjen ekonomike dhe pasigurinë për vendet e cenueshme.

Putini mendoi se do të mund të përçante NATO-n, Perëndimin dhe partnerët tanë. Më lejoni ta them sa më qartë që mundem: Ai ka dështuar.

Siç e ceki Presidenti Biden të martën:

Putini „mendonte se NATO-ja do të thyhej dhe përçahet. Në vend të kësaj, NATO është më e bashkuar dhe më unike se kurrë më parë”.

Bashkërisht, kemi ofruar ndihmë historike për Ukrainën.

Bashkërisht, i kemi dhënë një goditje aftësive luftarake të Rusisë.

Bashkërisht, kemi mundësuar sigurinë energjetike dhe kemi ri-investuar në mbrojtjen tonë kolektive.

Dhe, bashkërisht, po i mbrojmë vlerat, interesat dhe humanizmin tonë të përbashkët.

Nuk dyshoj fare që ky unitet do të zgjasë.

Dëshiroj të theksoj se edhe populli i Kosovës dhe vetë Kosova janë pjesë përbërëse e këtij reagimi të unifikuar, kësaj shfaqjeje të solidaritetit.

Ka njerëz që mund të thonë se një vend me vetëm 1.8 milionë banorë, që përballet me sfidat e veta në Evropën Juglindore, vështirë që mund të jetë në gjendje të ndikojë në rezultatin e luftës në Ukrainë.

Por, dua që për pak çaste të flas për ndikimin e solidaritetit.

Unë jam nga një qytet në Paqësorin veriperëndimor. Ashtu si qytetarët e qytetit tim të lindjes Bellingham, Uashington, ku jetojnë rreth 70-80 mijë veta, punuan për të mbledhur donacione për një jetimore në Ukrainë dhe ia doli të mblidhte mbi 20,000 dollarë, gjë që nuk e prisnim, edhe Kosova ka bërë pjesën e saj për të qëndruar së bashku në solidaritet kundër këtij pushtimi të paprovokuar.

Iu keni ofruar strehim ukrainasve që iknin nga lufta. Keni strehuar 12 gazetare ukrainase duke ua mundësuar që të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri, si dhe për të siguruar që në dispozicion kemi informata të sakta dhe të vërteta.

Keni qëndruar përkrah nesh, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, në vendosjen e sanksioneve.

Ju kam parë duke dhënë atë që mundeni – qoftë përmes fushatave për grumbullim të veshmbathjes apo mbledhjen e fondeve – për të demonstruar pozicionin e Kosovës, si dhe për të demonstruar me kë është Kosova.

Ndoshta këto vepra duken të vogla, por kur këto deklarata solidariteti i bëjmë bashkë në çdo qytezë, qytet dhe vend, ato mund dhe bëhen të mëdha.

Për dallim nga shumë popuj, ju, populli i Kosovës, e kuptoni se si është të jetosh nën thundrën e një fuqie tjetër. Ju e dini se si është dhe çfarë do të thotë kur të tjerët përpiqen të përcaktojnë të ardhmen tuaj. Ju e kuptoni sa të rëndësishme janë këto shprehje të prekshme të solidaritetit, jo vetëm ndaj ngjarjeve në terren, por për psikikën e atyre që preken nga këto ngjarje. Dhe ju keni qëndruar me vendosmëri përkrah nesh kundër përpjekjes së Rusisë për ta bërë këtë në Ukrainë.

Dëshiroj ta përmendi se derisa po vija këtu, pashë rreth-rrotullimet me ngjyrë verdh e kaltër, flamuj verdh e kaltër, shenja „Të bashkuar me Ukrainën”. Askush nuk ka fije dyshimi se ku qëndron Kosova në këtë çështje.

Ndërsa shënojmë një vit nga pushtimi i Putinit, dua të theksoj tre gjëra që t’i merrni parasysh dhe t’i çoni përpara.

  • Rusia po kërcënon stabilitetin global dhe ka thyer ligjin ndërkombëtar;
  • Rusia po paguan shtrenjtë për këto veprime;
  • Dhe përgjigja jonë kolektive, gatishmëria jonë e vendosur për të qëndruar së bashku, është domethënëse dhe po ka efekt.
  • Bashkimi bën fuqinë.

Një brez më parë, shumë prej nesh po punonim në rindërtimin e vendit pas shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë.

Dy breza më parë, prindërit tanë po e rindërtonin Evropën pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë do të përjetojë brezi i ardhshëm i studentëve kur të hyjë në këtë auditorium këtu pas 20 ose 30 vitesh?

Kjo klasë apo klasë të ngjashme, gjatë brezave të fundit i kanë përjetuar tmerret e luftës.

Në vend të këtij përjetimi, shpresoj se studentët në të ardhmen do të ulen dhe do punojnë me përqendrim për të arritur vizionin tonë të përbashkët themelor për një Evropë „të plotë, të lirë dhe në paqe”.

Ky qëllim për një Evropë „të plotë, të lirë dhe në paqe” është po aq jetik dhe relevant tani siç ishte në vitin 1989 kur për herë të parë e tha Presidenti George H. W. Bush.

Shpresoj që do të flasim për brezat që i njohin dhe i çojnë përpara frytet e paqes e jo tmerret e luftës.

Përderisa shohim kah e ardhmja, e dimë se puna në Ukrainë nuk ka përfunduar. E dimë se miqtë tanë ukrainas do të vazhdojnë të sprovohen.

Dëshiroj të theksoj se edhe uniteti dhe solidariteti ynë transatlantik do të vazhdojë të sprovohet.

Por, mendoj se edhe Presidenti Obama edhe Presidenti Biden e kanë thënë: „kurrë mos nënvlerësoni fuqinë e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj”.

Së bashku ne e kemi përballuar, po e përballojmë dhe fuqishëm besoj që do të vazhdojmë ta përballojmë këtë sfidë. Jemi mirënjohës për miqësinë tonë, jemi mirënjohës për solidaritetin tonë, i jemi mirënjohës popullit të Kosovës për krejt çka po bën në mbështetje të popullit të Ukrainës.

Është pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta; është domethënëse..

Ju faleminderit shumë dhe Slava Ukraini.