Drejtor i Përgjithshëm z. Hoxha, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi znj. Dermaku, Kryeshef Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës z. Hodaj, zyrtarë dhe personel i Policisë së Kosovës, mysafirë të nderuar.
Mirëdita.
Kam kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e sotme për të shënuar donacionin nga Qeveria e SHBA-së të kamerave të trupit për Policinë e Kosovës.
Këto kamera të trupit janë një resurs i ri që ka rëndësi jetike për zbatim të ligjit në Kosovë.
Ato do të rrisin besimin e publikut në polici, do të ofrojnë dëshmi të paanshme të ndërveprimeve në mes të policisë dhe komunitetit, si dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien.
Ne e dimë se Kosova nuk mund të zë vendin i cili i takon në strukturat europiane dhe euroatlantike si një demokraci gjithpërfshirëse, shumëetnike, pa institucione transparente, të drejta dhe llogaridhënëse të sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe policinë.
Mendoj se është e rëndësishme të ceket se edhe ne në SHBA kemi sfidat tona me llogaridhënien policore.
Dhe, megjithëse nuk jemi të përsosur, ne kemi arritur të përmirësojmë perceptimet e komuniteteve lidhur me policinë përmes mbikëqyrjes së përmirësuar.
Kamerat tashmë janë pjesë standarde e uniformës së një polici në shumë juridiksione në SHBA, sepse ato parandalojnë sjelljet e padëshirueshme dhe i bëjnë rrugët më të sigurta si për policët ashtu edhe për publikun.
Këtu në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 1.8 milionë dollarë në këtë program – që është programi i parë i kamerave të trupit në Kosovë.
Ky donacion është edhe një dëshmi e përkushtimit të përbashkët që kemi me Policinë e Kosovës ndaj mbështetjes së ofrimit të shërbimeve ligjzbatuese transparente dhe llogaridhënëse për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Donacioni ynë sot përfshin një infrastrukturë elektronike të ruajtjes së të dhënave që shtrihet në mbarë vendin — 250 kamera të trupit që do të mbahen nga policët dhe 113 sisteme kamerash të instaluara në automjete të policisë, që do t’i përdorë policia e trafikut dhe ajo kufitare anembanë Kosovës.
Teknologjia e kamerave të trupit promovon sigurinë dhe është një mjet i fuqishëm dhe i besueshëm për mbledhje të provave: ajo xhiron video inçizime që janë të paanshme dhe të rezistueshme ndaj përpjekjeve për të bërë ndryshime të qëllimshme, si dhe ruan pasqyrimin faktik të ndërveprimeve në mes të policëve dhe qytetarëve.
Kur përdoren në mënyrën e duhur, kamerat e trupit janë një mjet efektiv i zbatimit të ligjit që mund të përforcojë – madje edhe të përmirësojë – mënyrën se si publiku e percepton profesionalizmin e policisë.
Dixhitalizimi është rruga e së ardhmes, dhe ne jemi krenar që po i mbështesim përpjekjet e Kosovës në modernizimin e ligjzbatimit.
Natyrisht se ky projekti mund të ketë sukses vetëm nëse gëzon mbështetje të fuqishme nga ana e shumë palëve të interesuara. Në këtë aspekt, ne veçanërisht e çmojmë vullnetin e shprehur nga Policia e Kosovës për ta pranuar këtë program.
Ne gjithashtu jemi mirënjohës ndaj bashkëpunimit dhe mbështetjes ndëragjencionale, duke përfshirë Agjencinë e Informacionit dhe Privatësisë, që është përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Në emër të të gjithë ekipit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, dua t’i shprehi mirënjohje edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, për përpjekjet e bëra në realizimin e këtij projekti. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të ngushtë që kemi me ju.
Drejtor i Përgjithshëm, ju vërtetë jeni një lider i reformimit dhe modernizimit, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë në rajon.
Ne vlerësojmë tej mase përpjekjet e Kosovës për t’i kontribuar transparencës në të ushtruarit e detyrës policore dhe forcimit të sigurisë civile në vendin tuaj.
Faleminderit