Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Pritjes për Ditën e Pavarësisë. 6 korrik 2023
Presidente Osmani, Kryeministër Kurti, Kryetar i Kuvendit Konjufca, anëtarë të korit diplomatik, mysafirë të nderuar.
Laura dhe unë ju urojmë mirëseardhje në ambasadën amerikane dhe ju falënderojmë që jeni së bashku me ne dhe ekipin e Ambasadës së ShBA-së për të festuar përvjetorin e 247-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Sot festojmë një moment tepër të rëndësishëm.
Plot 247 vjet më parë, në një ditë të nxehtë e me zagushi të 4 korrikut, në Filadelfia të Pensilvanisë, Etërit tanë Themelues u betuan me „jetën”, „pasurinë” dhe „nderin e tyre të shenjtë” për të vërtetat që ata pohuan se ishin „të vetëkuptueshme”.
Që „të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”.
E me këtë ata themeluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndryshuan botën.
Këto ide – barazia, liria dhe qeverisja që rrjedh nga „pushteti i drejtë” përmes „miratimit nga të qeverisurit” – janë ide përkufizuese në projektin dhe përvojën amerikane.
Por, historia jonë është histori e përpjekjeve për t’i përmbushur këto ideale. Edhe pse shpesh nuk ia kemi dalë, kurrë nuk kemi hequr dorë nga këto parime shumë ambicioze.
Gjatë Samitit të parë për Demokraci Presidenti Biden tha: „Demokracia amerikane paraqet përpjekje të vazhdueshme për t’i jetësuar idealet tona më të larta dhe për të shëruar ndasitë tona; për tu rizotuar ndaj idesë themeluese të vendit tonë të mishëruar në Deklaratën tonë të Pavarësisë”.
Idealet në Deklaratën tonë të Pavarësisë nuk i kanë prirë përparimit vetëm në Shtetet e Bashkuara. Ato kanë qenë frymëzim i shumë vendeve, përfshirë Kosovës.
Sa herë kam nderin të takohem me Kryetarin e Kuvendit Konjufca në zyrën e tij, gjithmonë ndalem për të shikuar dhe reflektuar për Deklaratën origjinale të nënshkruar të Pavarësisë së Kosovës, të përmbyllur në një ditë të ftohtë dimri më 17 shkurt 2008.
E di se gjatë hartimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe Kushtetutës, themeluesit e Kosovës – e shumë prej tyre na kanë nderuar me praninë e tyre sonte – u frymëzuan nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së dhe Kushtetuta jonë.
Në ato dokumente janë disa deklarata të fuqishme të parimit dhe aspiratave, por dëshiroj të theksoj një nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës:
„Ne e shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.
Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe e themeleve të pavarësisë së saj.
Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen e tyre për popullin e Kosovës në konceptimin dhe realizimin e këtij vizioni ambicioz.
Mbesim të palëkundur për këtë.
Njëjtë siç vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të përpiqen për të përmbushur idealet e tyre themeluese pas 247 vjetësh, shpresoj se do të pajtoheni që në disa raste as Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë idealet e saj themeluese, pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm të arritur në 15 vitet e fundit.
Në këtë frymë, dëshiroj të konfirmoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë me popullin e Kosovës në mbështetje të plotë të avancimit dhe arritjes së vizionit të saj themelues për një shtet demokratik, laik dhe multietnik.
Ju lutem, ta dini që:
- Kur ju japim këshilla;
- Kur ju kërkojmë të bëni gjëra që duken që janë të vështira ose që janë të vështira; apo
- Kur marrim veprime si pasojë ose në reagim ndaj vendimeve që nuk janë në përputhje me këshillat apo kërkesat tona, e bëjmë këtë në përputhje me përkushtimin tonë afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës për tu përafruar pikërisht me ato ideale ambicioze që i synon.
Prandaj, sot, përderisa festojmë 247 vjet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, gjithashtu rikujtojmë dhe festojmë së bashku 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës e ka arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore dhe premtimin për përparim të mëtejmë për të mirën e tërë popullit të Kosovës.
Në përmbyllje, gjithashtu dua të vë në pah se ngjarjet si kjo nuk organizohen vetvetiu.
Ju lutem, bashkohuni me mua për të falënderuar qindra vullnetarë, të cilët e kanë organizuar këtë ngjarje nën udhëheqjen e aftë të Claudio Ballesteros me mbështetjen e Jess Gumucio.
Gjithashtu, dëshiroj t’i falënderoj sponsorët e shumtë, pa të cilët kjo ngjarje nuk do të mundësohej. Ju faleminderit për zemërgjerësinë tuaj.
Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime Dita e Pavarësisë!