Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Prezantimit të raportit të Lëvizjes Fol „Dhuna në familje në shifra”, Maj 18, 2022
Z-nja ministre, mysafirë të nderuar, aktivistë të shoqërisë civile dhe kolegë, ju faleminderit për ftesën për të diskutuar rreth punës suaj të rëndësishme të përbashkët për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.
Thuhet që Mahatma Gandi njëherë ka thënë se „fytyra e vërtetë e një shoqërie kuptohet nga mënyra se si i trajton më të dobëtit e saj”. Do të argumentoja se ky është testi i njëmendtë i qëndrueshmërisë dhe forcës së sundimit të ligjit në çdo demokraci. Përgjegjësia më e madhe e çdo qeverie ose institucioni të sundimit të ligjit është mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve më të dobët.
Siç e dini të gjithë, dhuna në familje nuk është diçka e lindur ose e veçantë vetëm për Kosovën. Sipas një studimi të kohëve të fundit që shfrytëzonte të dhënat e OBSH-së, më shumë se një çerek gra anembanë botës kanë përjetuar dhunë familjare gjatë jetës së tyre. Vetëm në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se pothuajse 20 njerëz në minutë janë viktimë e dhunës fizike nga partneri i afërt.
Më tronditi paragrafi në vijim i raportit të sotëm të Lëvizjes FOL për gjendjen në Kosovë: „Dhuna në familje vazhdon të jetë ndër krimet që raportohet më së paku në shoqërinë tonë. Bazuar në raportet dhe hulumtimet e ndryshme të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, shumë gra në Kosovë ende e konsiderojnë dhunën në familje si çështje private, prandaj shpesh kalon pa u vërejtur dhe nuk raportohet fare”.
Për vite me radhë, dhuna në familje është konsideruar çështje private edhe në Shtetet e Bashkuara. Para 28 viteve, kur presidenti Bajden hartoi për herë të parë Ligjin kundër dhunës ndaj grave, ai e dinte që për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje duhej hiç më pak se ndryshim i kulturës. Ai tha: „si shoqëri, ne thjesht e kemi mbyllur njërin sy. Në shumë vende, dhuna në familje nuk ishte krim… dhe nuk e di sa herë më kanë thënë që është çështje familjare. Dhe mënyra e vetme si mund ta ndryshojmë kulturën ishte duke e ndriçuar fort atë dhe duke i thënë gjërat troç”.
Jam rritur si pjesëtar i një komuniteti të ngushtë fetar në Paqësorin Veriperëndimor. Më kujtohet një rast kur ishte mjaft e qartë se një familje në bashkësinë tonë po përjetonte dhunë në familje. Kur nëna dhe babai im e kuptuan këtë, ata nuk ngurruan të veprojnë, i raportuan shqetësimet e tyre te autoritetet e zbatimit të ligjit dhe e ftuan bashkëshorten dhe fëmijët për të qëndruar me ne për pak kohë.
Më kujtohet se disa pjesëtarë të komunitetit tonë i kritikuan prindërit e mi se „ishin përzier”, „i kishin futur hundët ku nuk duhej” dhe që kishin nxitur thashetheme e lajme për pjesëtarët e komunitetit tonë në qytetin tonë të vogël.
Më kujtohet përgjigja e babait tim – që citoi Të nderuarin Martin Luter Kingun nga „Letër nga burgu i Birmingamit”: „Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë gjithkund”.
Prindërit e mi u përpoqën që vëllezërit e motrat e mia dhe mua të na mësonin se të gjithë kemi përgjegjësi për të marrë qëndrim, për të vepruar kur jemi dëshmitarë të padrejtësisë. Jam mirënjohës për shembullin e tyre dhe përpiqem të ec hapave të tyre.
Dëshiroj të shpreh mirënjohje dhe të përgëzoj për udhëheqje ministren Haxhiu, zëvendës-ministren Shala dhe partnerët nga shoqëria civile që janë këtu, sidomos Norën, Megin dhe ekipin e Lëvizjes FOL, për përpjekjet tuaja për të vënë dritë për rastet e dhunës në familje dhe në baza gjinore këtu në Kosovë. Puna juaj ka qenë veçanërisht thelbësore gjatë pandemisë kur rastet e dhunës në familje u rritën ndjeshëm në Kosovë, rajon dhe tërë botën.
Vetëdijesimi është vetëm hapi i parë për ndryshimin e kulturës. Kjo kërkon qasje gjithëpërfshirëse të tërë sistemit. Duke pasur këtë parasysh, dëshiroj të përgëzoj Qeverinë e Kosovës për hartimin dhe miratimin e strategjisë kombëtare për luftimin e dhunës në familje dhe për vendimin e kohëve të fundit për t’iu bashkuar Konventës së Stambollit, duke punuar me ngulm për t’i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga ajo.
Natyrisht duhet të punohet ende për tu siguruar që strategjia juaj kombëtare sjell rezultate. Mposhtja e dhunës në familje kërkon shumë më shumë se vetëm ndjekje penale efikase.
Ajo kërkon ndryshim të kulturës dhe qasje gjithë-shoqërore: nga policia që janë të parët në vendin e ngjarjes dhe kryejnë hetimet, prokurorët që e sjellin rastin në gjykatë, gjyqtarët që e gjykojnë rastin dhe e vënë ligjin, mbrojtësit e viktimave që i përfaqësojnë viktimat në çdo hap, individët që ofrojnë shërbime mbështetëse si strehimoret e deri te mediat që e njoftojnë publikun për ato raste.
Po ashtu, urgjentisht nevojitet edhe parandalimi. Konventa e Stambollit kërkon që shtetet të veprojnë për të ndërprerë qarkun e dhunës ashtu që kryesit e veprave të japin llogari dhe të rehabilitohen para se të ri-integrohen në shoqëri.
Si shumë të tjerë, më tronditi rasti i kohëve të fundit i 18-vjeçares Marigona Osmani. Përderisa rasti ende nuk ka përfunduar, po duket se shkelësit recidivistë, të njohur për autoritetet e zbatimit të ligjit, janë përgjegjës për abuzimin e saj të dhunshëm, përdhunimin dhe tentim-vrasjen. Qytetarët meritojnë më shumë: institucionet duhet të sigurohen që të mos i lënë më të dobëtit në baltë.
Ka raste kur dhuna nuk mund të parandalohet. Megjithatë, në ato raste institucionet qeveritare dhe partnerët e shoqërisë civile mund të luajnë rol të rëndësishëm për të përmbushur nevojat e viktimave.
E dimë që këto përpjekje duhet të jenë dhe të udhëhiqen nga Kosova, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju mbështesin. Kjo është ndër arsyet pse ambasada jonë ka punuar për të mbështetur Komisionin për kompensimin e viktimave, tashmë të njohur si prijës në rajon.
Gjithashtu do të vazhdojmë të punojmë me policinë, prokurorinë dhe gjyqtarët jo vetëm për të shtuar efikasitetin, por për t’ju siguruar viktimave kujdes të duhur. Kjo mbështetje përfshin ndihmën për krijimin e sallave më të përshtatshme për intervistimin e viktimave të cenueshme të krimit e deri te trajnimet specifike për mënyrat e reagimit dhe hetimit të atyre rasteve.
Kjo mbështetje është pjesë e qëllimit afatgjatë strategjik të SHBA-së: përderisa Kosova të piqet në partner edhe më të fuqishëm demokratik, institucionet tuaja të sundimit të ligjit iu ofrojnë drejtësi qytetarëve tuaj.
Siç e thashë më parë, testi i njëmendtë i çdo demokracie të pjekur ka të bëjë me mënyrën se si i trajton të dobëtit – duke siguruar që të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh gjininë, prejardhjen, fenë, etninë, orientimin seksual ose çfarëdo veçorie tjetër përkufizuese, kanë qasje të barabartë në drejtësi dhe trajtohen njëjtë nga institucionet e drejtësisë.
Mendoj se është me rëndësi të vihen në pah të arriturat e Kosovës prej ditëve të errëta të 1990-ve. Duhet të kuptojmë trashëgiminë e viteve të Millosheviqit, kur brezit të tërë të kosovarëve iu mohua qasja në drejtësi; kur qytetarëve të mirë iu mohua mundësia për të marrë pjesë në institucione, të cilat do të duhej të mbronin të drejtat e tyre.
Kjo ndryshoi në 1999-n dhe pastaj me pavarësinë e Kosovës. Prej 2008-s, kemi qenë dëshmitarë të themelimit të institucioneve jetike. Është me rëndësi që nganjëherë të ndalemi dhe të kuptojmë këtë përparim të pabesueshëm. Në një kohë relativisht të shkurtë, policia, gjykatat, prokurorët, shërbimi korrektues – të gjitha tani janë institucione kosovare që udhëhiqen nga kosovarët.
Sigurisht që kjo ndodhi me ndihmën ndërkombëtare, por këto të arritura janë tuajat dhe vetëm tuajat.
Njëkohësisht, duhet të kuptojmë se qytetarët presin, kërkojnë dhe meritojnë më shumë. Ata presin që institucionet të kryejnë punën më me efikasitet dhe të japin rezultate. Ata presin që zyrtarët të kenë më shumë integritet. Dhe kërkojnë që zyrtarët të japin llogari kur dështojnë në ndonjërën nga këto gjëra.
Qytetarët meritojnë drejtësi të barabartë pa marrë parasysh kush janë. Kjo është e vërtetë në Kosovë, siç është e vërtetë edhe në SHBA. Qytetarët jo vetëm që duan, po ngulmojnë për procese të drejta e të hapura, të cilave iu besojnë dhe në të cilat mund të llogarisin. Dëshirojnë sistem të përgjegjshëm që iu shërben atyre, e jo elitës politike apo forcave të jashtme.
Dëshiroj t’ju siguroj që Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për ta mbështetur dhe ndihmuar Kosovën përderisa e vazhdoni këtë rrugëtim të vështirë, por thelbësor – duke forcuar më tej ligjet dhe institucionet tuaja për të siguruar që asnjë qytetar nuk mbetet prapa dhe që më të dobëtit mbrohen.
Ju premtoj që:
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin nismat e udhëhequra nga Kosova për të siguruar që të gjitha komunitetet kanë qeverisje përgjegjëse përmes programeve tona ndihmuese për zhvillim dhe trajnim.
Do të vazhdojmë partneritetin me institucionet e Kosovës përderisa punoni për të siguruar që çdo qytetar merr shërbime të drejta, efikase dhe të paanshme dhe që i kupton më mirë të drejtat ligjore dhe procedurat gjyqësore.
Do të vazhdojmë të angazhohemi me organizatat e shoqërisë civile dhe t’i mbështesim që ato të përmbushin rolin e tyre për t’ju kërkuar llogari zyrtarëve dhe për t’ju ndihmuar qytetarëve që të dëgjohet zëri i tyre.
Do të vazhdojmë të angazhohemi me institucionet gjyqësore për t’ju ndihmuar në zbatimin dhe përmirësimin e mekanizmave ekzistues që kërkojnë llogaridhënie përkitazi me integritetin dhe performancën.
Në fund, do të vazhdojmë t’i ndihmojmë institucionet që të gjejnë mënyra të reja novatore për të shtuar efikasitetin e sektorit të drejtësisë. Për shembull, jemi përqendruar në drejtësinë komerciale për të zvogëluar mundësitë për korrupsion në sektorin afarist dhe për të rritur besimin e sektorit privat në sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës.
Siç e dini, ndër prioritetet strategjike të përgjithshme të SHBA-së është që ta shohim një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Sinqerisht, Evropa nuk është e plotë pa një Kosovë të suksesshme dhe që e merr vendin që i takon në atë komunitet. Për këtë arsye ne bashkëpunojmë dhe i bashkërenditim punët aq ngushtë me Bashkimin Evropian, me partnerët evropianë, OSBE-në dhe organizatat tjera ndërkombëtare për t’ia ofruar Kosovës mbështetjen e nevojshme për t’iu afruar të ardhmes së saj evropiane. Kjo është arsyeja pse programet tona kanë dhe do të vazhdojnë të theksojnë miratimin e standardeve evropiane në zbatimin e ligjit, shërbimin korrektues dhe çdo aspekt të sektorit të drejtësisë. Qëllimi është që Kosova të jetë gati kur Evropa të trokasë në dyert e saj.
Ashtu si partnerët tanë evropianë, edhe ne kemi standarde të larta, të cilat Kosova duhet t’i përmbushë. Dhe kur e shohim që Kosova mund të punojë më mirë, sigurisht që e ngremë zërin – së pari privatisht me përgjegjësit, por edhe publikisht kur duhet.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar transnacional vazhdojnë të kërcënojnë përparimin dhe stabilitetin rajonal të Kosovës dhe fqinjëve të saj. Kjo është arsyeja pse presidenti Bajden rishtazi ndërmori hapa përmes Thesarit për vendosjen e sanksioneve për t’ju kërkuar llogari individëve të sanksionuar.
Partnerët tanë evropianë dhe ne shqetësohemi kur institucionet kosovare i shpërfillin vendimet e vlefshme të gjykatës. Sundimi i ligjit nuk duhet të jetë çështje e tekeve politike. Moti ka kaluar koha kur Kosova është dashur të demonstrojë që i respekton institucionet e veta të pavarura të drejtësisë duke siguruar që vendimet e tyre zbatohen plotësisht.
Megjithatë, përfundimisht jam optimist për të ardhmen tuaj. E di se mund të tingëllojë si klishe, por si të mos jesh optimist për Kosovën kur i sheh gjithë këta të rinj këtu?
Më vjen aq mirë që shumë prej jush jeni të përfshirë në shoqëri civile ose po bëheni gati për të ardhme në profesionet ligjore.
Në veçanti, dëshiroj të përmend një grup që është këtu. Gjatë pesë viteve të fundit, Byroja jonë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit ose INL ka mbështetur pjesëmarrjen e një ekipi nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Prishtinës në një ndër garat kryesore të studentëve të drejtësisë në SHBA – Gjyqin e inskenuar Xhesap (Jessup).
Përfaqësimi i Kosovës për çdo vit është përmirësuar. Kemi parë vendosmërinë e pjesëmarrësve për të punuar më shumë, për të mësuar më mirë dhe për të dalë më mirë vitin tjetër. Kjo është arsyeja pse është aq kënaqësi kur mund të raportosh se në garën e këtij viti, tre nga anëtarët e ekipit u emëruan në mesin e 200 prezantuesve më të mirë nga mbi 3000 pjesëmarrës. Dekan Puka, ju dhe kolegët tuaj, si dhe krejt Kosova, duhet të krenoheni shumë me këta studentë.
Ky është vetëm një shembull ndër shumë të tjerë përse Shtetet e Bashkuara inkurajohen nga trajektorja demokratike e Kosovës.
Edhe pse mbetet edhe shumë punë, ju premtoj, nëse vazhdoni në këtë rrugëtim sfidues, por të vlefshëm, vendi që ju takon në institucionet evropiane dhe euro-atlantike është i sigurt. Kosova po ec në atë drejtim. Ky është vizioni dhe dëshira jonë për Kosovën dhe kosovarët.
Ju faleminderit.