Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ngjarjes së dorëzimit të Dërgesës së re të vaksinave përmes mekanizmit Covax, 11 shkurt 2022
Mirëdita. Kam kënaqësinë që jam këtu me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ministrin Latifi, kolegët tanë nga OKB-ja dhe të gjithë juve.
Jam më se i lumtur që po e presim këtë donacion nga SHBA-ja të më shumë se gjysmë milioni të vaksinave të sigurta dhe efektive Pfizer. Kjo është dërgesa e tretë e vaksinave kundër Covid-19 të dhuruara nga SHBA-ja dhe me këtë numri i përgjithshëm i vaksinave që populli amerikan ia ka dhuruar Kosovës arrin në mbi një milion doza.
Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh bilateral i Kosovës i vaksinave kundër Covid-19 prej fillimit të kësaj pandemie. Me donacionin e sotshëm, donacionet nga SHBA-ja mjaftojnë për vaksinimin e mbi 30% të tërë popullatës së Kosovës me dy doza!
Kjo dërgesë, përmes mekanizmit Covax, nismës globale për mbështetje të qasjes në vaksina të sigurta dhe efektive, u mundësua përmes punës së mundimshme të shumë prej jush.
Dëshiroj të falënderoj kolegët nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe të gjithë nga familja e UNICEF-it dhe OKB-së për punën e mundimshme për t’i sjellë këto vaksina këtu, por çka është më e rëndësishme, dëshiroj t’ju falënderoj për përpjekjet tuaja të vazhdueshme për ta luftuar pandeminë nga Covid-i në Kosovë përmes vaksinimit.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjithashtu ia ka dhuruar Kosovës afër 10 milionë dollarë në emër të ndihmës tjetër për luftimin e Covid-19. Përveç vaksinave, ne kemi kontribuar me pajisje mjekësore që shpëtojnë jetë, ndihmë teknike dhe mbështetje tjetër, duke përfshirë përpjekjet e ndërgjegjësimit për luftimin e keqinformimit dhe rritjen e shkallës së vaksinimit.
Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij. Kosova po ec mbarë – më shumë se 40% e popullatës së përgjithshme të Kosovës i kanë marrë dy doza; edhe më shumë qytetarë e kanë marrë dozën e parë. Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë të ultë të hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes. Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj – vaksinohuni – dhe nxitni familjarët dhe miqtë tuaj të bëjnë të njëjtën gjë – lani duart, mbani distancën dhe barteni maskën në mënyrë të duhur. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar këtë pandemi globale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përkushtuara për të punuar me qeverinë e Kosovës për ta luftuar Covid-19.
Bashkë ia dalim!