Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit të projektit Integriteti Komunal në Kosovë

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit të projektit Integriteti Komunal në Kosovë, 27 korrik 2022

Ministër Murati, ministra, kryetarë komunash, kryesues të institucioneve mbikëqyrëse të prokurimit, mysafirë dhe pjesëmarrës të nderuar, mirë se vini!

Kam nderin t’ju pres të gjithëve përderisa shtyjmë përpara zotimin tonë të përbashkët për rritje të llogaridhënies dhe transparencës dhe për zvogëlim të mundësive për korrupsion.

Jemi këtu për të kremtuar punën e përbashkët për përmirësimin e prokurimit përmes aktivitetit të ri të USAID-it Integriteti Komunal në Kosovë. Dhe jam më se i lumtur të shfaqim këtë partneritet në ambasadën e ShBA-së.

Luftimi i korrupsionit mbetet prioritet strategjik i qeverisë së Shteteve të Bashkuara në vend dhe jashtë tij.

Sa me seriozitet e marrim këtë çështje shihet përmes fjalëve të udhëheqësve tanë kryesorë. Presidenti Joe Biden (Xho Bajdën) e ka cilësuar korrupsionin si „kërcënim të sigurisë kombëtare në shekullin XXI”.

Administratorja e USAID-it, Samantha Power (Samantha Pauër) ka thënë se korrupsioni është „Plaçkë që gllabëron përfitimet e zhvillimit global, dëmton më të dobëtit dhe nxit autokracinë”.
Këtu në Kosovë, mbështetja e përpjekjeve kundër korrupsionit është ndër çështjet më me përparësi. Prania juaj këtu e qartëson se është edhe ndër çështjet më me përparësi edhe për juve, si dhe për shumë prej institucioneve publike qendrore dhe komunale të Kosovës, për shoqërinë civile dhe hisedarët e sektorit privat.

Në fakt, Kosova ka përjetuar një rritje të qëndrueshme të vullnetit politik përderisa njerëzit si ju, që kërkojnë ndryshim, kanë dalë në skenë anembanë vendit. Këta kampionë tani shërbejnë si prijës dhe shembuj për të tjerët.

Përpjekjet e shtuara për luftimin e korrupsionit janë evidente në disa mënyra:

o përmes ligjeve, si përmes miratimit njëzëri nga Kuvendi të ligjit që krijoi Gjykatën ekonomike që ua lehtëson punën bizneseve kosovare; dhe
o përmes zotimeve politike të nivelit të lartë, si paralajmërimit të zotimeve kryesore të Kosovës që presidentja Osmani i dha në Samitin për Demokraci në dhjetor 2021: të luftojnë të keqen e korrupsionit.

Puna jonë kundër korrupsionit përfshin disa agjenci qeveritare të ShBA-së dhe ka qenë prioritet me dekada.

Nënshkrimi i marrëveshjes së sotshme pason vite të tëra të punës së USAID-it me partnerë në qeverinë e Kosovës dhe të shoqërisë civile për të nxitur reforma që kanë rezultuar në proces prokurimi shumë më të qasshëm, publik të fuqizuar dhe më të angazhuar, si dhe pranimin se Kosova është flamurtare në rajon dhe anembanë Evropës për çështjet e transparencës dhe efikasitetit në prokurim.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbështesë institucionet kosovare përderisa vazhdojnë punën me këtë momentum dhe mbi të arriturat mbresëlënëse që tashmë janë arritur.

Natyrisht, ende ka mangësi afatgjata që Kosova duhet urgjentisht t’i adresojë për luftimin e korrupsionit. E jemi këtu për tu ri-zotuar ndaj njëri-tjetrit dhe popullit të Kosovës për përpjekjet tona për të kufizuar mundësitë për mashtrim, shpërdorim dhe abuzim në sistemin e prokurimit publik.

Për të arritur ndryshime më të mëdha – dhe më të qëndrueshme – na duhen udhëheqës si ju për të përqafuar reformat si prioritet i lartë. Kjo është arsyeja përse po dokumentojmë këtë përkushtim përmes Marrëveshjeve të Mirëkuptimit të cilat do t’i nënshkruajmë tani.

Në vitet e ardhshme, me mbështetjen tonë, institucionet kosovare do të shtyjnë përpara reformat në prokurimin publik, do të zbatojnë ligjet ekzistuese me rreptësi dhe vazhdimisht dhe do të vendosin mekanizma të fortë për llogaridhënie për të siguruar menaxhim efikas të fondeve publike.

Këto përpjekje për rritjen e llogaridhënies do të trajtojnë mangësitë thelbësore që janë ende në sistemin e prokurimit publik të Kosovës – dhe padyshim do të çojnë në zvogëlimin e mëtejmë të korrupsionit.

Të gjithë duam t’i shohim këto ndryshime. Por, ajo që më së shumti shpresojmë të shohim është çfarë ndikimi do të kenë këto reforma në forcimin e një shoqërie të hapur dhe të fortë demokratike.

Sepse siç ka thënë presidenti Biden: „Demokracia nuk ndodh rastësisht. Duhet ta mbrojmë, të luftojmë për të, ta forcojmë, ta përtërijmë atë”.

Jemi këtu për të mbështetur individët dhe institucionet që çdo ditë punojnë me mund për të mbrojtur dhe forcuar idealet demokratike në Kosovë.

Ekipi im dhe unë jemi të nderuar që punojmë me juve që këto ambicie të bëhen realitet. Ju faleminderit.