Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë mbrëmjes së bamirësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë mbrëmjes së bamirësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, 9 dhjetor 2022

Kam kënaqësi që jam me ju këtë mbrëmje.

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohje organizatorëve të kësaj mbrëmjeje gala për përpjekjet e tyre në mbështetje të Fondacionit të Odës ekonomike amerikane.
Falënderoj Bordin e guvernatorëve, përfshirë presidenten Rudi dhe drejtorin ekzekutiv Zeka, si dhe të gjithë që kanë dhuruar për këto qëllime fisnike për grumbullim të fondeve.

Përmes këtyre përpjekjeve, ju po i jepni prioritet kontributit për komunitetin, veçanërisht përmes ndihmës për nismat edukative, sociale dhe shëndetësore për përmirësimin e jetës së njerëzve këtu në Kosovë.

Si pjesëtarë të sektorit privat në Kosovë, ju luani rol jetik në trajtimin e tri sfidave kryesore të Kosovës: diversifikimit të burimeve të energjisë, fuqizimit ekonomik përfshirës dhe sundimit të ligjit.

Këto janë sfida — por mendoj se mund t’i shohim edhe si mundësi. Në ambasadën amerikane, ne i shohim si prioritete që duhet t’i trajtojmë bashkërisht.

Për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta, na duhet angazhim i vazhdueshëm dhe i fuqishëm i sektorit privat, qeverisë dhe qytetarëve për të gjetur zgjidhje.
Prandaj sonte dëshiroj të marr pak kohë për t’i theksuar mënyrat se si përpjekjet tona të përbashkëta po ndihmojnë për avancimin e qëllimeve tona në këto fusha.

Para disa viteve, ekipi im kreu një studim që gjeti se mungesa e burimeve të sigurta të energjisë në Kosovë iu kushton bizneseve rreth 335 milion euro në vit.
Kjo shifër me siguri vetëm se është rritur në ndërkohë. E këtu vini ju.

Përderisa Kosova – dhe Evropa – përballen me krizë të rreptë të energjisë elektrike, të përkeqësuar nga pushtimi i padrejtë i Ukrainës nga Putini, jemi përqendruar për të mbështetur përpjekjet kosovare për përmirësimin e sigurisë energjetike.

Prandaj, po angazhohemi me tërë sektorin e energjisë të vendit. Përmes USAID-it, por përqendrohemi që të krijojmë mjedis që lehtëson investimet e sektorit privat në burime të ripërtëritshme të energjisë, forcimin e integrimit të Kosovës në tregjet rajonale të energjisë dhe për të ndihmuar në përmirësimin e drejtimit të sektorit të energjisë.

E di se shumë prej jush tashmë keni filluar të investoni në burimet solare – mendojmë se Kosova është gati për më shumë. Investimi në Kosovë ka kuptim. Vendi ka përparësi të qarta gjeografike dhe është pjesë thelbësore për një rrjet energjetik rajonal të lidhur me të gjithë.

Forcimi i opsioneve të Kosovës për energji elektrike do t’i shërbente jo vetëm Kosovës, por edhe rajonit më gjerë.

Por, duhet përmirësim edhe më i mirë i infrastrukturës së energjisë në Kosovë – çështje kjo në të cilën është përqendruar ekipi im nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (KSM).

Investimet e KSM-së përfshijnë bateritë që do të rrisin fleksibilitetin e rrjetit dhe të sigurisë së energjisë duke lehtësuar kalimin në energjinë e ripërtëritshme.
Gjithashtu, ne po investojmë në krijimin e mundësive të reja të trajnimit që do të mbështesin tranzicionin energjetik të Kosovës duke ofruar shkathtësitë që punëdhënësit i kërkojnë në sektorin e energjisë.

Programi gjithashtu ka për qëllim rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin e energjisë duke promovuar praktika të mundësive të barabarta brenda ndërmarrjeve, mundësi trajnimi për gratë dhe ndihmë punëdhënësve në sektorin e energjisë.

Theksi që i vëmë fuqizimin ekonomik të grave është i dukshëm në tërë programet tona në Kosovë.

Unë besoj fort se pjesëmarrja e plotë e grave është thelbësore për ndërtimin dhe mbajtjen e një demokracie të gjallë e përfshirëse.

Të gjithë ne kemi përgjegjësi morale për të shtyrë përpara diversitetin dhe përfshirjen kudo dhe sido që mundemi.

Oda ekonomike amerikane dërgon një porosi të fuqishme dhe të dukshme me zgjedhjen e Afrore Rudit nga Deloitte që shërben si presidentja e parë e Bordit të guvernatorëve në 18 vitet e ekzistencës së OEA-së dhe Jeta Zagragjën si Sekretare të Përgjithshme.

Dhe në zgjedhjet lokale në vjeshtë të 2021-s, pamë që më shumë se 60 për qind e grave u zgjodhën pa u bazuar në kuotë – mjaft mbresëlënëse.

Megjithatë, ka ende shumë punë.

Qofshin në bordet e korporatave, këshillat e qeverisë dhe në partitë politike, nuk është vështirë të paramendohet një tryezë me vendimmarrës që ende mbizotërohet – ose që është ekskluzivisht vetëm me burra.

Është aq e rëndomtë që burrat në mënyrë drastike tejkalojnë numrin e grave sa që, sinqerisht, shpesh as që e vërejmë atë gjë.

Me këtë përfaqësim kaq të pabarabartë nënkuptohet që burrat jo vetëm që formojnë konsensus për vendimet e fundit, por që ata kanë ndikim të tepërt se cilat vendime diskutohen në radhë të parë.

Ky lloj çekuilibri është në kundërshtim me vlerat tona. Diversifikimi i organeve të vendimmarrësve është thelbësor për t’u siguruar që të mos humbasim kontributin kryesor dhe zgjidhje që do të na bëjnë të gjithëve më mirë.

Vendimmarrja përfshirëse mundëson që diskutimet të marrin parasysh më shumë çështje dhe këndvështrime. Duhet të luftojmë që kjo të jetë e zakonshmja e re.

Fuqizimi ekonomik i grave dhe vendosja e tyre në qendër të zgjidhjeve është një imperativ moral – dhe ka kuptim të mirë ekonomik.

Një numër në rritje i hulumtimeve tregon se rritja e pjesëmarrjes ekonomike të grave përmirëson ekonomitë kombëtare, rrit produktivitetin e familjes dhe standardet e jetesës, rrit mirëqenien e fëmijëve me ndikime pozitive afatgjata dhe ndihmon në rritjen e aftësisë dhe fuqizimit të përgjithshëm të grave.

Ne fokusohemi në këtë potencial në Kosovë përmes programeve që ndihmojnë në zgjerimin e vetëdijes dhe qasjes në pronë, si dhe pajisjen më të mirë të bizneseve në pronësi të grave për qasje në financa.

Këto programe ndihmojnë për të siguruar që hyrjet e mundshme në fuqinë punëtore i kanë aftësitë që u nevojiten për të pasur sukses – dhe të punësohen nga ju!
Por ne mund t’i realizojmë këto përfitime ekonomike për të gjithë vetëm nëse trajtojmë pengesat rrënjësore për prosperitetin ekonomik.

Një ndër këto pengesa është korrupsioni. Luftimi i korrupsionit është prioritet kryesore strategjik i qeverisë së Shteteve të Bashkuara në vend dhe jashtë tij.

Një indikacion se sa me seriozitet e marrim këtë pasqyrohet përmes fjalëve të udhëheqësve tanë kryesorë. Presidenti Biden (Bajden) e ka cilësuar korrupsionin si „kërcënim të sigurisë kombëtare në shekullin XXI’.

Këtu në Kosovë, i tërë misioni ynë është i përfshirë në luftimin e korrupsionit.

Për shembull, Aktiviteti i USAID-it për Integritetin Komunal të Kosovës synon të parandalojë mundësitë për mashtrim, shpërdorim dhe keqpërdorim në sistemin e prokurimit publik dhe të ndihmojë qytetarët dhe komunat të reagojnë më mirë kur konstatohen anomali.

Do të vazhdojmë të mbështesim institucionet kosovare përderisa vazhdojnë punën me këtë momentum dhe mbi të arritura mbresëlënëse që tashmë i kanë arritur.

Natyrisht, ende ka mangësi afatgjata që Kosova duhet urgjentisht t’i adresojë për luftimin e korrupsionit.

Si organizata kryesore e biznesit në Kosovë, OEA-ja është në pozicion të mirë për të përfituar nga reformat historike të sundimit të ligjit në Kosovë duke thelluar lidhjet e biznesit dhe tregtisë ndërmjet dy vendeve tona dhe duke avancuar vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë të begatshme.

Ndërmarrjet amerikane janë ndër më të njohurat në botë për përgjegjësi të korporatave. Ato ndjekin praktikat më të mira në transparencë, novacion, marrëdhënie me punonjësit dhe filantropi. Në fund të fundit, këto kompani amerikane duan të investojnë në tregje ku mund të konkurrojnë në një fushë loje të barabartë, pa korrupsion dhe ku e dinë se investimet e tyre do të mbrohen.

Kjo është arsyeja pse kemi bashkëpunuar me Kosovën për të ndihmuar në ngritjen e Gjykatës Ekonomike – në mënyrë që të gjithë të keni qasje tek ekspertët ligjorë me përvojë të përfshirë në zgjidhjen e çështjeve shqetësuese kur ju nevojiten më shumë.

Pra, edhe një herë, ju falënderoj për gjithçka që po bëni për të ndihmuar që t’i çoni përpara këto prioritete të përbashkëta dhe për avancimin e vizionit tonë për prosperitetin e vazhdueshëm dhe të zgjeruar ekonomik të Kosovës.

Ky vizion është i një Kosove që e ka vënë në punë plotësisht potencialin e saj – pavarësisht nëse po flasim për energjinë, punësimin e të rinjve, përfshirjen e grave dhe pakicave apo adresimin e çështjeve të korrupsionit sistematik.

Ju faleminderit.