Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Mbrëmjes festive me rastin e 25-vjetorit të KosovaPress

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Mbrëmjes festive me rastin e 25-vjetorit të KosovaPress, 7 shkurt 2024

Zyrtarë të qeverisë, kryesues i KosovaPress-it Krasniqi, miq nga mediat, mysafirë të nderuar:

Dëshiroj t’ju bashkohem folësve të mëparshëm për t’ju uruar mirëseardhje të ngrohtë në Kosovë të gjithëve që përfaqësoni Konferencën Ndërkombëtare të agjencive të lajmeve në Evropë.

Vizita juaj në Kosovë, posaçërisht të mbledhur nën temën „Kufijtë e lirisë së shprehjes”, ka rëndësi të posaçme meqenëse jemi mbledhur për të festuar dhe shprehur mirënjohjen përparimit të pabesueshëm që sektori i mediave në Kosovë ka arritur gjatë 25 viteve të shkuara.

Dëshiroj të theksoj diçka që e kam thënë shumë herë: Shtetet e Bashkuara e shohin shtypin e lirë, të gjallë si pjesë themelore të një shoqërie demokratike.

Në vitin 1787, Tomas Xheferson, njëri ndër etërit themelues të Shteteve të Bashkuara, shkroi:

„Po të varej nga unë vendimi a do të duhej të kemi qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, nuk do të ngurroja asnjë çast të preferoja të dytën”.

Çka dëshironte të thoshte ai: shtypi, i ashtuquajturi pushteti i katërt, është më i rëndësishëm se qeveria.

Dhe që nga koha e Xhefersonit e deri tani, e vërteta mbetet që gazetaria e pavarur është gur-themel i çdo demokracie të lulëzuar.

Shtypi i pavarur i fuqizon qytetarët.

Iu mundëson atyre të kuptojnë forcat që formojnë jetën e tyre dhe të marrin vendime të informuara.

Nxit angazhim domethënës qytetar – nga angazhimi politik në nivel qendror e deri te qasja në komunitet dhe përfshirja në nivel lokal.

Përderisa festojmë sukseset e agjencisë kryesore të lajmeve të Kosovës, KosovaPress, dëshiroj të theksoj përparimin e jashtëzakonshëm të Kosovës në 25 vitet e fundit.

Ndërsa Kosova doli nga fushata brutale e spastrimit etnik të Millosheviqit, populli kosovar u ballafaqua me detyrën e ndërtimit të institucioneve nga themeli.

E këtu përfshihej edhe sektori i mediave.

KosovaPress u themelua në janar të vitit 1999 dhe për muaj të tërë – gjatë konfliktit – veproi në një vend të largët në malet në Kosovën qendrore.

Në vazhdën e represionit të tmerrshëm, kishte pak media lokale dhe ato u përballën me sfida të rëndësishme në kryerjen e detyrave të tyre bazë të raportimit.

Shumë kosovarë vareshin nga transmetuesit ndërkombëtarë, madje edhe për lajmet vendore.

Por, të shohim si është gjendja tash.

Kosova ka një industri jashtëzakonisht aktive të lajmeve që është e qëndrueshme dhe përballon rritjen e institucioneve të saj.

Mediat kosovare kishin përgjegjësinë e madhe – dhe privilegjin – për të dokumentuar formimin e një shteti të ri, pasi Kosova doli nga represioni dhe kaloi përmes administrimit të OKB-së dhe procesit të pavarësisë së mbikëqyrur përpara se të realizonte vizionin e saj: atë të një demokracie plotësisht të pavarur, sovrane dhe shumetnike.

Gazetarët kosovarë vazhdojnë të punojnë pareshtur në kërkim të përmirësimit të sektorit të gazetarisë dhe për të siguruar që çdo qytetar ka qasje në informacione të sakta.

Më duhet të pranoj se shpesh zhgënjehem që Kosova nuk ka më gazeta të shtypura në qarkullim.

Por, kjo vetëm ilustron se jeni para kohës.

Duke përqafuar plotësisht mediat digjitale dhe sociale, Kosova jo vetëm që u përshtat me të ardhmen; po i hap rrugën edhe qarqeve të tjera që ta bëjnë këtë.

Kosova ka një nga normat më të larta të penetrimit të internetit në Evropë.

Pra, edhe pa gazeta të shtypura, qytetarët kosovarë në skajet më të largëta të vendit mund t’i marrin lajmet e tyre menjëherë.

Dhe KosovaPress-i i ka prirë kësaj përpjekjeje.

Përpjekjet e palodhshme të kryesuesit Krasniqi, drejtorit të përgjithshëm Gashi dhe zëvendës-drejtorit Hashani kanë qenë thelbësore për të na bërë bashkë sonte.

I përgëzoj ata për punën e palodhshme për të sjellë në këtë konferencë përfaqësues të agjencive të lajmeve nga e tërë Evropa.

Kjo përpjekje tregon përkushtimin e tyre për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin e mediave.

Prania juaj këtu thekson rëndësinë e kësaj konference si platformë për diskutime gjithëpërfshirëse rreth sfidave me të cilat përballemi për ruajtjen dhe mbrojtjen e lirisë së shtypit – jo vetëm në Kosovë, por edhe në rrafshin rajonal dhe global.

Edhe pse ngjarja e sotshme është festë, e di se nesër keni rend të ditës të ngjeshur.

Prandaj, përderisa përgatiteni për diskutimet tuaja, të cilat shpresoj t’i dëgjoj, dëshiroj ta përfundoj duke i shprehur disa mendime.

Jeni këtu për të folur për sfidat ndaj lirisë së shtypit në të ardhmen.

Dhe shpresoj që do të keni mundësi të diskutoni edhe për strategjinë se si të mbrohet dhe promovohet shtypi i lirë dhe i pavarur.

Qëllimet tuaja për ditët në vijim janë ambicioze, por i shoh edhe si thelbësore:

  • Promovimi i bashkëpunimit ndërkombëtar;
  • Forcimi i kapaciteteve të gazetarisë; dhe
  • Shfaqja e rrëfimeve të suksesit.

Përderisa mendoni për këto tema, dëshiroj të theksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnere juaja në adresimin e këtyre sfidave.

Dhe përderisa ia filloni punës në konferencën e parë të këtij lloji në Kosovë, jam i bindur se diskutimet tuaja gjatë ditëve të ardhshme do të jenë domethënëse dhe do të nxisin opinione të ndryshme.

Shpresoj që këto diskutime të hapin rrugën për një të ardhme në të cilën pena mbetet më e fuqishme se çdo shpatë dhe në të cilën liria e shprehjes vërtet nuk njeh kufij.

Urime KosovaPress-it dhe partnerëve tuaj për tërë punën e arritur gjatë çerekshekullit të shkuar.

E di se jeni në rrugë të mbarë për suksese të tjera në vitet e ardhshme.

Dhe shpresoj të vazhdojmë partneritetin për avancimin e vizionit tonë të përbashkët për pushtet të katërt të fortë dhe të pavarur në Kosovë.

Ju faleminderit.