Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Kuvendit të Përgjithshëm të Odës Ekonomike Amerikane, 20 janar 2022
Arian, ju faleminderit për prezantimin, si dhe më gjerësisht, ju faleminderit për udhëheqjen tuaj si Drejtor ekzekutiv. Gjithashtu, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia dhe të qeverisë sime ndaj Ilir Ibrahimit për punën e tij si kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane. Sapo kam ardhur dhe nuk kam pasur shumë rastin që të përjetoj udhëheqjen tuaj, e kuptoj se ju keni sjellë energji, kreativitet dhe pragmatizëm në këtë detyrë.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane për ftesën për të folur sonte. Më vjen keq që për shkak të gjendjes së tanishme me Covid, po ju flas në mënyrë virtuale e jo personalisht. Ju kërkoj mirëkuptim dhe mirëpres mundësinë për tu angazhuar me të gjithë ju drejtpërdrejtë për avancimin e agjendës sonë të prioritetit për të nxitur tregti dhe begati për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Veçanërisht jam i lumtur që e kam mundësinë t’ju flas në javët e para si ambasador në Republikën e Kosovës. Ndër prioritetet e mia kryesore janë forcimi dhe thellimi i lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve komerciale, që do të sjellin begati më të madhe për amerikanët dhe kosovarët.
Dëshiroj ta përgëzoj Bordin e tanishëm të Guvernatorëve për vit të suksesshëm me veprimtari e Bordit të ri ju uroj vit produktiv. Ju lutem, njoftoni ekipin tim, veçanërisht Valerie Tucker-in, e cila shërben si përfaqësuese e ambasadës në Bord, se si mund t’ju mbështesim përderisa avokoni për interesat e komunitetit afarist.
Viti 2021 ishte vit i mbarë për ekonominë kosovare. Siç e dimë të gjithë, sektori privat është shtytësi kryesor i rritjes ekonomike. Në takimet e mia me Qeverinë e Kosovës, e kam ndërmend të theksoj rëndësinë e një sektori privat dinamik dhe të gjallë. Gjithashtu, do ta theksoj nevojën për të forcuar dialogun me komunitetin afarist dhe për të shfrytëzuar për së mbari fuqinë investuese të diasporës. Përderisa sektori privat është i shkëlqyeshëm në përmbushjen e shumë qëllimeve, është me rëndësi që të tërhiqesh nga disa sektorë të ekonomisë dhe të lësh sektorin privat të bëjë atë që dijë të bëjë më së miri.
Një ndër prioritetet kryesore të ambasadës sonë ka të bëjë me mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik. Kosova si e vetme përbën treg të vogël, por ka potencial që të jetë qendër për tregti dhe investime në Evropën Juglindore. Ne i mbështesim nismat që mundësojnë tregti më efikase ndërkufitare dhe që qojnë drejt një ekonomie kosovare më konkurruese dhe më përfshirëse. Transparenca, efikasiteti dhe llogaridhënia në institucionet publike krijon një mjedis të favorshëm për lulëzimin e biznesit privat.
Në anën tjetër, sfidat e sundimit të ligjit dhe paqëndrueshmëria e perceptuar politike pengojnë klimën e investimeve në Kosovë. Bizneset vendore dhe investitorët e huaj duhet të dinë që nuk do të humbasin kohë të çmueshme dhe para në sistem gjyqësor joefikas, që prodhimtaria nuk do të ketë pengohet për shkak të ndërprerjes së rrymës elektrike dhe që infrastruktura thelbësore mbrohet nga kërcënimet kibernetike.
Ekipi ynë po punon me mund për të mbështetur drejtësinë komerciale, sigurinë dhe diversifikimin e sistemit energjetik dhe në sigurinë kibernetike për të mundësuar parashikueshmëri dhe transparencën e domosdoshme që sektori privat të lulëzojë.
Rimëkëmbja ekonomike dhe sociale nga Covid-19 është në vëmendjen e të gjithëve. Ekonomia e Kosovës është treguar mjaft e qëndrueshme gjatë pandemisë, por përderisa rindërtojmë më mirë, ju e keni mundësinë për të riformësuar ekonominë në një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe më të shkathtë. Merrni parasysh larminë dhe përfshirjen e personelit tuaj dhe cenueshmërinë e zinxhirit tuaj të furnizimit ndaj goditjeve si krizat e shëndetit publik dhe të ndryshimeve klimatike.
E përderisa po flasim për Covid-19, varianti Omikron është i pranishëm dhe po përhapet me të shpejtë në Kosovë. Promovimi dhe zbatimi i masave parandaluese si mbajtja e maskës, distancës shoqërore dhe vaksinimit në mesin e stafit dhe konsumatorëve tuaj është në interesin tuaj. Bizneset tuaja kanë rol në mbrojtjen e komunitetit dhe njerëzit e shëndetshëm krijojnë tregje të shëndetshme.
Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot. Mirëpres mundësinë për tu njoftuar me të gjithë ju dhe ju uroj vit të suksesshëm.