Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Kongresit Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, 8 dhjetor 2022
Kryetar i Kuvendit Konjufca, ambasador Dietz, ambasadore e vullnetit të mirë Shala, mysafirë të nderuar, kam nderin që jam me ju në Kongresin Botëror për Personat me aftësi të kufizuara.
Ky kongres po mbahet në muajin e fundit të vitit 2022, i shpallur nga Kosova si „Viti i personave me aftësi të kufizuara”.
Javën e shkuar shënuam Ditën Ndërkombëtare të Personave me aftësi të kufizuara të 2022-s. Tema e asaj dite ishte: „zgjidhjet transformuese për zhvillim përfshirës: roli i novacionit në nxitjen e një bote më të qasshme dhe me mundësi të barabarta”.
Më vjen mirë që sot dhe nesër njerëzit e mbledhur në këtë sallë do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe do të mësojnë nga njëri-tjetri.
Ne e kemi një qëllim të përbashkët për t’ju ndihmuar personave me aftësi të kufizuara në Kosovë që të jetojnë jetën me dinjitet, të integruar plotësisht dhe me të drejta të barabarta në shoqëri.
Administrata Biden-Harris është ri-zotuar të zbatojë Ligjin për Amerikanët me aftësi të kufizuara, i cili ishte bashkë-hartuar nga presidenti Biden më shumë se 30 vjet më parë kur ishte senator.
Ndër gjërat që presidenti Biden i ka bërë për ta ngritur profilin e këtyre çështjeve është emërimi i Sara Minkara-s si Këshilltare e Posaçme për të Drejtat Ndërkombëtare të Personave me aftësi të kufizuara. Ajo është në krye të strategjisë gjithëpërfshirëse të Departamentit të Shtetit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara anembanë botës.
Ajo po punon drejt përgjegjësisë së përbashkët me bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, përfshirë qeveritë, OJQ-të, aktorët nga shoqëria civile dhe të tjerët, për avancimin dhe integrimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, mundësi të barabartë, qasje dhe përfshirje.
Në mbështetje të këtyre përpjekjeve, Shtetet e Bashkuara i nxisin qeveritë për miratimin dhe zbatimin e ligjeve dhe politikave kombëtare. Ne jemi të zotuar për nxitjen e llogaridhënies dhe ndërtimit të kapaciteteve, si në vendin tonë, ashtu edhe nëpër botë, për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në tërë diversitetin e tyre.
Gjithashtu, jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara në vendet që janë duke përjetuar krizë përmes veprimeve për planifikim të krizave, reagimit dhe reformë që janë përfshirëse nga aspekti i aftësive të kufizuara.
Sot, dëshiroj që për një çast të shprehur mirënjohjen për vlerën e qenësishme të personave me aftësi të kufizuara si individë dhe për të pranuar vlerën kolektive të kontributit të tyre dhe pjesëmarrjes së tyre në shkolla, vende të punës dhe komunitetet kudo.
Duhet të hedhim poshtë narrativën që anashkalon personat me aftësi të kufizuara.
Ne promovojmë qasje përfshirëse bazuar në vlera dhe po ndërmarrim veprim për të zëvendësuar narrativat tepër të zakonshme të bamirësisë apo të keqardhjes që nënvlerësojnë personat me aftësi të kufizuara dhe zbehin mediumin e tyre.
Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së, të rinjtë nga Gjakova i prinë një nisme për rritjen e angazhimit të të rinjve, përfshirë edhe atyre me aftësi të kufizuara.
Ata krijuan Grupin për mbështetje të homologëve që përfshinte të rinjtë me aftësi të kufizuara, zhvilluan një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe organizuan turne basketbolli për personat që përdorin karrocë invalidësh në komunitetin e tyre.
Gjithashtu, ne po përqendrohemi edhe në qasjen në shërbimet e qeverisë. USAID-i iu ka ndihmuar personave e shurdhët për qasje në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Të gjitha gjykatat tani janë të pajisura me tableta që sigurojnë interpretim me pamje në gjuhën me shenja.
Kjo paraqet vetëm një nga zgjidhjet novatore, që përfshin edhe shtigje me prekje për të verbrit dhe vende për parkim për personat me aftësi të kufizuara, që është veçori e re për gjykatat e Kosovës.
Po ashtu, po përkrahim Agjencinë për ndihmë juridike falas për rritjen e vetëdijes së publikut për shërbimet juridike falas përmes komunikimit përfshirës dhe të specializuar në gjuhën e shenjave dhe alfabetin e Brajit.
Ka shumë zgjidhje në dispozicion për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara. Shpresoj që do ta shfrytëzoni këtë Kongres për të shkëmbyer rrëfimet e suksesshme, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.
Do të theksoj se qeveria ime mund të ofrojë si shembull kornizën legjislative të Ligjit për Amerikanët me aftësi të kufizuara, si dhe Urdhrin Ekzekutiv të presidentit Biden për avancimin e diversitetit, mundësive të barabarta, përfshirjes dhe qasjes brenda fuqisë punëtore të qeverisë së SHBA-së.
Këto dokumente janë burime të hapura që vendimmarrësit dhe politikë-bërësit mund t’i përdorin dhe t’ua përshtatin konteksteve dhe qëllimeve të tyre për të çuar përpara praktikat përfshirëse në komunitetet e tyre.
Më vjen mirë që po i shoh kaq shumë njerëz këtu të angazhuar për këto çështje me rëndësi. Shpresoj të dëgjoj për diskutimet produktive që do t’i keni gjatë dy ditëve të ardhshme sepse përkundër gjithë punës së mirë dhe përparimit të arritur, ende jemi larg.
Jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe mbështetjen e komuniteteve në Kosovë dhe anembanë botës në përpjekje për shoqëri më përfshirëse.
Ju faleminderit.