Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë konferencës „Zero Kibernetika”, 26 janar 2023
Mirëmëngjesi. Faleminderit për prezantimin. Kam kënaqësinë që jam këtu për të hapur konferencën „ Zero Kibernetika”.
Më inkurajon fakti që po e shoh këtë sallë plot me kosovarë të motivuar, që përfaqësojnë prejardhje dhe përvoja të ndryshme.
Në mesin e pjesëmarrësve kemi përfaqësues të mediave, shoqërisë civile, sektorit të TIK-ut, komunitetit të hakerëve etikë dhe qeverisë.
Përmes mbështetjes së kësaj konference, ne synojmë të ndihmojmë në krijimin e një mjedisi dhe hapësire ku mund të flisni me njëri-tjetrin, të shkëmbeni ide dhe praktikat më të mira, si dhe të zhvilloni zgjidhje novatore ndaj sfidave dhe çështjeve të ngutshme lidhur me sigurinë kibernetike.
Të gjithë që jeni këtu keni interesa të përbashkëta.
Dhe çdonjëri nga ju sillni këtu prejardhje dhe shkathtësi të larmishme.
Ju nxis të shfrytëzoni shkathtësitë dhe përvojat tuaja të ndryshme dhe këtë konferencë si mundësi për bashkëpunim.
Të shfrytëzoni talentin tuaj për të dhënë kontribut që forcon sigurinë e Kosovës.
Të punoni bashkërisht për avancimin e demokracisë dhe mundësive ekonomike të Kosovës, dhe
Të riafirmoni përmes veprimeve dhe bisedimeve tuaja rëndësinë e lirisë së shprehjes, transparencës dhe rrjedhës së lirë të informacionit.
SHBA-ja ka ndihmuar duke sponsorizuar këtë konferencë sepse jemi të përkushtuar në mbështetjen e mediave të pavarura si dhe të shoqërisë civile, dhe
Sepse ne e konsiderojmë lirinë e fjalës dhe të shprehjes si të drejtë themelore, të domosdoshme për avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përparimit ekonomik.
Jemi të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën që të shfrytëzojë burimin e saj më të madh – të rinjtë e saj – dhe që të përfshijnë ekspertizën e tyre në kibernetikë.
E di se shumë prej jush identifikoheni si „hakerë etikë”.
Në përpjekje për të gjetur dobësitë në mesin e institucioneve mediatike, ju ndihmoni në identifikimin e shkeljeve të mundshme të sigurisë dhe i ndihmoni këto organizata që të forcojnë mbrojtjen e tyre që informacioni të rrjedhë në mënyrë të sigurt.
Për herë të parë kjo konferencë u mbajt para dy viteve sepse pamë që aktorët dashakeqës po i piketonin gazetarët, entitetet mediatike dhe shoqërinë civile me sulme kibernetike shumë më të shpeshta.
Qoftë nëse këta aktorë dëshironin të pengojnë pavarësinë editoriale të një mediumi apo të përfitonin financiarisht, në disa raste ata arritën t’iu qasen informatave të besueshme, t’i identifikojnë burimet dhe rrjedhimisht të shkatërrojnë besueshmërinë e gazetarëve.
Në vitin e parë të nismës, u mahnita kur mësova se pjesëmarrësit identifikuan më shumë se 180 pika të dobëta në dhjetë organizata mediatike.
Më vjen mirë që këtë vit fushëveprimi i kësaj përpjekjeje është zgjeruar për të përfshirë edhe shoqërinë civile, si dhe entitetet mediatike dhe që e keni dyfishuar numrin e pjesëmarrësve.
Prej shtatorit, ju keni zbuluar edhe 57 mangësi, shumica e të cilave ishin kritike dhe mund të shfrytëzoheshin për të censuruar lirinë e shprehjes.
Këto dobësi mund të sjellin humbje të të dhënave, qasje të paautorizuar, rrjedhë të fjalëkalimeve dhe informata që nuk vihen në dispozicion të publikut.
Dëshiroj t’i nxis mediat që janë këtu sot të shfrytëzojnë këtë mundësi për të reflektuar se ku ndoshta ju duhet të përforconi mbrojtjen kibernetike dhe të merrni këshilla e mbështetje nga ekspertë teknikë.
Kurse, ekspertëve teknikë që janë në audiencë – qofshi profesionist i TIK-ut apo „haker etik” – ju faleminderit për ekspertizën që e sillni dhe për njohurinë që e zbatoni për një qëllim të admirueshëm.
Në emër të ambasadës së SHBA-së, njëmend shpresojmë që konferenca e sotshme do të sjellë bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet sektorëve të TIK-ut, mediave dhe shoqërisë civile.
E shohim këtë energji, bashkëpunim dhe gatishmëri për të punuar bashkërisht dhe për novacion si përparësi dhe vlerë që dy shoqëritë tona e kanë.
Ne besojmë se duke shfrytëzuar larminë tonë dhe duke kuptuar vlerën që na e japin përvojat e ndryshme, atëherë jemi më të fortë si komunitet dhe shoqëri.
Jam i bindur se bashkëpunimi dhe trajnimi i ndërsjellë do të kontribuojë në sigurinë e Kosovës, si dhe për suksesin e saj ekonomik.
Mirëpres mundësinë për të dëgjuar për rrëfimet e suksesit përderisa ‘hakoni’ për të mbrojtur gazetarët e pavarur të Kosovës dhe për të ndërtuar njohuri të përbashkët në këtë sferë kritike të jetës bashkëkohore.
Ju faleminderit.