Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, 11 shkurt 2022
Kryeprokuror i Shtetit Lumezi, ju faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të folur gjatë konferencës vjetore të prokurorëve. Juve dhe ekipin tuaj ju përgëzoj për gatishmërinë dhe kreativitetin për të mbajtur këtë konferencë në mënyrë të përzier: me prani fizike dhe virtuale.
Prokurorëve të Republikës së Kosovës: dëshiroj t’ia filloj duke ju falënderuar për përkushtimin tuaj për t’i shërbyer publikut. Kam nderin që po flas me juve për t’i ndarë disa mendime rreth rëndësisë së punës suaj dhe prioriteteve tona të përbashkëta.
Shumë prej jush mund ta dini që kam histori të gjatë të punës në çështjet e Kosovës dhe të përfaqësimit të prioriteteve strategjike të SHBA-së në rajon. Gjatë këtij muaji prej kur kam ardhur, jam inkurajuar që e kam parë sa shumë kanë përparuar kosovarët në arritjen e vendosjes së një sistemi të fortë të sundimit të ligjit. Në një kohë relativisht të shkurtër, ju keni ndërtuar një kornizë ligjore të sofistikuar, keni përmirësuar qasjen në drejtësi, keni zvogëluar numrin e lëndëve të vjetra dhe në mënyrë pro-aktive keni ndihmuar viktimat për të përfituar kompensim për dëmet.
Gjithashtu, ju keni përmirësuar disiplinën e brendshme dhe sistemet e vlerësimit të performancës, një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një kulture llogaridhënie dhe profesionalizmi.
Por, ende mbetet punë, sidomos në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Mbajtja nën kontroll e korrupsionit forcon sundimin e ligjit duke kontribuar në stabilitet, të drejtat e njeriut dhe demokraci. Kjo gjithashtu nxit rritjen ekonomike dhe ofron mundësi të barabartë për bizneset.
Po aq e rëndësishme, vështirëson mundësitë për veprim të atyre personave të përfshirë në veprimtari kriminale transnacionale, terrorizëm dhe tregti të paligjshme. Opinioni publik ka besim të madh në ju dhe ju nxis që në bashkëpunim me policinë, t’i ndërmerrni të gjitha hapat e domosdoshëm për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, luftimi i korrupsionit kërkon prokurorë që veprojnë me standardet më të larta etike – shërbyes publikë, të cilët refuzojnë të bëjnë kompromise të pajustifikuara.
Kërkon standard të lartë të sjelljes, profesionalizëm, drejtësi dhe paanshmëri. Indiferenca institucionale ndaj korrupsionit çel rrugën për të lejuar rritjen e korrupsionit.
Presidenti Biden ka thënë: „Luftimi i korrupsionit nuk është vetëm qeverisje të mirë. Është vetëmbrojtje. Është patriotizëm dhe është thelbësor për ruajtjen e demokracisë dhe ardhmërisë sonë”.
Korrupsioni është kancer që jo vetëm varfëron qytetarët e rëndomtë, por prish besimin e qytetarëve në qeveritë demokratike. Duhet të përballeni drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe të ndani resurset e domosdoshme për të bërë ndryshim të njëmendtë.
Si prokurorë, është me rëndësi që të shërbeni si shembull, duke vendosur standardet më të larta në krejt çka bëni, si në gjykatë, ashtu edhe jashtë gjykatës.
Pikërisht tani, para jush është një proces i rëndësishëm: përzgjedhja e Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit. Është me rëndësi që Këshilli Prokurorial i Kosovës të mbajë proces të përzgjedhjes të drejtë, të hapur dhe bazuar në merita. Kjo do të forcojë besimin e publikut në Kryeprokurorin e Shtetit, si dhe në integritetin e procesit të përzgjedhjes. Këta hapa të domosdoshëm gjithashtu do të ndërtojnë edhe më tej besimin e publikut në sistemin prokurorial.
Gjithashtu, kam kuptuar se sot pasdite do të diskutoni edhe për një çështje tjetër të rëndësishme me të cilën përballet Kosova: dhunën në familje.
Disa njerëz, këtu e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendojnë se dhuna në familje është çështje private familjare, ku as shteti e as organet e zbatimit të ligjit nuk duhet të ndërhyjnë. Asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës.
Dhuna në familje shkel të drejtat themelore të njeriut të viktimave, shkatërron familje dhe shpesh përfundon në lëndime të rënda ose vdekje.
Ju përgëzoj për hapat që i keni marrë për të trajtuar dhunën në familje në mënyrë më energjike dhe për të ofruar shërbime jashtëzakonisht të nevojshme për viktimat. Megjithatë, siç e dini të gjithë, kemi parë edhe raste të neglizhencës dhe joprofesionalizmit që përfunduan me pasoja tragjike. Ju sfidoj që të mbani përgjegjës shkelësit, sistemin dhe njëri-tjetrin. Duke vepruar kështu, ju i tregoni komunitetit se dhuna në familje nuk do të tolerohet dhe se të gjithë do të japin llogari.
Shpresoj që do ta mbani në mend që ju – prokurorët – luani rol thelbësor në formësimin e së ardhmes së vendit tuaj. Ju keni një masë të madhe kontrolli mbi jetën, lirinë dhe reputacionin. Ju nxis që gjithmonë të keni parasysh mandatin tuaj – të kërkoni drejtësi të barabartë pa frikë, pa favore, dashamirësi ose keqdashje. Mandati juaj nuk është që me çdo kusht të merrni dënime ose dënimin më të gjatë të mundshëm me burg. Në të vërtetë, një prokuror etik dhe efektiv synon të kërkojë drejtësinë dhe të vërtetën dhe t’i shërbejë ligjit. Nëse ky është parimi juaj udhëzues, atëherë nuk mund të gaboni.
Në fund, shpresoj që do ta mbani mend se nuk jeni vetëm në këtë luftë. Forcimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe ndihma në trajtimin e disa prej problemeve më të përhapura, siç është korrupsioni, është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ekipi im do të vazhdojë t’ju mbështesë dhe t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja për forcimin e sundimit të ligjit. Pres me padurim vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.
Ju faleminderit shumë.