Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Javës së Gruas, 15 mars 2022
Presidente Osmani, kryeministër Kurti, z. Krasniqi, z. Abdixhiku, z. Haradinaj, mysafirë dhe pjesëmarrës të nderuar, kam nderin që jam këtu.
Faleminderit Nancy (Nensi) për prezantimin e sjellshëm, si dhe falënderoj ekipin e IDK-së që na mblodhën sot. Ambasada është krenare për partneritetin tonë të gjatë me IDK-në, si dhe me gratë e burrat e Kosovës për avancimin e barazisë gjinore dhe të mundësive të barabarta në institucionet politike të Kosovës.
Veçanërisht më vjen mirë që kam mundësinë për të marrë pjesë në këtë Javë të Gruas sepse tema e këtij viti – Përse është e rëndësishme demokracia përfshirëse – rezonon fuqishëm te unë dhe është prioritet i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Unë besoj thellësisht se pjesëmarrja e plotë e grave në jetën publike është thelbësore për ndërtimin dhe mbajtjen e një demokracie të gjallë e përfshirëse. Të gjithë ne kemi përgjegjësi morale për të shtyrë përpara diversitetin dhe përfshirjen kudo dhe sido që mundemi.
Në këtë dhjetëvjetor të Javës së Gruas, ne festojmë përparimin mbresëlënës të Kosovës për rritjen e numrit të udhëheqëseve politike. Për arritjen e këtij përparimi duhet t’ju falënderojmë shumë prej jush që jeni të pranishëm këtu. Me ne janë disa prej avokuesve më të fuqishëm të Kosovës, aktivistë të përbetuar dhe mbështetës të përkushtuar të të drejtave të grave dhe udhëheqjes politike.
Dhjetë vjet më parë, IDK-ja krijoi programin e Javës së Gruas si platformë për fuqizimin e udhëheqëseve me shkathtësi për të marrë pozita më të larta të udhëheqjes. Prej atëherë, afër 900 veta janë trajnuar për komunikim publik, përafrim me zgjedhësit, zbatimin e fushatës zgjedhore dhe çështje tjera.
Pjesëmarrëset në Javën e Gruas kanë vazhduar përpara duke luajtur rol thelbësor në tërë Kosovën në parti politike, media dhe shoqëri civile. Më shumë se 100 pjesëmarrëse kanë garuar në zgjedhje dhe të paktën 18 janë zgjedhur në pozita zyrtare.
Kur shikojmë përreth shohim dëshmi të ndryshimeve në politikë – inkurajohemi nga zgjedhja e presidentes së dytë të Kosovës, emërimi i dy zëvendës-kryeministreve, emërimi i grave në një të tretën e pozitave në kabinetin e tanishëm dhe si kryesuese të tetë nga 14 komisionet parlamentare.
Në zgjedhjet lokale në vjeshtë të 2021-s, pamë që më shumë se 60 për qind e grave u zgjodhën pa u bazuar në kuotë. Kjo është mbresëlënëse.
Dhe po fillojmë të shohim më shumë kandidate për pozita të kryetares së komunës, më shumë gra kryesuese të listave të partive dhe më shumë gra të zgjedhura në pozita udhëheqëse në nivel komune.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qendra për Gratë Amerikane dhe Politikën raporton se gratë momentalisht përbëjnë 27 për qind të Kongresit, 18 për qind të guvernatorëve, 31 për qind të legjislaturave të shteteve federale dhe 25 për qind të kryetarëve të komunave.
Megjithatë, kjo është ende larg nga e mjaftueshmja. Ende mbetet shumë punë.
Në bordet e korporatave, këshillat qeveritarë dhe në partitë politike, nuk është vështirë të paramendohet një tavolinë me vendimmarrës që ende mbizotërohet nga burrat. Megjithatë, kjo ende ndodh gjatë gjithë kohës. Është aq e zakonshme që burrat në mënyrë drastike tejkalojnë numrin e grave sa që, sinqerisht, shpesh as që e vërejmë. Mpihemi përkitazi me problemin e nën-përfaqësimit të grave.
Gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullatës, e megjithatë ato shpesh nuk janë përreth tavolinës kur diskutohen apo merren vendimet e rëndësishme. Me këtë përfaqësim kaq të shpërputhur, kjo nënkupton që burrat jo vetëm që bëjnë konsensus për vendimet e fundit, por që në radhë të parë ata kanë ndikim të tepërt edhe rreth çështjes cilat vendime të diskutohen.
Ky lloj çekuilibri është në kundërthënie me vlerat e shoqërisë bashkëkohore. Kur gratë nuk janë të pranueshme për të ndihmuar në identifikimin, zhvillimin dhe marrjen e vendimeve, shpesh ndodh që mendimet e tyre mungojnë dhe përfundimisht problemet nuk zgjidhen për tërë shoqërinë.
Në anën tjetër, kur i shqyrtojmë vendimet që janë marrë me pjesëmarrje të barabartë të grave dhe pakicave të ndryshme, atëherë shohim proces të vendimmarrjes që pasqyron më përafërt popullatën – dhe çka është më e rëndësishme, pasqyron interesat dhe shqetësimet e një game më të gjerë të qytetarëve.
Vendimmarrja gjithëpërfshirëse jo vetëm që mundëson që më shumë çështje dhe perspektiva të jenë pjesë e diskursit, por gjithashtu sjell përfshirje më të madhe. Sa më shumë gra përfshihen, aq më shumë ndryshojnë perceptimet publike për llojet e roleve që gratë mund të marrin në shoqëri. Sa më shumë gratë nxiten që të jenë aktive në politikë aq më përfshirëse tryeza. Demokracia më e fortë. Duhet të luftojmë që kjo të jetë e zakonshmja e re.
Kjo Javë e Gruas paraqet mundësi që të ri-përkushtohemi për qëllimin e barazisë gjinore në të gjithë nivelet e organeve vendimmarrëse në jetën politike dhe publike të Kosovës. Unë jam i përkushtuar.
Pjesëmarrja e barabartë e grave paraqet një ndër treguesit e përparimit për të gjitha vendet. Ajo pasqyron sa shumë kemi arritur dhe sa punë duhet për të përparuar edhe më tej. Kjo gjë kërkon vëmendje të vazhdueshme. Duhet t’ia përkujtojmë vetes që iu jemi zotuar këtyre parimeve dhe që e kemi bërë këtë sepse mundëson që të dëgjohet zëri i tërë shoqërisë dhe ofron kornizë për hartimin e politikave më të mira.
Dhjetorin e shkuar, presidentja Osmani shprehu një zotim të tillë gjatë Samitit për Demokraci të presidentit Biden (Bajden). Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e Kosovës për të filluar procedurat për të harmonizuar të gjitha ligjet përkatëse për barazi gjinore, për të garantuar që gratë e marrin vendin që ju takon në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse dhe për të miratuar strategji për luftimin e dhunës në baza gjinore. Trajtimi i pengesave legjislative dhe rregullatore paraqet hap të shkëlqyeshëm në drejtimin e duhur. Do të ketë një vit të tërë të veprimeve të ndërlidhura me Samitin për Demokraci që do të përmbyllen me një samit të dytë në fund të 2022.
Ka aq shumë hapa tjerë që duhet të merren. Për shembull, ndërsa më shumë gra konkurrojnë në zgjedhjet lokale, kjo nuk po rezulton në përfaqësim të barabartë në të gjitha zyrat politike – kjo është arsyeja pse duhet t’i kuptojmë dhe kapërcejmë pengesat që një numër më i madh i grave të zgjidhen në poste në nivel lokal.
E dimë dhe e shohim që shpesh gratë që konkurrojnë për pozita publike dhe që janë në sferën publike të Kosovën përballen me seksizëm, urrejtje ndaj grave dhe dhunë. Shohim se në media gratë sulmohen më shpesh për shkak të dukjes së tyre dhe shpesh përballen me gjuhë ofenduese dhe seksiste.
Në internet, gratë në politikë rregullisht kërcënohen, ngacmohen dhe frikësohen. Duhet t’i dyfishojmë përpjekjet për t’i ndalur këto sulme. Në çfarëdo forme, aktet e frikësimit janë pengesa të forta për gratë dhe vajzat që ta paramendojnë veten në role udhëheqëse dhe paraqesin barriera të mëdha për pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në politikë.
Gratë në Kosovë janë të nën-përfaqësuara si në strukturat e partive politike ashtu edhe në media. Edhe në debatet publike dhe panelet, të cilat nganjëherë quhen „odë burrash” për shkak të numrit të shpërpjesëtuar të burrave, gjithashtu ka mungesë të përfaqësimit të grave. Kjo duhet të ndryshojë dhe ne duhet të jemi agjentë të ndryshimit.
Edhe pse kemi arritur kaq shumë dhe të gjithë duhet me krenari të reflektojmë për përparimin e grave në jetën politike dhe për të arriturat tona, e dimë se ende ka edhe shumë punë.
Përderisa debatet dhe diskutimet të vijojnë këtë javë, i ftoj të gjithë – qeverinë, shoqërinë civile, prijësit politikë dhe aktivistët – që të përfaqësojnë demokracinë përfshirëse, të promovojnë ndryshimin dhe të pranojnë përgjegjësinë kolektive të gjitha institucioneve demokratike për të siguruar që gratë kanë zë të barabartë në vendimmarrjen sociale, ekonomike dhe politike.
Më vjen në mend njëra ndër pionieret më të mëdha për barazinë e grave në SHBA, gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Ruth Bader Ginsberg (Ruth Bejdër Ginsbërg).
Trashëgimia e saj ka frymëzuar një gjeneratë grash të vendosura jo vetëm për një vend në tavolinë – por një vend me ndikim – nga niveli lokal e deri te niveli shtetëror.
Ruth Bader Ginsberg shpesh citohet të ketë thënë: „Gratë e kanë vendin kudo ku merren vendime” Është detyra jonë që ky citat të bëhet më shumë se synim, si dhe që të punojmë bashkërisht për ta ndihmuar Kosovën për të përmbushur potencialin e saj si demokraci e njëmendtë përfshirëse.
Gjyqtarja Ginsberg ka vënë standard të lartë me thënien: „Nganjëherë kur më pyesin kur do të jenë [mjaft gra në Gjykatën Supreme] dhe ju them ‘Kur të jenë nëntë’, njerëzit tronditen. Por aty kanë qenë nëntë burra dhe askush kurrë nuk është tronditur nga kjo gjë”.
Kemi punë serioze për të bërë. Ju uroj sukses gjatë Javës së Gruas këtë vit dhe ju falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj barazisë gjinore në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner juaj i qëndrueshëm.
Ju faleminderit.