Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Forumit të dytë të solarëve në Kosovë Çbllokimi i investimeve në energjinë e ripërtëritshme

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Forumit të dytë të solarëve në Kosovë Çbllokimi i investimeve në energjinë e ripërtëritshme, 22 korrik 2022

Kryeministër Kurti, ministre Rizvanolli, kolegë nga qeveria e Kosovës, pjesëtarë të sektorit privat, mysafirë të nderuar. Mirëdita.

Artane, ju faleminderit për prezantimin e përzemërt. Jam i nderuar që jam këtu me ju për të përfaqësuar qeverinë amerikane në Forumin e dytë të solarëve të Kosovës.

Ky forum është emocionues për shumë arsye, por më e rëndësishmja sepse bashkon hisedarët kryesorë të shoqërisë kosovare – nga sektorët publik dhe privat.

Jeni këtu për të punuar për të zgjidhur njërën ndër sfidat më të rëndësishme të vendit – çështjen e energjisë.

Siç mund të dëshmojë çdonjëri nga ne në shërbim publik, sfidat e mëdha që mund të zgjidhen vetëm nga qeveria janë të pakta – nëse është ndonjë.

Prandaj, jam i lumtur që mund të mbështesim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të shtuar bashkëpunimin me sektorin privat dhe për të rritur ndërgjegjësimin për mundësitë e shumta për investime të sektorit privat në industrinë në rritje të Kosovës të energjisë së ripërtëritshme solare.

Përderisa e eksploroni forumin e sotshëm, do të mësoni për mundësi në shkallë të vogël, për panelet solare të çatisë për shtëpi dhe biznese dhe për novacionet e reja në zhvillimin në shkallë të madhe të fuqisë solare. Këto novacione kanë potencial të madh për të revolucionarizuar gjenerimin e energjisë në Kosovë në të gjitha nivelet.

Këtu në Kosovë, ShBA-ja përkrah programe në tërë sektorin e energjisë. Qëllimet tona kryesore janë shtimi i investimeve të sektorit privat për të përfshirë burimet e energjisë së ripërtëritshme në rrjetin ekzistues të energjisë elektrike, zvogëlimi i kostos dhe rritja e qasjes në energji të përballueshme dhe të qëndrueshme.

E Kosova është e gatshme për më shumë investime në këtë sektor. Ka përparësi të qarta gjeografike dhe është pjesë e rëndësishme e një rrjeti energjik plotësisht të lidhur, që i shërben jo vetëm Kosovës, por edhe rajonit. Tani është koha të çbllokojmë këtë potencial solar.

E kuptoj që nuk është lehtë të balancohet aspekti i sigurisë dhe përballueshmërisë së energjisë për kosovarët, përderisa njëkohësisht të sigurohet përkushtimi afatgjatë i Kosovës për de-karbonizim.

Konflikti në Ukrainë këtë vetëm se e ka vështirësuar, veçanërisht duke marrë parasysh ndikimin e tij në tregjet rajonale dhe globale të energjisë dhe në çmim.

Përkundër kësaj, qeveria e Kosovës po tregon lidership me këtë përkushtim të jashtëzakonshëm për të rritur kapacitetet e gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë qeverinë e Kosovës për përparimin në finalizimin e planit dhjetëvjeçar të Strategjisë së Energjisë dhe hartimin e projektligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.

Gjithashtu, na vjen mirë që qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të lehtësuar investimet në burimet solare – duke e zgjeruar portalin GIS tokësor, i cili ju jep zhvilluesve të paneleve solare informatat që ju duhen për të vlerësuar lokacionet në dispozicion për projekte.

Ngjashëm, po punojmë me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të cilën dua ta falënderoj publikisht për punën e shkëlqyeshme në dhënien e licencës për furnizim Elektroseverit për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së mos-pagesës së energjisë elektrike në veri.

Gjithashtu, po punojmë me ZRrE-në për të hartuar rregullore më gjithëpërfshirëse për nismën për prosumatorë, e cila ka të bëjë me prodhuesit dhe konsumatorët e energjisë elektrike, gjë që ua lehtëson lidhjen në rrjetin e vendit.

Për të përmirësuar të ardhmen e energjisë së Kosovës, qeveria dhe institucionet e tjera të energjisë duhet të luajnë rol kryesor duke punuar me investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë, bankat komerciale dhe tërë komunitetin afarist në tërë tregun.

Dhënia e lejeve për investitorë të mundshëm, vënia e themelit për ankande konkurruese në fushën e energjisë dhe hapat e tillë janë thelbësore për të lehtësuar marrjen e vendimit për investime në energji solare. Pas ditës së sotshme, shpresoj të dëgjoj edhe për më shumë!

Në emër të qeverisë së ShBA-së, dëshiroj të përgëzoj qeverinë e Kosovës për vizionin për të kuptuar rolin thelbësor që energjia e ripërtëritshme do ta luajë në transformimin e Kosovës, si dhe lidershipin e saj për ndërtimin e të ardhmes së qëndrueshme në fushën e energjisë.

Mirëpresim mundësitë për të vazhduar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të qëndrueshëm për qëllimet tona të përbashkëta: për të lehtësuar ndikimet negative të ndryshimit klimatik dhe për të integruar plotësisht energjinë e ripërtëritshme si bazë për dhjetëvjeçarin e ardhshëm të zhvillimit të energjisë së Kosovës.

Ju faleminderit!