Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë diskutimit të hapur me Lëvizjen FOL me rastin e Javës kundër korrupsionit

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë diskutimit të hapur me Lëvizjen FOL me rastin e Javës kundër korrupsionit, 7 dhjetor 2022

Ju faleminderit që më ftuat për të marrë pjesë në këtë diskutim të hapur rreth përpjekjeve tona të përbashkëta për ta luftuar korrupsionin në Kosovë.

Për ta shënuar Javën kundër korrupsionit, organizatat anembanë botës po promovojnë veprimin kolektiv kundër korrupsionit.

Faleminderit, Megi dhe ekipit të Lëvizjes FOL për organizimin e ngjarjes së sotme.  Dëshiroj të shpreh mirënjohje Koalicionit kundër korrupsionit, IKD-së, GLSP-së, INPO-s, Çohu dhe Kolumbus.

Vitin e shkuar, presidenti Biden (Bajden) nxori një memorandum studimi të Sigurisë Kombëtare për luftën kundër korrupsionit që – për herë të parë – vinte në pah se lufta kundër korrupsionit paraqet interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Biden e ka quajtur korrupsionin „pandemi tinëzare”.  Sekretari Blinken ka vënë në pah se korrupsioni „kërcënon sigurinë dhe stabilitetin”.  Kjo për shkak se korrupsioni nuk paraqet kërcënim vetëm për xhepat e qytetarëve të rëndomtë.

Korrupsioni po ashtu ngadalëson rritjen ekonomike, zbeh besimin në institucionet publike dhe përfundimisht përbën kërcënim për demokracinë.

Korrupsioni zvogëlon burimet publike dhe private dhe çka është më e keqja, është burim financimi për krimet trans-nacionale dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut.

Meqenëse korrupsioni i gërryen themelet e demokracisë, vjedh nga qytetarët e rëndomtë dhe i fuqizon ata që duan ta minojnë sundimin e ligjit, strategjia jonë thekson sa është e rëndësishme të punohet ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në përmirësimin e veprimeve tona kolektive për ta parandaluar korrupsionin.

Si objektiv thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-së, angazhimi ynë i tanishëm ka për qëllim që t’ju kërkojë llogari aktorëve të korruptuar duke i forcuar kapacitetet e aktivistëve, gazetarëve hetues dhe shoqërisë civile, të cilët janë në ballë të ekspozimit të veprave të korrupsionit.

Shoqëria civile luan rol të jashtëzakonshëm për të na ndihmuar në ndërtimin e demokracive më të fuqishme e më efikase që i mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh gjininë, etninë, prejardhjen, fenë, orientimin seksual apo përkatësinë e tyre.

Për këtë arsye e çmoj që ju të gjithë nga shoqëria civile në Kosovë punoni për eliminimin e korrupsionit dhe për të siguruar qasje në drejtësi për të gjithë.

Roli unik i shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit përforcon kapacitetet dhe mbështetjen kundër korrupsionit të sektorit publik.  Roli juaj i rëndësishëm si auditorë të pavarur ofron mbikëqyrje të domosdoshme mbi institucionet qeveritare.

Lufta kundër korrupsionit kërkon partneritet ndërmjet të gjithë hisedarëve, qeverive, shoqërisë civile, gazetarëve dhe sektorit privat.

Veçanërisht, qeveritë duhet të shohin shoqërinë civile si partner në luftën në ballë të frontit për t’ju kërkuar llogari aktorëve të korruptuar dhe për forcimin e aftësive të shoqërisë për ekspozimin e veprave të korrupsionit.

Ju përgëzoj për përkushtimin ndaj punës, veçanërisht kur është e vështirë dhe përfshin rrezik personal.

Ju nxis të vazhdoni të ngrini zërin.  Duhet të vazhdoni të sfidoni politikat dhe praktikat qeveritare kur duhet dhe të vlerësoni veprimet e qeverisë kur bën punë të mirë për luftimin e korrupsionit dhe për t’ju kërkuar llogari aktorëve të korruptuar.

Vazhdoni të bashkëpunoni me institucione për t’ju ndihmuar që të përmirësohen në fushat e transparencës dhe llogaridhënies.

Qëllimi ynë kolektiv duhet të jetë rritja e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe në sundim të ligjit, forcimin e kontratës shoqërore dhe demonstrimi se si demokracia mund të përmbushë nevojat e qytetarëve për të jetuar jetë të sigurt, të qetë dhe të begatshme.

Ju nxis të përdorni rolin tuaj për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, të cilëve iu shërbejnë ato.

Përderisa e bëni këtë, ju premtoj se Ambasada e SHBA-së do të vazhdojë të përkrahë partnerët tanë nga shoqëria civile dhe do të kërkojë mënyra se si të punojmë edhe më ngushtë me juve.

Edhe pse duhet të punohet shumë për ta çrrënjosur korrupsionin, mendoj se është e rëndësishme të pranohen arritjet e hatashme që Kosova i ka arritur që nga pavarësia e saj.

Duhet të kuptojmë trashëgiminë e viteve të Millosheviqit, kur një brez i tërë i kosovarëve nuk ka pasur qasje në drejtësi dhe korrupsioni në mesin e zyrtarëve ishte normë.

Viti 1999 e ndryshoi këtë gjë.  Pavarësia e Kosovës, gjithashtu.  Prej 2008-s, kemi qenë dëshmitarë të themelimit të institucioneve jetike.

Nganjëherë është e rëndësishme që të ndalemi dhe të kuptojmë se Kosova ka arritur gjëra të pabesueshme gjatë kësaj periudhe.

Policia, gjykatat, prokurorët dhe shërbimi korrektues tani janë organe kosovare që po bëjnë përparim të dukshëm për të pasur një qeveri transparente dhe përgjegjëse.

Njëkohësisht, duhet të pranojmë se qytetarët në demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Kosovë presin, kërkojnë dhe meritojnë më shumë.

Ata presin institucione transparente që prodhojnë rezultate dhe presin që zyrtarët të shfaqin integritet më të madh.  Si dhe kërkojnë që zyrtarët të japin llogari kur dështojnë në ndonjërën nga këto gjëra.

Kjo për shkak se demokracitë dhe institucionet e tyre llogarisin në informata nga qytetarët për përmirësimin e shërbimeve të tyre dhe për t’i kuptuar nevojat e popullit.

Ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush për këtë çështje kaq të rëndësishme dhe aktuale.