Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë diskutimit publik për ndryshimet në Ligjin për Lirinë Fetare, 9 dhjetor 2022
Z. kryeministër, z. kryetar i Kuvendit, prijës të nderuar dhe përfaqësues të bashkësive fetare të Kosovës, ju faleminderit për mundësinë për të folur me ju sot.
Ndjehem i privilegjuar që jam me ju përderisa e hapni këtë diskutim publik për ndryshimet në projektligjin për Lirinë Fetare.
Edhe pse jam i nderuar për këtë mundësi për të folur me ju për këto çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, dëshiroj të vë në pah se komentet më të rëndësishme gjatë shqyrtimit të sotshëm do të vijnë nga ju.
Ju keni rastin – mundësinë – për të siguruar mbrojtje të barabartë dhe shprehje të lirë të fesë për të gjithë në Kosovë.
Koncepti i lirisë së fesë si e drejtë themelore e njeriut nuk është i ri. Më shumë se 1800 vite më parë, teologu Tertuliani shkroi: „Është e drejtë themelore e njeriut, privilegj i natyrës, që çdo person të adhurojë sipas bindjeve të tij/saj”.
Kjo ide antike – që çdo individ duhet të ketë të drejtën për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë – i ka rezistuar shekujve dhe së fundmi është kodifikuar në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Kjo e drejtë përfshin lirinë që çdo person të ndryshojë fenë ose besimin dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin në mësim, ushtrim, adhurim dhe mbajtje të fesë, qoftë vetëm apo në bashkësi me të tjerët dhe në publik apo privatisht. Kjo përfshin edhe të drejtën për të mos e ushtruar fenë.
Shtetet e Bashkuara kohë të gjatë i janë përkushtuar të drejtës së individëve dhe grupeve për të ushtruar besimin fetar lirisht dhe pa pengesa.
Në të vërtetë, historia e Shteteve të Bashkuara është aq shumë e ndërthurur me kërkimin dhe mbrojtjen e lirisë fetare sa që do të ishte e pamundshme që ta mbulojmë këtë temë siç duhet për kaq pak kohë.
Por, do të gaboja nëse nuk do ta përmendja që etërit themelues të vendit tim menduan që kjo çështje ishte aq e rëndësishme sa që e trajtuan atë qysh në fjalinë e parë në amendamentin e parë të Kushtetutës së SHBA-së: „Kongresi nuk do të nxjerrë asnjë ligj që respekton themelimin e religjionit ose që ndalon ushtrimin e lirë të tij”.
Ushtrimi i lirë i fesë – një e drejtë universale e njeriut – është më shumë se vetëm e drejtë e besimit individual. Ajo gjithashtu përfshin të drejtën e organizimit dhe ushtrimit të fesë me të tjerët dhe pranimin nga qeveria.
Këtu në Kosovë, qeveria ka kërkuar mbrojtjen e lirisë së fesë dhe besimit si e drejtë themelore e njeriut përmes Kushtetutës dhe Ligjit për Lirinë Fetare, një pjesë e rëndësishme, edhe nëse jo e përsosur, e legjislacionit.
Siç e dini, Ambasada e SHBA-së i raporton Kongresit tonë çdo vit për gjendjen e lirisë fetare në Kosovë dhe në çdo vend të botës. Për më shumë se një dekadë në Kosovë, e kemi theksuar mungesën e statusit ligjor për grupet fetare si e metë e rëndësishme që i bën pakicat fetare të cenueshme nga diskriminimi. Gjithashtu, për më shumë se një dekadë, e kemi nxitur qeverinë të miratojë ndryshimet në Ligjin për Lirinë Fetare për të trajtuar këto probleme.
Ndryshimet që do t’i diskutoni sot kanë mundësi të korrigjojnë këto mangësi në legjislacionin për të drejtat e njeriut të Kosovës dhe ta përafrojnë Kosovën me standardet ndërkombëtare përkitazi me mbrojtjen e barabartë të individëve dhe grupeve fetare.
Përderisa diskutoni për këtë projektligj, ju nxis të keni parasysh jo vetëm se çka mund të arrini për pjesëtarët e fesë suaj, por edhe për bashkësitë e tjera fetare.
Ju nxis të rikujtoni rekomandimet e Komisionit të Venecias në vitin 2014 për amendamentet e propozuara të Kosovës në Ligjin për Lirinë Fetare – për të eliminuar kufizimet ose kushtet tepër të rënda për marrjen e statusit ligjor, duke përfshirë kërkesat e larta për numrin minimal për anëtarësim.
Dëshiroj të theksoj se ndryshimet e propozuara para pothuajse dhjetë viteve kërkojnë të paktën 50 anëtarë si minimum për tu regjistruar, e jo numrin më të madh prej 100 anëtarësh siç është në projekt-ligjin e tanishëm.
Shtetet e Bashkuara rekomandojnë heqjen e ndonjë dhe çdo reference për numrin më të vogël dhe do ta vë në pah se ka edhe shtete të tjera evropiane që janë në vijë me politikën e SHBA-së për asnjë kërkesë për regjistrim.
Në Holandë p.sh. qeveria përjashton nga tatimi çdo grup jofitimprurës dhe jo të dhunshëm „të natyrës filozofike ose fetare” – pa marrë parasysh sa i vogël – që i kontribuon mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë.
Ju inkurajoj gjithashtu që me kujdes të shqyrtoni rolin e qeverisë në vlerësimin dhe vërtetimin e besimit ose përkatësisë fetare, veçanërisht të Komisionit të propozuar për shqyrtimin e aplikacioneve për regjistrim.
Është e këshillueshme të rishqyrtohet çdo ligj ose kufizim që do të shtynte një grup fetar të bëhet pjesë e një grupi tjetër fetar. Bashkësitë fetare do të duhej të përcaktohen vetë.
Qeveria e SHBA-së nuk përcakton se çka përbën grup fetar ose mënyrën se si individët zgjedhin të identifikohen. Grupi ose individi vetë përcakton identitetin e vet fetar, përfshirë edhe emrin e zgjedhur dhe çfarëdo lidhje me grupet e tjera fetare.
Kjo maturi kundër çdo përkufizimi ose vlerësimi shtetëror të autenticitetit fetar nuk është unik për Shtetet e Bashkuara. Sërish, citoj rekomandimet e Komisionit të Venecias të vitit 2014 për Ligjin për Lirinë Fetare në Kosovë, që iu referua rastit të gjykatës të vitit 2011 të Kishës Mitropolite të Besarabisë kundër Moldavisë, ku gjykata deklaroi:
„E drejta e lirisë së fesë… përjashton vlerësimin nga shteti të legjitimitetit të besimit fetar ose mënyrave se si këto besime shprehen. Masat shtetërore që favorizojnë një udhëheqës të caktuar ose organe të veçanta të një komuniteti të ndarë fetar ose që kërkojnë të detyrojnë komunitetin ose një pjesë të tij të vendoset, kundër vullnetit të tij, nën një udhëheqje të vetme, do të përbënin gjithashtu cenim të lirisë së fesë. Në shoqëritë demokratike, shteti nuk ka nevojë të marrë masa për të siguruar që bashkësitë fetare të mbeten ose të vihen nën një udhëheqje të unifikuar.”
Sërish, e theksoj se është e rëndësishme që me kujdes të shqyrtohen dhe diskutohen çështjet e gjithë-përfshirjes kur i shqyrtoni këto ndryshime ligjore. Do të ishte më mirë për të gjitha bashkësitë fetare që të lejohen të regjistrohen – pa marrë parasysh sa pjesëtarë i ka ajo apo qe sa kohë e ushtrojnë besimin në Kosovë – e të mos krijohen pengesa që diskriminojnë shprehjen individuale apo kolektive të besimit.
Jemi të bindur se amendamentet që do të shqyrtoni dhe diskutoni sot mund dhe do të zgjidhin shumë nga problemet e cituara në Raportin tonë vjetor Ndërkombëtar për Lirinë Fetare.
I mirëpresim përpjekjet e qeverisë për të angazhuar bashkësitë fetare, për të dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve dhe udhëzimeve të tyre dhe për të përfshirë rekomandimet dhe kontributin e tyre në amendamentet e rishikuara.
Ligji i tanishëm për lirinë fetare thotë se qeveria „do të mbajë dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me shoqëritë fetare [dhe] bashkësitë fetare për çështjet e interesit të përbashkët” dhe ky diskutim publik sigurisht që është në vazhdën e atij zotimi.
Ne e duartrokasim praninë, pjesëmarrjen dhe avokimin e grupeve fetare që janë këtu sot. E di se bashkësitë fetare këtu në Kosovë kanë traditë të fuqishme të komunikimit ndër-fetar dhe jam i bindur se ato do të ndërtojnë mbi atë themel të partneritetit dhe ndershmërisë për të punuar së bashku në mirëbesim për të siguruar që të gjithë kosovarët të mund të ushtrojnë të drejtën për të shprehur – ose për të mos shprehur – lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë.
Edhe njëherë, ju faleminderit për ftesën për të folur me ju. Këto ndryshime janë vonuar shumë. Ju keni mundësinë për të kompletuar këtë punë që ka filluar shumë kohë më parë. Besoj se do të punoni së bashku për të përmirësuar dhe ndihmuar në miratimin e këtyre ndryshime dhe mbrojtjen e të drejtave më themelore të njeriut.
Sot, ju mund të vini në veprim përgjegjësinë tonë universale për të ruajtur dhe mbrojtur lirinë fetare dhe për të demonstruar traditën pozitive të Kosovës për bashkëpunim ndër-fetar si vlerë që duhet të bartet te brezat e ardhshëm.
Ju faleminderit.