Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës për Masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, 24 gusht 2023
Kryeministër Kurti, Ministër i Mbrojtjes Maqedonci, mysafirë të nderuar, kam kënaqësinë që jam këtu me ju.
Jemi këtu për të shënuar një të arritur të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve tona përderisa kryeministri Kurti dhe unë nënshkruajmë marrëveshjen ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës për Masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Kjo marrëveshje vendos themelet për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar.
Në botën e lidhur mes vete të shekullit XXI, aftësia që partnerët të shkëmbejnë informacione shpejt dhe pa pengesa është jetike për vendimmarrje me kohë dhe të informuar.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Përmbyllja e kësaj marrëveshjeje nuk është e rëndësishme vetëm sepse shënon kulmin e më shumë se dy viteve të bashkërenditjes dhe negociatave, por përfaqëson edhe zotimin e fuqishëm të ShBA-së për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë.
Me këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova marrin detyrime për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të njëra-tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informacioneve.
Marrëveshja çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara.
Ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj sovranitetit të Kosovës.
Gjithashtu, kjo marrëveshje avancon qëllimin tonë të përbashkët për zhvillim të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë për mbrojtje territoriale, profesionale, të ndërveprueshme me NATO-n e shumetnike.
Me të mbështetet drejtpërdrejt synimi ynë i përbashkët për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat e sigurisë euroatlantike.
Ajo ofron qasje të tërë qeverisë, që do të përmirësojë edhe bashkëpunimin rajonal dhe kundër terrorizmit midis dy vendeve tona.
Kjo marrëveshje është posaçërisht e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale pushtuese të Putinit kundër Ukrainës.
Shkurtimisht, kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë ndaj qëllimeve e vlerave të përbashkëta dhe të ardhmes më të sigurt për vendet tona, si dhe hap rrugën për marrëveshjet e ardhshme të shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur për përmbylljen e kësaj marrëveshjeje, përfshirë Ekrim Ademin nga Ministria e Mbrojtjes dhe Zana Tropoja nga Ambasada e SHBA.
Përkushtimi dhe këmbëngulja juaj i kanë afruar vendet tona edhe më shumë.
Faleminderit.