Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ceremonisë së nderimit te shtatorja e presidentit Clinton me rastin e Ditës së Presidentëve, 20 shkurt 2023
Presidente Osmani, skulptor i shtatores së presidentit Clinton, Izeir Mustafa, kryetar i Fondacionit „Miqtë e SHBA-së”, Agim Rexhepi, mysafirë të nderuar dhe veçanërisht nxënës të mbledhur këtu.
Jam shumë i lumtur nga prania juaj te shtatorja e presidentit Clinton këtu në Prishtinë për të shënuar Ditën e Presidentëve, një festë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jam i nderuar që po iu bashkohem ambasadorëve amerikanë anembanë botës për të nderuar Ditën e Presidentëve kudo ku ka shtatore ose përmendore në nderim të presidentëve amerikanë jashtë Shteteve të Bashkuara.
Dita e Presidentëve fillimisht u vendos si e tillë në vitin 1885 si festim dhe mirënjohje për presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara, George Washington. Festa pastaj u bë më gjithëpërfshirëse për të përfshirë dhe nderuar të gjithë presidentët e Shteteve të Bashkuara nga e kaluara e deri tani dhe pikërisht këtë gjë po e bëjmë sot.
Për nder të Ditës së Presidentëve, Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë, një partner jopartiak dhe jofitimprurës i Shtëpisë së Bardhë, ka krijuar një traditë në të cilën ne bëjmë homazhe te shtatoret, monumentet dhe bustet presidenciale në të gjithë botën.
Kjo nismë është veçanërisht e veçantë këtu në Kosovë, ku kreu i shtetit po e nderon dhe na ka ftuar ta përkujtojmë këtë ngjarje.
Faleminderit, Presidente Osmani, që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë dhe që po nderoni Presidentin Clinton dhe rrjedhimisht të gjithë presidentët e SHBA-së.
Javën e kaluar u bashkuam për të shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Gjithashtu kremtuam marrëdhënien e posaçme mes dy vendeve tona.
Kjo ngjarje është vazhdim i natyrshëm i festimeve të javës së kaluar, pasi kjo shtatore e Presidentit Clinton është ndër mënyrat më të prekshme dhe më të dukshme të shprehjes së marrëdhënies unike dhe të thellë që gëzojmë.
Më lejoni ta mbyll duke kujtuar disa nga fjalët e Presidentit Clinton në përurimin e kësaj shtatoreje në vitin 2009.
„Jam thellësisht mirënjohës që pata mundësinë të jem pjesë e përfundimit të gjërave të tmerrshme që po ju ndodhnin para dhjetë viteve, duke ju dhënë një shans për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten tuaj”.
„Nuk e prisja kurrë që dikush do të bënte një shtatore kaq të madhe për mua”.
E di që populli i Kosovës do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Presidentit Clinton për lidershipin dhe vizionin e tij. Faleminderit për këtë nderim dhe që jeni bashkë me ne sot.