Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë ceremonisë së hapjes së Javës së Krenarisë, 6 qershor 2022
Z. Hajredini, ju faleminderit për organizimin e kësaj ceremonie dhe që na keni bërë bashkë për të kremtuar Javën e Krenarisë.
Jam i nderuar që po i bashkohem presidentes Osmani, ministres Haxhiu, ambasadorit Synjog, z. Nuhiu, udhëheqësve nga shoqëria civile, veprimtarëve për të drejtat e njeriut, pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+ dhe familjarëve e miqve të tyre gjatë kësaj ceremonie.
Para së gjithash, sot vlerësojmë dhe e kremtojmë forcën e larmisë së Kosovës dhe kontributin e personave LGBTQI+ në Kosovë dhe nëpër botë.
Edhe pse duhet të kremtojmë përparimin që Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe vendet e tjera e kanë arritur, e pranojmë se ende mbetet edhe shumë punë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për personat LGBTQI+.
Fundja, të drejtat e LGBTQI+ janë të drejta të njeriut.
Në Shtetet e Bashkuara, muaji i Krenarisë shënon revoltën e Stounuallit, vepër e guximit që i dha jetë lëvizjes bashkëkohore të LGBTQI+.
Në atë ditë fatale të vitit 1969, personat LGBTQI+ në lokalin Stounuall In (Stonewall Inn) në Grinuiç Villixh (Greenwich Village) të Nju Jorkut luftuan kundër keqtrajtimit dhe diskriminimit nga ana e policisë, duke çuar përfundimisht në njohjen më të madhe të të drejtave LGBTQI+ në Shtetet e Bashkuara dhe në demokracitë e tjera anembanë botës.
Sekretari Blinken ka thënë: „Shtetet janë më të forta kur të gjithë – pa marrë parasysh orientimin seksual, identitetin, shprehjen ose veçoritë gjinore – të pranohen plotësisht si pjesëtarë të lirë dhe të barabartë të shoqërisë”.
Ky qëllim – për të siguruar që të gjithë individët të pranohen plotësisht si pjesëtarë të lirë dhe të barabartë të shoqërisë – pothuajse është arritur, por ende mbetet edhe shumë punë që të përmbushet.
Grupet e pafavorizuara dhe të nënpërfaqësuara — duke përfshirë komunitetin LGBTQI+, gratë dhe pakicat etnike — nuk janë ende në gjendje të jetojnë jetën e tyre në paqe dhe siguri. Ata vazhdojnë të luftojnë – shpesh duke u përballur me diskriminimin, kërcënimet e dhunës dhe gjuhën e urrejtjes.
Kjo nuk është në përputhje me vlerat tona dhe nuk është bota që duam ta shohim. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur dhe siguruar të drejtat e njeriut për personat LGBTQI+ dhe grupet e tjera që vazhdojnë të luftojnë për të siguruar të drejtat themelore të njeriut, lirinë dhe dinjitetin.
Arritja e këtij vizioni është proces në rritje dhe këto çështje dhe mënyra se si ato diskutohen publikisht mund të jenë sfiduese për shoqëritë.
Dëshiroj të theksoj se është e rëndësishme të sigurohemi që retorika në debate të tilla publike të jetë e civilizuar dhe me respekt. Përmirësimet në të drejtat e njeriut janë proces evolucionar dhe siç e theksova më herët, të drejtat LGBTQI+ janë të drejta të njeriut.
Mund t’ju siguroj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të respektuar dinjitetin njerëzor të të gjithëve dhe për të avancuar barazinë globalisht.
Në ambasadën amerikane në Prishtinë, diversiteti, përfshirja, mundësitë e barabarta dhe qasja paraqesin prioritet kryesor për avancimin e interesave të popullit amerikan. Gjithashtu, është gjëja e duhur.
Në këtë Muaj të Krenarisë, me krenari e kemi ngritur flamurin e Krenarisë në ndërtesën e ambasadës dhe në rezidencën time.
Pjesëtarët e komunitetit tonë nga të gjitha agjencitë qeveritare amerikane do të marrin pjesë në ngjarjet e organizuara nga shoqëria civile për Javën e Krenarisë në mbështetje të vizionit tonë të përbashkët për të drejta të barabarta për të gjithë LGBTQI+.
Përveç kësaj, në ambasadë gjithashtu presim grupe afiniteti që kërkojnë të avancojnë diversitetin dhe barazinë në agjencitë e marrëdhënieve të jashtme të SHBA-së dhe të promovojnë të drejtat e njeriut.
Përkushtimi ynë shtrihet përtej një parakalimi vjetor ose jave me veprimtari. Nuk ka të bëjë me një ditë, një javë apo një muaj. Presidenti Bajden ka thënë: „Shtetet e Bashkuara duhet t’i prijnë botës jo vetëm me shembullin e forcës sonë, por edhe përmes forcës së shembullit tonë”.
Për këtë arsye dhe me përulje, dëshiroj të shpreh se edhe ne duhet të punojmë më shumë në shtëpi. Gjithmonë përpiqemi të bëhemi union më i përsosur. Dhe nuk ka vlerë më të madhe të përbashkët demokratike, premtim më të madh për tu mbajtur se sa të sigurohemi që të gjithë qytetarët i gëzojnë të njëjtat të drejta dhe liri.
Si demokraci shumetnike, Kosova gjithashtu ka rol për të luajtur, për të dhënë shembull. Udhëheqësit kosovarë, si dhe qytetarët, me të drejtë krenohen me përparimin e arritur në 14 vite të shkurta prej pavarësisë.
Dhe ndërsa ne e ndajmë krenarinë tuaj për përparimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, projekti demokratik i Kosovës, si ai i Shteteve të Bashkuara nuk është kurrë i kompletuar – kërkon vëmendje të vazhdueshme. Punë jo vetëm nga qeveria, por nga secili qytetar.
Sa i përket të drejtave të njeriut, Kushtetuta e Kosovës vë cak të lartë se për çka duhet të luftojë çdo udhëheqës, çdo qytetar: Ajo thotë: „Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës… Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partnere e qëndrueshme e Kosovës në këtë projekt demokratik. Por përfundimisht, populli i Kosovës duhet të sigurojë që të gjithë qytetarët e Kosovës të pranohen dhe trajtohen si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë.
Shpresojmë që të mësoni nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara gjatë 246 viteve të fundit – dështimet dhe sukseset tona – dhe të vazhdoni punën e nevojshme për të siguruar mbrojtje ligjore për të gjitha grupet e nënpërfaqësuara, përfshirë komunitetin LGBTQI+.
Dëshiroj t’ju falënderoj për mundësinë për të folur para jush sot. Kolegët e mi nga ambasada dhe unë shpresojmë të kemi rastin t’ju bashkohemi gjatë veprimtarive të tjera të Javës së Krenarisë në Kosovë dhe gjithashtu do t’i shkëmbejmë disa prej veprimtarive të udhëhequra nga SHBA-ja gjatë Muajit të Krenarisë në Shtetet e Bashkuara.
Urime Muaji i Krenarisë!