Fjala e Ambasadorit Greg Delawie në konferencën për të drejtat pronësore të grave, 31 janar, 2017
Jam shumë i lumtur që shoh sot këtu shumë njerëz të cilët janë të interesuar në këtë temë shumë të rëndësishme.
Përparimi në të drejtat pronësore të grave është njëri prej prioriteteve të mia kryesore dhe diç për të cilën kam ndjenja të forta. Kjo temë sjell në pah shumë çështje të rëndësishme për të cilat të gjithë shqetësohemi: fuqizimin ekonomik të grave, përfshirjen sociale, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, e të mos e përmendim zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mendoj që përmasa në të cilën gratë janë në gjendje të jenë të suksesshme në sistemin ekonomik të Kosovës është tregues i rritjes ekonomike të Kosovës si tërësi. Dhe kur shohim që vetëm 4% e grave në Kosovë janë në gjendje ta trashëgojnë pronën dhe tokën, që vetëm 19% posedojnë tokë, e dimë që ka vend për përmirësim.
Natyrisht, kjo çështje është gjithashtu shumë personale për të qenë çështje e thjeshtë e statistikave. Stafi im ma ka treguar një ngjarje për një kosovare në ekipin tonë, e cila me sukses ka blerë pronë, por që kur ka shkuar në komunë është përballur me zyrtarë komunalë të cilët e kanë dekurajuar fuqishëm që të mos e regjistrojë pikërisht atë pronë. Zyrtari komunal ka argumentuar me të rreth të drejtave të saj dhe është munduar ta bindë që të mos e regjistrojë pronën. Ironikisht, argumenti i tij ishte se një ditë ajo do ta trashëgojë pronën nga babai i saj, kështu që thjesht nuk kishte nevojë që vetë të blinte tokë. Ajo ishte me fat. I dinte të drejtat e veta dhe këmbënguli për to. Por nuk mund të kërkojmë nga çdo grua në Kosovë që të ballafaqohet me pengesa të tilla. Dhe ky nuk ishte problem i ligjit. Kosova ka ligje të mira në letër që u garantojnë grave të drejta të barabarta në pronë dhe mendoj që kjo është shkëlqyeshëm. Por mendoj që shqetësohem nga shkalla e moszbatimit të këtyre ligjeve në mënyrë të vazhdueshme.
Në disa mënyra, ky do të ishte problem më i lehtë për t’u zgjidhur sikur thjesht të kërkohej një ndryshim nga Kuvendi në ligj. Por kjo është një çështje që është shumë më e thellë. Është më e thellë sepse e drejta për të poseduar dhe trashëguar – këto nuk janë përfitime dytësore ekonomike. Këto janë të drejta themelore të njeriut, të domosdoshme për barazi dhe fuqizim.
Dhe kjo nuk është e rëndësishme vetëm për gratë e Kosovës, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke shikuar rreth botës, e dimë që kur gratë fuqizohen, ato marrin pjesë në mënyrë më efektive në komunitetin e tyre, në ekonomi dhe në biseda politike. Dhe kur gratë kanë zë më të fuqishëm, zë të lartë, vetë institucionet e komunitetit ka të ngjarë të jenë më përgjegjëse ndaj nevojave të komunitetit si tërësi. Bashkë me këto nisma të nivelit kombëtar, si Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, e aprovuar kohët e fundit, të cilën do ta ndihmoj të fillojë në shkurt, programet e komunitetit si ky janë vendimtarë për t’u dhënë fund praktikave joformale të heqjes së grave nga listat e trashëgimtarëve ligjorë ose e detyrimit të grave për të hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore në favor të trashëgimtarëve meshkuj.
Këto të drejta grave u garantohen me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Trashëgimi. Prandaj, për mua, në thelb, respektimi i këtyre të drejtave ka të bëjë me aftësinë e Kosovës për t’u sjellë si shtet modern evropian dhe për ta respektuar sundimin e ligjit. Siç kam thënë para disa javësh në Forumin Ekonomik të Grave, mungesa e përparimit në këto çështje thjesht e gërryen mundësinë e Kosovës për ta rritur ekonominë e saj të tregut, për të përparuar dhe për t’ia bartur atë brezit të ardhshëm. Sepse dëshmitë anembanë botës qartazi tregojnë se pjesëmarrja më e madhe e grave në ekonominë e një vendi luan rol të madh në atë që shpie në përparim më të madh për të gjithë.
Nuk po them që kjo është punë e lehtë. Përparimi në barazi gjinore është më i vështirë se që duhet të jetë. Por duke marrë pjesë në ngjarje si kjo, ju i demonstroni bindjet tuaja dhe drejtimin tuaj dhe se jeni duke shkuar në drejtim të duhur.
E dini që në vendin tim kanë kaluar pothuaj 150 vjet mes pavarësisë sonë dhe kohës kur gratë e fituan të drejtën për të votuar. Pothuaj edhe një shekull pasi gratë e fituan të drejtën për të votuar, ende kemi punë për të bërë në Shtetet e Bashkuara. Secili vend dhe secili komunitet ka. Ndryshimet në qëndrime dhe sjellje janë të rëndësishme dhe kjo është diç për të cilën të gjithë duhet të punojmë.
E di që shumë prej jush po punoni me zell për të bërë ndryshim të vërtetë, për t’i eliminuar pengesat për ushtrimin e plotë të të drejtave të grave për pronë dhe jemi krenarë që jemi partneri juaj në këtë punë të rëndësishme. Ju faleminderit për përpjekjet tuaja dhe së bashku e di që të gjithë mund të arrijmë më shumë. Edhe një herë, e çmoj ftesën tuaj për të qenë me ju sot.