Ju faleminderit shumë që më keni ftuar këtu sot. Ambasada e SHBA-së mbështet fuqishëm përpjekjet e Kosovës për t’i rritur aftësitë e vera për siguri kibernetike në sektorët publikë dhe privatë. Jam shumë i inkurajuar të dëgjoj që Qeveria e Kosovës ka punuar zellshëm në Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike.
Sot, dëshiroj të flas me ju për lidhjen ndërmjet sigurisë kibernetike dhe privatësisë.
Ekonomia digjitale është duke lulëzuar kudo në botë, duke krijuar vende pune dhe mundësi të cilat as që do të mund t’i kishim imagjinuar një dekadë më parë. Jetët tona janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura me internet. Prej infrastrukturës sonë vendimtare dhe sistemeve tona të sigurisë kombëtare e deri tek veturat dhe llogaritë tona bankare, ekonomia digjitale është duke krijuar efikasitete dhe duke përmirësuar efektivitetin.
Nëse të gjitha shtetet dhe popujt dëshirojnë t’i korrin dobitë e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore që i ofron hapësira kibernetike, atëherë sistemi themelor duhet të jetë i hapur, i ndërveprueshëm, i sigurt dhe i besueshëm.
Ekonomia digjitale është duke lulëzuar kudo në botë, duke krijuar vende pune dhe mundësi të cilat as që do të mund t’i kishim imagjinuar një dekadë më parë. Jetët tona janë gjithnjë e më shumë të ndërlidhura me internet. Prej infrastrukturës sonë vendimtare dhe sistemeve tona të sigurisë kombëtare e deri tek veturat dhe llogaritë tona bankare, ekonomia digjitale është duke krijuar efikasitete dhe duke përmirësuar efektivitetin.
Nëse të gjitha shtetet dhe popujt dëshirojnë t’i korrin dobitë e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore që i ofron hapësira kibernetike, atëherë sistemi themelor duhet të jetë i hapur, i ndërveprueshëm, i sigurt dhe i besueshëm.
Kërcënimet në internet e shfrytëzojnë kompleksitetin e shtuar dhe lidhshmërinë e jetëve tona edhe kur jemi edhe kur nuk jemi të kyçur në internet. Ato e vënë në rrezik jo vetëm sigurinë kombëtare, ekonominë, sigurinë publike dhe shëndetin, por edhe na ekspozojnë të gjithë neve në mbarë botën. Pasi këto kërcënime nuk njohin kufij, është me rëndësi të punojmë së bashku dhe t’i koordinojmë përpjekjet tona mes qeverive dhe me sektorin privat.
Është shumë me rëndësi ta ndërtojmë një kulturë të sigurisë kibernetike për t’i zvogëluar këto kërcënime. Duhet ta rrisim vetëdijesimin midis qytetarëve dhe industrive për rolin vendimtar që të gjithë ne duhet ta luajmë në mbrojtjen e sistemeve kibernetike. Analistët e kërcënimeve do t’ju tregojnë se njëri nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë tonë kibernetike jemi ne vetë – veprimet dhe zgjedhjet tona që na bëjnë të cenueshëm.
Siguria kibernetike është punë e vështirë. Zhvillimi i normave, politikave dhe praktikave për këtë punë është vendimtar. Duhet të kujtojmë që armiqtë tanë kanë përparësinë. Ata mund të eksperimentojnë dhe të bëjnë gabime me pak pasojë, të cilat ne nuk mundemi; ata janë në kërkim të dobësive. Nocionet tradicionale të hapësirës dhe kohës, vendit dhe kufirit, ose të juridiksionit tim dhe juridiksionit tuaj mposhten nga një kërcënim që lëviz jo 60 kilometra në orë, por 300.000 kilometra në sekondë. Shpejtësia e dritës. Nocionet tradicionale dhe kornizat shkatërrohen nga ai lloj i kërcënimit. Kjo kërkon që çdo element i zbatimit të ligjit – ata që i kalojnë ditët e tyre duke i mbrojtur fëmijët, duke luftuar mashtrimin, duke luftuar kundër spiunëve, duke luftuar kundër terrorizmit, duke mbrojtur pronën intelektuale, të gjitha ato gjëra – të jetë i digjitalisht aftë. Siç e dini, jemi posaçërisht të shqetësuar për trendin në rritje e sipër të radikalizimit anembanë globit. Jam i sigurt që edhe ju jeni të shqetësuar po aq sa ne për çdo hapësirë që terroristët mund ta përdorin për të komplotuar sulme. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për t’ua vështirësuar edhe më tepër punën terroristëve apo kriminelëve për të gjetur strehim në hapësirën kibernetike. Kur përdorimi i mediave sociale kalon vijën nga komunikimi – shprehja e pikëpamjeve, madje edhe e pikëpamjeve që mund t’i konsiderojmë shumë shqetësuese – dhe në rekrutimin aktiv të terroristëve dhe përgatitjen e komploteve, ajo është shumë shqetësuese dhe duhet të adresohet.
As ne, as ofruesit e këtyre teknologjive nuk dëshirojmë t’i lejojmë terroristët të komplotojnë sulme. I inkurajojmë fuqimisht kompanitë e teknologjisë që ta shfrytëzojnë ekspertizën e tyre sipërmarrëse dhe novatore për t’i marrë parasysh mënyrat në të cilat mund t’ua vështirësojmë punën grupeve terroriste për të rekrutuar dhe radikalizuar.
Së fundi, shoh që përgjimi i ligjshëm është sot një nga temat kryesore në agjendë. Përgjimi i ligjshëm është mjet i fuqishëm për t’i identifikuar dhe ndjekur penalisht të dyshuarit e përfshirë në vepra të rënda penale. Megjithatë, dëshiroj të theksoj se është shumë me rëndësi të kihen parasysh siguria e shtetit dhe siguria publike, nga njëra anë, dhe mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nga ana tjetër. Kjo është punë e vështirë, por nuk është kurrsesi e pamundur.
Siç tha drejtori i FBI-së, “në Shtetet e Bashkuara mjetet me të cilat e bëjmë mbikëqyrjen përmes transportuesve të telekomunikacionit dhe ofruesve të atyre shërbimeve të internetit të cilët kanë zhvilluar zgjidhje për përgjim të ligjshëm është shembull se qeveria është duke vepruar në mënyrën të cilën themeluesit e kanë menduar—pra ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori të cilët propozojnë, miratojnë, zbatojnë dhe mbikëqyrin legjislacionin, në pajtim me sundimin e ligjit”.
Respektimi i plotë i sundimit të ligjit është çelës për të pasur edhe siguri kibernetike edhe privatësi.
Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj përsëri që më keni ftuar këtu sot dhe për punën tuaj të vështirë për t’i forcuar aftësitë e Kosovës për siguri kibernetike.