Fjala e Ambasadorit Greg Delawie mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, 1 shkurt, 2017
Më vjen shumë mirë që jam këtu sot. Ambasada e SHBA-së fuqimisht mbështet përpjekjet tuaja për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe isha shumë i inkurajuar të dëgjoja fjalën e hapjes të dy folësve tanë të parë sot. Gjithashtu jam i inkurajuar nga këto ngjarje që i fuqizojnë zyrtarët lokalë, komunitetet dhe qytetarët për të qenë aktivë në përballimin e sfidave të Kosovës. Posaçërisht është me rëndësi për këtë çështje – nevoja për të zhvilluar mënyra të mirëfillta për t’u ballafaquar me ekstremizmin e dhunshëm dhe për të ndërtuar aftësi ripërtëritëse ndaj radikalizmit dhe dhunës.
Ajo që kjo vërtet do të thotë është që prindërit, familjet, fshatrat dhe lagjet të jenë aktivë në mbrojtjen e djemve dhe vajzave tuaja për të mos u manipuluar nga personat që do t’i rekrutojnë ata për qëllime të liga. Ekstremistët e dhunshëm i përdorin tregimet, porositë dhe ideologjitë e tyre për t’i tërhequr individët dhe madje edhe tërë komunitetet në orbitën e vet. Ata i shfrytëzojnë të rinjtë e pakënaqur, të papunë apo pa ndjenjë të përkatësisë, dhe i shfrytëzojnë mediet sociale për t’i rritur radhët e veta dhe për ta përhapur shumë shpejt frikën. Forcimi i lidhjeve sociale dhe përfshirja e komunitetit është vendimtare për parandalimin e dëshpërimit dhe izolimit që ushqen frikën dhe pakënaqësinë, dhe një ndjenjë të padrejtësisë. Rekrutuesit ekstremistë i shfrytëzojnë këto ndjenja.
Duhet t’u japim shpresë dhe kuptim të gjithë të rinjve të Kosovës për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për këtë vend dhe për ta parandaluar radikalizmin e rrezikshëm. Komunitetet lokale, si i juaji, janë pasuria më e fuqishme që kemi në luftën për parandalimin e radikalizimit të të rinjve tanë: familjet, miqtë, fqinjët, mësimdhënësit, policinë dhe udhëheqësit fetarë që i duan dhe kujdesen për të rinjtë në komunitetet e tyre. Edhe më me rëndësi, duhet t’u sigurojmë të rinjve sot burime materiale dhe zëra kuptimplotë në jetën e komuniteteve të tyre dhe të vendit të tyre. Duhet t’i inkurajojnë të rinjtë që të merren me kauzat e paqes, diversitetit dhe respektit të ndërsjellë. Arsimi do të luajë rol vendimtar, si në shkolla ashtu edhe në shtëpi, për ta fituar betejën për brezat e ardhshëm. Me këtë, dua t’ju falënderoj edhe një herë që më keni ftuar këtu sot. I gëzohem punës suaj të zellshme për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.