Ju faleminderit shumë, z. Musliu. Veçanërisht, dëshiroj ta falënderoj IKD-në për ftesën për të marrë pjesë në këtë tryezë. Më vjen mirë që jam këtu me ambasadorin O’Connell. Zonja Ministre, kryesues Idrizi, gjyqtarë dhe prokurorë, mysafirë të nderuar: është kënaqësi që jam sot këtu.
Prej ardhjes në Kosovë kam folur rreth nevojës për ta luftuar korrupsionin. Dëshiroj ta theksoj se nuk flas për eliminiminin e korrupsionit, sepse fatkeqësisht çrrënjosja është e pamundur. Por, çka është e mundur është zbulimi dhe ndëshkimi i veprave korruptive kur identifikohen. Kjo është diçka që Kosova mundet dhe duhet ta bëjë.
Luftimi i korrupsionit kërkon qasje të tërë qeverisë. Asnjë institucion ose njeri nuk mund ta luftojë i vetëm. I mbetet shoqërisë si tërësi ta bëjë këtë. Por, besoj se të gjithë mund të pajtohemi se pa sektor të drejtësisë efikas dhe efiçent, çfarëdo qasje është e shkruar të dështojë.
Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se institucionet e drejtësisë duhet të zotohen plotësisht për ta luftuar korrupsionin brenda tyre. Asnjë institucion nuk mund të presë që të tjerat t’iu përmbahen ligjit nëse vetë s’e bën këtë. Kosova duhet të vendosë rregulla të qarta dhe objektive disiplinore brenda radhëve të sistemit të drejtësisë, e këto rregulla duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë dhe të vazhdueshme. Programi i OPDAT-it i Departamentit të Drejtësisë dhe USAID-i do të vazhdojnë t’i mbështesin të dy Këshillat për përmbushjen e këtyre qëllimeve.
Siç e dini, Zyra e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë dy zyret kryesore brenda sistemit prokurorial që ndjekin shumicën dërrmuese të rasteve të korrupsionit. Të dyja janë të rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën për të arritur rezultatet e domosdoshme në luftimin e korrupsionit për të vazhduar përparimin drejt integrimit evropian. Por, tash për tash, numri i prokurorëve në PSRK, që merret me ndjekjen penale të krimeve më të rënda në Kosovë, është pothuajse përgjysëm më i vogël se numri i nevojshëm në këtë zyrë për të përmbushur madje edhe nivelin bazë të personelit. Derisa PSRK-ja të mos plotësohet me personel, dyshoj që do të ketë pak ose hiç përparim në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Ju nxis të gjithëve që ta përmirësoni këtë gjendje dhe atë menjëherë.
Zyra e Prokurorisë Themelore trajton shumicën e rasteve të tjera të korrupsionit, por edhe kjo zyrë ka mungesë të stafit. Muajve të fundit, prokuroria ka miratuar planin strategjik që fokuson burimet në korrupsion dhe ka pasur rezultate të prekshme. Duhet t’i lavdërojmë për përpjekjet e tyre dhe t’i nxisim për të vijuar në mënyrë agresive me këto raste, por puna s’është kryer as për së afërmi. Programi i OPDAT-it i Departamentit të Drejtësisë po i mbështet këto përpjekje dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, duhet të ketë barazi në drejtësi. Për ta luftuar pandëshkueshmërinë, kushdo që gjendet fajtor për korrupsion duhet të marrë dënim proporcional, të parashikuar dhe konsistent ose të hyjë në program efektiv të rehabilitimit. Është vështirë të shihet ndarje e drejtë e drejtësisë nëse zyrtari i korruptuar qëndron në detyrë edhe pas dënimit ose nëse dënimi ia mundëson t’i shijojë përfitimet e krimit të tij/saj. Pajtohem plotësisht me komentet e ambasadorit O’Connell për këtë çështje që i shprehu para pak çastesh. Keqbërësit duhet të marrin dënim domethënës dhe t’iu konfiskohet pasuria e fituar prej krimeve të tyre. Zyrtarët publikë të akuzuar duhet të pezullohen nga detyra deri sa të zgjidhet rasti dhe të hiqen nga puna nëse shpallen fajtorë.
Shoqëria civile luan rol të rëndësishëm në këtë proces. Ju inkurajoj fuqishëm t’i merrni parasysh sygjerimet e IKD-së dhe ta respektoni rolin e shoqërisë civile në luftën për një Kosovë më të mirë. Askush s’ka qejf të kritikohet ose t’i thuhet se nuk po e kryen punën mirë, por e vërteta është se ka mundësi përmirësimi në çkado që bëjmë. Shfrytëzojini raportet për tu përmirësuar, por mos e fajësoni “tellallin” pse sjell lajme të këqija, sepse kjo është më se kundërproduktive.
Të gjithë jeni të vetëdijshëm se korrupsioni paraqet problem rrënjësor për Kosovën. Korrupsioni zbraps investimet e jashtme, rrit papunësinë dhe minon sundimin e ligjit. Kosova mundet dhe duhet ta bëjë luftën kundër korrupsionit ndër prioritetet kryesore të saj.
Në fund, e nxis Këshillin Prokurorial dhe atë gjyqësor t’i ndërmarrin hapat e domosdoshëm për të siguruar që prokurorët dhe gjyqtarët e tyre t’iu përmbahen standardeve më të larta të mundshme etike dhe profesionale. Qytetarët e Kosovës dhe viktimat e krimit nuk meritojnë asgjë më pak.
Ju faleminderit shumë.