Fjala e ambasadorit gjatë shfaqjes së filmit muzikor „Hamiltoni“

Fjala e ambasadorit gjatë shfaqjes së filmit muzikor „Hamiltoni“, 5 dhjetor 2023

Kryeministër Kurti, ministra, deputetë, kolegë nga kori diplomatik, udhëheqës opozitarë, mysafirë të nderuar,  mirëmbrëma dhe mirë se vini.

Jam shumë i lumtur që jeni me ne për këtë shfaqje speciale të „Hamiltonit”, variantit filmik të shfaqjes muzikore të famshme që pati bërë bujë para publikut teatral në Broaduej dhe që nxiti imagjinatën amerikane para disa viteve.

Shfaqjet muzikore teatrale janë përzierje e këngëve, fjalëve, aktrimit dhe vallëzimit dhe ka rrënjët në shfaqjet e popullarizuara shëtitëse të estradave të shekullit XIX, si dhe në operën evropiane.

Mendoj se nuk ka zhanër më të mirë për të treguar rrëfime tërheqëse në mënyrë emocionale, intelektuale dhe të paharrueshme.

Gjenialiteti i Lin-Manuel Mirandës – tekst-shkruesit, aktorit dhe dramaturgut amerikano-portorikan, njëkohësisht krijuesit të shfaqjes „Hamiltoni” – ishte në krijimin e viteve të themelimit të demokracisë amerikane përmes repit, xhazit dhe rokut, si dhe përmes teksteve frymëzuese që përshkruajnë moralin e një vendi të ri dhe udhëheqësve të tij revolucionarë.

Një grupi „të ri, të zhveshur dhe të uritur” që nuk dëshironte të hiqte dorë nga mundësia e dhënë.

Lin-Manuel Miranda i ka përshkruar aktorët e shfaqjes – dhe përdorimin e aktorëve afrikano-amerikanë, hispanikë, aziatikë dhe latinë për të luajtur rolet e etërve themelues, që të gjithë meshkuj të bardhë – thjeshtë si përpjekje për të pasur në skenë aktorët më të talentuar të mundshëm.

Por, këta aktorë shumë-kulturor gjithashtu paraqesin deklaratë të fuqishme të përkatësisë dhe përfshirjes, duke na i përkujtuar mënyrat e shumta të krijimtarisë amerikane dhe dinamizmit që rrjedh nga larmia jonë e pasur.

Në rrëfimin e Mirandës, emigrantët, me apo pa dashje, si dhe popujt indigjenë, janë pjesë përbërëse e rrëfimit amerikan, të përfaqësuar në mënyrë retroaktive në shfaqjen „Hamiltoni”.

Ndër pikat kryesore të rrugëtimit politik amerikan është aspirata jonë për një vizion evolues që e trasuan etërit themelues.

Ai vizion përfshin parimin që të gjithë – pa marrë parasysh kush janë apo nga vijnë – kanë të drejtën e „jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë”.

E dimë se jemi larg nga të qenit të përsosur.  Është paradoksale që vetë Tomas Xhefersoni, autori i këtyre fjalëve dhe person me nam në historinë tonë dhe në këtë film, si shumë etër themelues, edhe vetë ishte pronar skllevërish.

Megjithatë, një ndër idealet tona themelore mbetet aspirata drejt një „unioni më të përsosur”, duke e ditur që fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë do të trashëgojnë atë që ne e ndërtojmë.

Nuk është rastësi që zgjodhëm këtë moment për të shfaqur „Hamiltonin” këtu në Kosovë, teksa ju shënoni 15-vjetorin e pavarësisë, duke njohur të gjitha historitë, tragjike dhe heroike, personale dhe kolektive, të treguara e të patreguara, që tashmë janë pjesë e historisë së këtij vendi.

Qëndrojmë bashkë me ju në zhgënjimet tuaja, po ashtu siç shpresojmë t’i shohim sukseset tuaja.

Siç e dini, kemi pritje të mëdha për përparimin e demokracisë suaj shumetnike dhe kontributin tuaj ndaj stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Siç thotë Hamiltoni: „Historia sheh kah ju” dhe po ashtu edhe ne!  Ju e keni lapsin në dorë.  Ju vetë do të vendosni çfarë rrëfimesh do t’i shkruani, njëjtë si Uashingtoni, Xhefersoni e Hamiltoni.

Para se t’ia fillojmë shfaqjes, disa njoftime të shkurta.

Nëse nuk e keni marrë në hyrje, kemi programin e shtypur në tri gjuhë që shpjegojnë më thellësisht temat dhe personazhet kryesore të shfaqjes „Hamiltoni”.  (Ju lutem, ngrini nëse nuk e keni marrë programin).

Sipas traditës amerikane të shkuarjes në kinema, sonte po shërbejmë kokoshka – të shtëpisë – si dhe ujë dhe pije të gazuara.  Shpresoj që do t’ju pëlqejnë!

Edhe pse besojmë që ky film ju mban të mbërthyer për ekran dhe është zbavitës, e dimë se është mjaft i gjatë.  Lirisht mund të ngriheni në këmbë për t’i shtrirë pak këmbët dhe të merrni kokoshka e pije.

Në fund, dëshiroj të falënderoj Klan Arenën për pritjen sonte, si dhe partnerët tanë nga Kompania Uolt Dizni që na kanë lejuar të organizojmë këtë shfaqje speciale.  E çmojmë bujarinë e tyre.

Edhe njëherë, ju faleminderit dhe shpresoj që do t’ju pëlqejë filmi!