Fjala e ambasadorit gjatë shënimit të Ditës „Mbrojtësi i Evropës 2023”, 21 maj 2023
Presidente Osmani, kryeministër Kurti, ministër Mehaj, gjeneral-lejtnant Jashari, gjeneral-brigade Adams, pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëmarrës në Ushtrimin „Mbrojtësi i Evropës 2023”, mysafirë të nderuar, kam kënaqësinë që jam këtu me ju sot.
Gjithmonë më pëlqen kur vij në Sheshin „Skënderbeu”, në zemër të Prishtinës dhe vendtakim si për kosovarë, ashtu edhe për ndërkombëtarë.
E sot jemi këtu për të shënuar një ngjarje të veçantë duke e nisur një të arritur të madhe për Kosovën dhe duke i thelluar edhe më shumë lidhjet tashmë të ngushta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Përderisa vazhdojmë t’i shohim efektet tmerruese të luftës së pajustifikueshme dhe brutale të Putinit kundër Ukrainës, është veçanërisht relevante të vihet në pah një ushtrim si „ Mbrojtësi i Evropës”.
Mbrojtësi i Evropës është ushtrim i përbashkët shumëkombësh, i përpiluar për të ndërtuar gatishmëri dhe ndërveprueshmëri ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 26 shteteve aleate dhe partnere.
Drejtohet nga Komanda e Forcave të Armatosura Amerikane për Evropë dhe udhëhiqet nga Komanda e Forcave të Armatës Amerikane për Evropë dhe Afrikë.
Një ndër qëllimet e këtij ushtrimi është të tregohet aftësia e forcave ushtarake të SHBA-së për të zbarkuar shpejt trupa dhe pajisje të gatshëm për luftë për të siguruar aleatët tanë, për të parandaluar ata që do të mund të kërcënojnë paqen në Evropë dhe për të mbrojtur kontinentin nga agresioni.
Por, ushtrimi ka për qëllim edhe të shfaqë përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve tanë evropianë për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre.
Në këtë stërvitje, pothuajse 9.000 ushtarakë amerikanë do t’i bashkohen 17.000 pjesëtarëve të forcave ushtarake evropiane në dhjetë vende të ndryshme.
Do të vini re që ky model i mbrojtjes kolektive është krejtësisht i ndryshëm nga modelet që përdorin fuqitë e tjera botërore.
Modeli ynë për sigurinë në Evropë është duke i fuqizuar dhe forcuar partnerët tanë në tërë rajonin e jo duke iu diktuar çfarë veprimesh të marrin.
Këtu, në pjesën e stërvitjes në Ballkan, na vjen mirë që po e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës si një ndër kontribuueset më të mëdha të trupave me pjesëmarrjen e 1.300 vetave.
Kjo stërvitje me siguri është ndërmarrja më e madhe e më ambicioze që FSK-ja e ka pasur deri tani.
Në më pak se katër vjet prej krijimit të FSK-së, kemi qenë të mahnitur dhe të lumtur me përparimin domethënës të FSK-së dhe me mirënjohjet e shumta gjatë historisë së saj operacionale.
Në fund të vitit 2019, FSK-ja reagoi shpejt dhe me efikasitet për të ndihmuar fqinjët e Kosovës pas një tërmeti të madh në Shqipëri.
Ngjashëm, jemi mahnitur dhe jemi mirënjohës për reagimin e menjëhershëm të FSK-së në shkurt, vetëm gjashtë orë pas njoftimit, në jug të Turqisë pas tërmetit 7.8 shkallësh që shkatërroi popullatën.
Aty, FSK-ja ofroi shërbime të jashtëzakonshme të kërkim-shpëtimit duke shpëtuar jetën e shumë vetave dhe duke shfaqur shkathtësitë e tyre të mëdha.
FSK-ja gjithashtu e ka bërë Kosovën më të sigurt duke pastruar përafërsisht 13.000 mina dhe duke reaguar gjatë shumë vërshimeve dhe fatkeqësive natyrore.
Qeveria amerikane është e lumtur që mund të punojë me partnerët tanë në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes përderisa FSK-ja ec përpara në tranzicionin e plotë në një forcë mbrojtëse tokësore profesionale, shumetnike, e ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile.
Ne duam të arrijmë këtë qëllim përmes zbatimit të një plani të rreptë gjithëpërfshirës 10-vjeçar të tranzicionit.
Tashmë e kemi parë profesionalizmin e FSK-së përderisa ndërmerr misione tjera dhe mirëpresim ditën kur FSK-ja aplikon këtë disiplinë dhe profesionalizëm në mbrojtjen e vendit dhe të gjithë popullit të tij, si dhe në zbarkimin e mundshëm në të ardhmen së bashku me ne dhe aleatët e partnerët tanë në mbështetje të operacioneve paqeruajtëse në rajon dhe botë.
Vizioni ynë i përbashkët është i qartë. Që Kosova vazhdon të transformohet nga një „konsumuese” ose „importuese” e sigurisë nga forcat paqësore të botës në „prodhuese” dhe „eksportuese” neto të sigurisë që ndihmon në avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe botë.
Gjithashtu, dëshiroj të vë në pah personelin ushtarak nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë e Afrikë, si dhe nga Garda Kombëtare e Ajovës, Brigada për Asistencë e Forcës së Sigurisë dhe Organizata e Asistencës për Siguri për menaxhim të trajnimeve (SATMO) që kanë ardhur nga Evropa dhe SHBA-ja për stërvitje me FSK-së, si dhe për të mbështetur atë në këtë ndërmarrje.
Të gjithë ata janë përfaqësues të prekshëm të përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Kosovës, si dhe për përpjekjet tona të vazhdueshme të përbashkëta për të mbështetur FSK-në që të bëhet forca profesionale dhe e disiplinuar që Kosova e meriton.
Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për praninë e Bendit Ushtarak të Komandës së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë që kanë ardhur nga Gjermani për t’na zbavitur dhe për të kremtuar me ne. Shpresoj që do të më bashkoheni më vonë në program për tu zbavitur me muzikën e tyre si mënyrë për të kremtuar dhe përforcuar marrëdhëniet tona të forta dypalëshe.
Ju faleminderit.