Fjala e ambasadorit gjatë ngjarjes për nisjen e aktivitetit të USAID-it,Partneriteti me sektorin privat për forcimin e asrimit të lartë

Fjala e ambasadorit gjatë ngjarjes për nisjen e aktivitetit të USAID-it, Partneriteti me sektorin privat për forcimin e asrimit të lartë, 24 prill 2023

Kryeministër Kurti, ministre e Arsimit Nagavci, ministër i Bujqësisë Peci, Profesor i asociuar dhe dekan i programeve ndërkombëtare në Universitetin e Ajovës, Gunum, rektor i Universitetit të Pejës „Haxhi Zeka” Krasniqi, rektor i Universitetit të Prizrenit „Ukshin Hoti” Krrabaj dhe natyrisht, rektor i Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina”, Dr. Qerimi, mik dhe partner i mirë, rektorë, dekanë, studentë, përfaqësues të sektorit privat, mysafirë të tjerë. Kam kënaqësinë që jam sot këtu me ju për këtë bashkëbisedim.

Dëshiroj t’ia filloj duke i përgëzuar të gjithë që kanë qenë të përfshirë në arritjen e këtij partneriteti historik. Ne e konsiderojmë se që nga fillimi kjo ka qenë përpjekje e përbashkët që përfshinte universitetet tona të nderuara nga shteti i nderuar i Ajovës, universitetet e Kosovës dhe sektorin privat.

Miqësia mes shtetit të nderuar të Ajovës dhe Republikës së Kosovës është unike, është e veçantë dhe befasisht vazhdon të rritet në mënyra që sjellin dobi për të dy palët pikërisht përderisa Kosova vazhdon të marrë vendin e saj në institucionet dhe strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Siç e tha edhe Kryeministri, aftësimi i qytetarëve të Kosovës me shkathtësitë që iu nevojiten në një ekonomi bashkëkohore, një ekonomi të shek. XXI, është ndër prioritetet kryesore të ambasadës amerikane. E dëgjova kryeministrin tani duke e bërë të qartë se ky është ndër prioritetet kryesore edhe të tij dhe na vjen mirë kur qëllimet tona përputhen – siç ndodh aq shpesh. Prania jonë kolektive këtu tregon se është prioritet i të gjithë neve.

Siç tha kryeministri, edhe unë shpesh dëgjoj nga bizneset që kërkojnë punëtorë dhe aplikantë me shkathtësitë e duhura për punë. E dimë se shkathtësitë e duhura për punë janë të domosdoshme për të konkurruar në një mjedis gjithnjë e më shumë konkurrues dhe global. Ato janë thelbësore për të mundësuar punësim të sigurt për të rinjtë kosovarë këtu në Kosovë, ku duam t’i mbajmë, duke i kontribuuar shoqërisë, duke i kontribuuar vendit.

Këto lloje të partneriteteve – si kjo që po e bëjmë zyrtare sot – që përfshijnë qeverinë, sektorin privat dhe universitetet janë gjithnjë e më të rëndomta në Shtetet e Bashkuara dhe i konsiderojmë si praktikën më të e mirë për të përgatitur fuqinë punëtore të së nesërmes.

Ato ua mundësojnë institucioneve që të mësojnë nga njëra-tjetra; ua mundësojnë të shkëmbejnë dëshmi dhe përvojë, duke promovuar kurrikulë dhe metoda bashkëkohore të mësimdhënies, duke i edukuar studentët dhe nëse më lejohet të them duke i edukuar edhe mësimdhënësit për tregjet e punës, mundësitë për karrierë dhe shkathtësitë që nevojiten.

Partneriteti që do ta bëjmë zyrtar së shpejti nuk dallon nga ato dhe me padurim presim të shohim mënyrat se si do të bashkëpunojnë sektori privat dhe universitetet, Universiteti i Ajovës, për të bërë të mundur që arsimi i lartë në Kosovë, siç thuhet në fjalimin tim, të jetë në përputhje me kërkesat e punëdhënësve. Dhe kjo është e vërtetë. Por, më lejoni të shtoj diçka: që t’i përgjigjet përgjegjësive që ne si brez më i vjetër e kemi për të siguruar që brezi i ri arsimohet siç duhet në kuptim platonik. Po, duam që të trajnojmë individët për të kryer punën e tyre. Duam të trajnojmë individët për të menduar; duam të trajnojmë individët që të jenë efektivë në ekonominë e shek. XXI. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me trajnimin e individëve për të punuar. Ka të bëjë me trajnimin e individëve që të jenë qytetarë efektivë, që kontribuojnë, që mund të vazhdojnë këtë trajektoren që e shohim në Kosovë: një vend duke arritur sukses dhe duke lulëzuar duke u bazuar në pasurinë e tij më të madhe – njerëzit.

Pra, Ajova sjell ekspertizë të madhe në këtë projekt. Janë kërkimet shkencore, mësim-nxënia praktike. Në fakt, e do t’ua them disa fakte për universitetet e Ajovës që i mësova kur po e lexoja fjalimin tim.

Një, a e keni ditur se Universiteti i Ajovës është universiteti i parë publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pranoi burra dhe gra në baza të barabarta? A e keni ditur se kjo ka ndodhur në vitin 1855? Ajova ishte prijëse, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Më kujtohet se si gjyshja më tregonte se si në vitet e 1940-ta po bënte përpjekje në sistemin e shtetit të Uashingtonit për trajtim të barabartë si femër në atë sistem universitar. Pothuajse 90 vjet pasi që Ajova tashmë e kishte bërë këtë.

A e keni ditur se kompjuteri i parë digjital elektronik u ndërtua në hapësirat e Universitetit Shtetëror të Ajovës? Kjo ndodhi nga 1939 dhe 1942 nga një profesor i fizikës dhe matematikës dhe një student në studime pasuniversitare në inxhinieri.

Pra, ne mendojmë se ky partneritet ofron shumë të mira. Ne mendojmë – nuk do të duhej të them „ne” – mendojmë se shteti i madh i Ajovës ofron shumë të mira dhe si ambasadori amerikan ma merr mendja që e përfaqësoj Ajovën si dhe 49 shtete tjera federale dhe disa territore dhe ne ofrojmë shumë të mira domethënëse në mbështetje të universiteteve vendore. Gjithashtu do të them, e jam i sigurt që miqtë tanë nga Ajova tashmë e kanë kuptuar, se edhe universitetet vendore ofrojnë shumëçka.

Dëshiroj të vë në pah se Qendra për Ekselencë në Mësimdhënie, Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara dhe Qendra për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës janë shembuj të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë amerikane dhe institucionit kryesor të arsimit të lartë të Kosovës që ndihmojnë në rritjen e shërbimeve thelbësore dhe mbështetjes për studentët, mësimdhënësit dhe personelin tjetër.

Pra, siç e tha edhe kryeministri, ky partneritet ndërmjet Universitetit të Ajovës dhe atyre të Kosovës do të përqendrohet më shumë në sektorin e TIK-ut dhe të bujqësisë. Këta janë dy nga sektorët me rritjen më të madhe në Kosovë dhe janë të hartuar për t’i pajisur studentët me shkathtësitë e domosdoshme për të gjetur punë dhe për të kryer punën me sukses këtu në Kosovë. Kjo nismë jo vetëm që do të përkrahë dhe t’i jap energji ekonomisë së Kosovës, por siç e thashë, ajo edhe mbështet një të ardhme të qëndrueshme për të rinjtë këtu në Kosovë.

Jam shumë i lumtur që universitetet amerikane janë pjesë e kësaj nisme. Jam shumë i lumtur që ekspertiza që mund ta ofrojmë do të jetë pjesë e kësaj nisma. Jam shumë i lumtur që universitetet tona gjithashtu do të kenë mundësi të mësojnë nga homologët kosovarë. Jam i sigurt se edhe ne mund të mësojmë nga praktikat më të mira që janë këtu.

Dhe jam shumë i lumtur që kjo miqësi, ky partneritet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, ndërmjet popullit të Ajovës dhe Kosovës, vazhdon të jetë i fortë dhe të sjellë përfitime për të dy vendet.

Kjo është dëshmi e fortë e marrëdhënies së jashtëzakonshme që e gëzojmë. Është dëshmi e fortë e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë edhe këtë ekonomi që po lulëzon këtu në Kosovë që i sjell begati qytetarëve, por gjithashtu duke përfshirë edhe një fokus themelor që besoj se është pasuria më e madhe e Kosovës: njerëzit e saj, veçanërisht rinia e saj.

Ju faleminderit që jeni me ne sot. Ju faleminderit për mundësinë për të kremtuar së bashku këtë partneritet të shkëlqyeshëm dhe ju faleminderit për mundësinë për të forcuar e thelluar edhe më shumë këtë partneritet.

Ju faleminderit shumë.