Fjala e ambasadorit gjatë Asociacioni i grave të Policisë së Kosovës, 8 nëntor 2023
Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Hoxha, zëvendës-ambasador Anderson, zëvendës-shef i Eulex-it Luba, kryetare e AGPK-së Nimani, police, mysafirë të nderuar.
Mirëmëngjesi.
Jam i nderuar që po marr pjesë në këtë ngjarje për shënimin e përvjetorit të dhjetë të themelimit të Asociacionit të Grave në Policinë e Kosovës.
Edhe pse AGPK funksionon qe dhjetë vjet, jam i vetëdijshëm që kjo është konferenca e parë vjetore për të festuar të arriturat e grave në forcën policore të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara e kanë përkrahur AGPK-në prej fillimit sepse besojmë që gratë luajnë rol thelbësor në suksesin e misionit të Policisë së Kosovës për të mbrojtur dhe për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës dhe për të luftuar krimin transnacional, lëndët e paligjshme narkotike dhe mungesën e stabilitetit.
Shtetet e Bashkuara i japin përparësi çështjes për të ndihmuar sektorin e sistemit gjyqësor të Kosovës, përfshirë policinë, për të siguruar që autoritetet në mënyrë efikase e mbështesin sundimin e ligjit dhe ofrojnë drejtësi.
Përfshirja e grave në këtë përpjekje dhe mundësimi i pjesëmarrjes kuptimplotë të tyre si profesioniste në sistemin e drejtësisë penale është thelbësor.
Hulumtimet tregojnë se integrimi i qëndrueshëm i grave në polici dhe profesionet e tjera të sistemit gjyqësor thjesht mundëson sistem më efikas.
Gjasat janë që zyrtaret policore e përdorin më pak forcën e tepërt sesa kolegët meshkuj;
Kur gratë përfshihen në mënyrë të barabartë në agjencitë policore, raportimi i krimit dhe reagimi i policisë përmirësohet, që ndihmon në mbështetje më të mirë viktimave të krimit, ndërtim të mirëbesimit dhe marrëdhënieve më të forta me komunitetin;
Një fuqi punëtore më e larmishme krijon kushte për risi në polici, veçanërisht në parandalimin e krimit, mbështetjen e viktimave dhe reagimin në rastet e dhunës në familje dhe sulmit seksual.
Gratë në fushën e gjyqësorit shërbejnë si shembuj dhe tregojnë që çdokush mund të synojë karrierë të suksesshme në zbatim të ligjit, pa marrë parasysh gjininë.
Kjo iu ndihmon agjencive të tejkalojnë paragjykimet gjinore dhe mundëson kulturë përfshirëse organizative.
Por, përkundër këtyre fakteve, duhet të vëmë në pah që gratë përbëjnë vetëm 15 për qind të forcës policore anembanë botës dhe vetëm 27 për qind të gjyqtareve në botë.
Gjendja në Kosovë pasqyron këto statistika botërore: gratë momentalisht përbëjnë pak më shumë se 14 për qind të forcës policore.
Shpresojmë që Kosova të punojë për të rritur këto shifra për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët.
E ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Dëshiroj të theksoj përkushtimin e qeverisë sime për të mbështetur Kosovën në promovimin e larmisë në sektorin e drejtësi penale.
Gjatë tetë viteve të fundit, Ambasada e ShBA-së ka mbështetur më shumë se 660 programe trajnimi për zyrtarët e organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë. Më shumë se një e treta e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve në këto trajnime ishin gra.
Çdo aplikant për grant në ambasadën e SHBA-së, në pakon e propozimit të grantit duhet të përfshijë analizën e mundësive të barabarta dhe përfshirjes gjinore për të shpjeguar se si programi ose projekti i propozuar do të ndikojë në gra dhe pjesëtarët e grupeve të anashkaluara dhe të nën-përfaqësuara.
Këtë gjë e shohim si çështje të efikasitetit operativ.
Prandaj, përderisa shënojmë dhjetë vjet të Asociacionit të Grave në Policinë e Kosovës, dëshiroj të shpreh mirënjohje për rolin thelbësor të AGPK-së për të ndihmuar në rritjen e përfshirjes së barabartë të grave në Policinë e Kosovës, duke nxitur më shumë gra për tu bërë pjesë e organeve të zbatimit të ligjit, duke mbështetur gradimin e grave në grada më të larta dhe duke ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve për zyrtaret në organet e zbatimit të ligjit në Kosovë.
Jemi krenarë që ju kemi mbështetur gjatë dhjetë viteve të fundit. Mahnitemi me arritjet tuaja. Dhe e dimë se ky është vetëm fillimi i një ndërmarrjeje të mrekullueshme dhe të suksesshme.
Ju faleminderit.