Fjala e Ambasadorit Delawie Sistemi elektronik për procesimin e të dhënave në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Fjala e Ambasadorit Delawie Sistemi elektronik për procesimin e të dhënave në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, 31 janar 2018

Ju faleminderit shumë. Z. Gjinovci, personel i përkushtuar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, më vjen tepër mirë që pata rastin të jem me ju sot.

Më duhet të them se vizita e sotshme ishte shumë e mirë. Jam i mahnitur dhe i ngazëllyer që e pashë sistemin elektronik për procesimin e të dhënave në funksion. Gjithmonë është mirë kur shohim institucionet e Kosovës duke përparuar dhe me këtë sistem të ri elektronik, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në mënyrë dramatike ka përmirësuar efikasitetin, transparencën, ka shkurtuar shpenzimet dhe ç’është më e rëndësishmja: ka përmirësuar shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Veçanërisht më vjen mirë që sistemi i ri elektronik është zhvilluar pikërisht këtu në Kosovë nga ndërmarrja e teknologjisë informative, Cacttus. Sot pata rastin të flisja me z. Gjinovci dhe me ekipin e tij dhe për ta parë sistemin e ri për së afërmi. Është e qartë që ky sistem bën më shumë se sa vetëm thjeshtimin e procedurave të punës, sepse ai po ashtu lehtëson punën e inspektorëve për të ofruar siguri të ushqimit sipas standardeve të BE-së dhe po gjeneron të ardhura për qeverinë. E çka është edhe më me rëndësi: po mbron jetën e qytetarëve kosovarë.

Me këtë me të vërtetë po shënohet një erë e re e inspektimeve veterinare dhe fitosanitare dhe ne jemi krenarë që po e vazhdojmë traditën e punës me AVUK-un në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve të Kosovës.

Sot dëshiroj ta theksoj edhe një çështje tjetër. Dëshiroj të shpreh mirënjohje z. Gjinovci për udhëheqjen dhe vendosmërinë e tij për të trajtuar çështjen e kafshëve endacake në Kosovë. Për këtë çështje nuk flasim shpesh dhe marrë parasysh gjithë ato sfida që duhet të trajtohen në Kosovë, mund të jetë vështirë për të kuptuar përse kjo çështje është kaq e rëndësishme.

Kushtet në rrugë në Kosovë, veçanërisht gjatë dimrit të gjatë dhe të ftohtë janë të vështira dhe nuk janë vendi ku duhet të qëndrojnë kafshët. Por, nuk ka nevojë t’i doni kafshët për ta parë përse kjo gjë është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Qentë e pavaksionuar, të patredhur gjenden kudo këtu dhe kjo bëhet çështje kritike e shëndetit dhe sigurisë. Për më tepër, përderisa Kosova po modernizohet dhe po zhvillohet në shumë fusha – siç po e shohim edhe sot – ka ardhur koha të përparojë edhe në këtë fushë. Ka ardhur koha t’i trajtojë këto kafshë si çdo vend tjetër i BE-së.

Përpjekjet e z. Gjinovci kanë rezultuar në strategjinë e parë gjithëkombëtare për trajtimin e kafshëve endacake dhe me një buxhet prej një milionë eurove për tre vjet nga Qeveria e Kosovës për kapjen, sterilizimin, vaksinimin dhe lëshimin e tyre. Kjo metodë ka qenë shumë e suksesshme në vendet e tjera për të vënë nën kontroll kafshët endacake. Këto përpjekje janë ndërmarrë me informata nga grupet për mirëqenien e kafshëve në Kosovë. Ju nxis të punoni bashkërisht, të bisedoni dhe të keni në mendje objektivin që doni ta arrini.

Edhe njëherë, ju faleminderit për përpjekjet tuaja dhe jemi krenarë që bashkëpunojmë me juve dhe ekipin tuaj përderisa filloni zbatimin e strategjisë këtë vit.

Urime për këto të arritura dhe ju urojmë vit të jashtëzakonshëm përpara.