Mirëmëngjesi të gjithëve. Kryeministër Mustafa, drejtor Gajraku, kryesues Hamitti, ju faleminderit shumë për këtë çmim të vlefshëm. Kemi kënaqësi që i mbështesim bibliotekat anekënd Kosovës, si dhe është kënaqësi që po ndihmoj në çeljen e edicionit të 15-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Para se t’ia filloj, dëshiroj t’ju falënderoj ju, Bibliotekën Kombëtare, si dhe të gjithë bibliotekarët, shkrimtarët, botuesit dhe studentët e pranishëm këtu për punën tuaj të shkëlqyeshme për angazhimin e komuniteteve tuaja, promovimin e leximit, ndihmës në hulumtime dhe shumë më shumë. Ma merr mendja më keni dëgjuar edhe më parë duke thënë se bibliotekat më të mira në Shtetet e Bashkuara janë edhe qendra të komunitetit – më shumë se vetëm një pirg i librave dhe lidhjeve të internetit, ato janë edhe bërthama për shërbime sociale dhe aktivitete angazhuese. Më mahnit puna juaj në mbështetje të nevojave të komuniteteve tuaja dhe ju nxis të vazhdoni dhe t’i zgjeroni këto përpjekje.
Sot, dëshiroj të flas më gjerësisht për dy çështje që ndërlidhen me temat e Javës së Bibliotekës këtë vit.
E para ka të bëjë me rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ta themi më thjeshtë: mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale (DPI) dhe të drejtës së autorit janë thelbësore për zhvillimin e një ekonomie që bazohet në njohuri novative. Deklarata universale e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara njeh të drejtat e pronësisë intelektuale si të drejtë themelore të njeriut. Kjo e drejtë është pjesë esenciale e krijimit të një mjedisi mikpritës për investime të huaja, si dhe ç’është po aq e rëndësishme, mbron novacionet dhe kreativitetin e artistëve dhe ndërmarrësve të Kosovës.
Kosova është treg i vogël, prandaj pak a shumë ka pasur mundësi t’i shmanget radarit global për çështjet e DPI-së. Por, sa herë që i vizitoj dyqanet e mëdha këtu, shpesh shoh një përzierje të mallit të falsifikuar dhe legjitim. Kosova duhet ta arrijë pikën ku malli i falsifikuar është përjashtim, jo i rëndomtë. Task Forca kundër piraterisë tanimë po punon mirë, por dëshiroj t’i shoh duke u përqendruar dhe duke e shtuar vëmendjen – si dhe dëshiroj të shoh më shumë palë të përfshira në këtë çështje.
Këtë javë do të keni rastin ta dëgjoni Kyle Courtney-n, ekspert amerikan për çështje të të drejtave të autorit dhe DPI-së nga Universiteti i Harvardit, si dhe bibliotekar, edhe ju mund të luani rol të rëndësishëm në krijimin e mjedisit ku mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale është prioritet.
Përderisa Kosova i zgjeron lidhjet e saj me tregjet botërore – ekonomik, kultoror dhe letrar – do të na duheni të gjithë për t’i mbështetur përpjekjet për forcimin e zbatimit dhe monitorimit të mallrave të falsifikuar dhe të drejtave pronësore.
Çështja tjetër që dua ta theksoj lidhet me të drejtat e pronësisë intelektuale në mjedisin akademik.
Integriteti akademik përbën thelbin e botës akademike. Mbajtja e standardeve akademike, rreptësisë në hulumtime dhe botime është thelbësor për zhvillimin e sistemit shkollor të klasit botëror. Është çështje morale dhe është çështje etike. Plagjiarizmi në klasa – prej studentëve e deri te mësimdhënësit – përbën kancer që i shkatërron themelet dhe besueshmërinë e institucioneve edukative. I nxis institucionet akademike të Kosovës që të punojnë më me mund në këtë çështje. Duhet ta merrni këtë çështje seriozisht në mënyrë që të siguroni cilësi të arsimit dhe për ta formuar sjelljen e të diplomuarve kur të hyjnë në tregun e punës. Prapë, bibliotekarët luajnë rol thelbësor në promovimin dhe mbrojtjen e integritetit akademik. Shpresoj se shumë prej jush, qoftë brenda, qoftë jashtë botës akademike, do të merrni pjesë në prezantimet e Kyle Courtney-it për integritetin në botën akademike të parapara të mbahen të mërkurën në Universitetin e Prishtinës, të enjten në Universitetin e Pejës dhe të premten në Universitetin e Prizrenit.
Edhe njëherë, dëshiroj ta falënderoj Bibliotekën Kombëtare për punën shumë të mirë që e kanë bërë në bashkërenditjen e veprimtarive për këtë javë. Po ashtu, dëshiroj t’i falënderoj të gjitha bibliotekat komunale dhe akademike, që janë nikoqirë të veprimtarive dhe që po angazhohen për këto çështje shumë të rëndësishme. Puna juaj është thelbësore për kultivimin e një sistemi që i mbron të drejtat pronësore intelektuale dhe të një shoqërie që i vlerëson ato.
Me fat dhe ju uroj javë të mbarë!