Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e programit të ndërgjegjësimit “Amerika me Kosovën”, 29 janar 2016

Ju faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot këtu.  Në veçanti, dëshiroj ta falënderoj nënkryetarin e komunës z. Fadil Nura, Drejtorin e departamentit të arsimit në Skenderaj, z. Jashar Lushtaku, dhe natyrisht të gjithë drejtorët e shkollave, mysafirët, miqtë dhe nxënësit e pranishëm.

Kemi përgatitur një program, të cilin do ta nisim pas pak minutash, por meqenëse të hënën fillon muaji i historisë së Afro-amerikanëve, pata dëshirë t’ju flas për një hero timin: Thurgood Marshall.  Sa prej jush keni dëgjuar për të? Ai ka jetuar prej vitit 1908 deri më 1993 dhe ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në një periudhë mahnitëse, por edhe të turbullt të historisë amerikane.

Thurgood Marshall ishte gjykatës në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Në fakt, ai është afrikano-amerikani i parë që është emëruar në Gjykatën Supreme.  Por, të arrijë të bëhet një prej gjykatësve më të respektuar në historinë e SHBA-së dhe të shërbejë në gjykatën e instancës më të lartë të vendit tonë nuk ishte diçka që do të mund ta kishit parashikuar për të kur ishte i ri.  Ai ishte biri i një punëtori të hekurudhës dhe i një mësueseje, si dhe nip skllavi.  Ai u rrit gjatë periudhës së turpshme të diskriminimit në vendin tim. Gjatë asaj kohe, të ndiqte mësimet në një shkollë të mirë si kjo e juaja ka qenë po aq e mundshme sa udhëtimi për në Mars.  Por, ishte pikërisht nëna e gjykatësit Marshall ajo që ia futi në zemër dashurinë për ligjin dhe për kushtetutën dhe me nxitjen e saj, ai punoi me mund dhe pati sukses në shkollë.

Meqenëse ende ishte koha kur afrikano-amerikanët nuk mund të shkonin në shkolla bashkë me të bardhët, ai nuk pati mundësinë që të studionte në fakultetin që donte.  Në vend të kësaj, ai studoi në një fakultet juridik për afrikano-amerikanët dhe diplomoi si më i miri i gjeneratës.  Pas kësaj, ai iu përkushtua luftës për të drejtat civile dhe kundër padrejtësisë me të cilën përballeshin afrikano-amerikanët në vendin tonë.

Ishte gjykatësi Marshall, gjatë kohës sa ishte avokat, ai i cili me sukses e mbrojti rastin para Gjykatës Supreme se shkollat duhej të njësoheshin – se shkollat e ndara për njerëzit me ngjyrë dhe të bardhët do të thonin pabarazi.  Puna e tij drejtpërdrejt e ndryshoi vendin tim dhe ai ndihmoi në formimin e sistemit të tashëm edukativ, ku fëmijët e bardhë dhe të zi shkojnë bashkë në shkolla.  Ai ka ndihmuar në krijimin e një vendi më të drejtë dhe shumë më të mirë.

Në 1967, Presidenti Johnson e emëroi në Gjykatën Supreme.  Gjykata jonë Supreme përbëhet prej nëntë gjykatësëve, por të paktë janë ata gjykatës që shquhen kombëtarisht, e edhe më të paktë ata që kujtohen edhe pas vdekjes.  Por, Thurgood Marshall është i një kategorie tjetër.  Ai është figurë amerikane, që vazhdon të kujtohet me nam edhe sot, më shumë se 20 vjet pas vdekjes.

Ai është frymëzim për mua sepse ia ka filluar me aq pak, gjatë kohës kur kishte diskriminim të tmerrshëm ndaj afrikano-amerikanëve dhe ia doli të emërohej në njërën nga postet më të larta në vendin tonë për shkak të inteligjencës së tij, edukimit dhe punës së mundimshme.

Jeta e tij është shembull se nuk kemi nevojë të kufizohemi nga rrethanat e këqija të lindjes.  E ardhmja juaj, rrugëtimi juaj, janë në duart tuaja.  Ju vetë duhet të vendosni çka do të bëheni, ku do të shkoni.  Me përkushtim, punë të njëmendtë në shkollë dhe me mbështetjen e familjeve dhe miqve, ju mund të shkëlqeni dhe t’i tejkaloni pritjet.

Ka forca që do t’ju thonë se këtu nuk keni të ardhme.  Ka të tillë që do t’ju thonë se e ardhmja juaj është që të gjeni mënyra për të vjedhur nga bashkëqytetarët tuaj ose se nuk ka fare të ardhme për ju këtu në Kosovë.  Madje ka edhe zëra të tillë frikësues që do t’ju thonë se e ardhmja e vetme për juve është që ta luftoni luftën e dikujt tjetër në Siri.

Unë jam këtu për t’ju thënë se ata zëra e kanë gabim.  Jo vetëm që e ardhmja juaj është në duart tuaja, jo vetëm që e ardhmja juaj është ajo që vetë e gatuani, por Kosova do të jetë ajo që ju e bëni.  Vendi juaj llogarit në juve që të përfitoni sa më shumë nga shkollimi dhe ta gjeni rrugën tuaj për të kontribuar për të ardhmen e Kosovës.

Ndoshta kjo që po e them duket e vështirë.  Ndoshta mendoni se është e paarritshme.  Por, ju nuk jeni vetëm në këtë.  Për këtë arsye jam i lumtur që jam pjesë e programit “Amerika me Kosovën”.  Ky program bashkon jo vetëm sektore të ndryshme nga ambasada amerikane, por edhe Policinë e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës, ICITAP-in, Fondacionin IPKO, Organizatat e tjera Joqeveritare dhe Qeverinë e Kosovës.

Qëllimi i këtij programi është që t’ju ndihmojë.  Sot do të dëgjoni njerëzit duke folur për dhunën në familje, abuzimin me lëndë narkotike dhe alkool, trafikimin me qenie njerëzore, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, parandalimin e vetëvrasjeve, si dhe për ndërtimin e marrëdhënieve me policinë në komunitet. Synimi i gjithë kësaj është që t’ju tregojmë se nuk jeni vetëm.  Ka mjete që mund t’ju ndihmojnë dhe njerëz të gatshëm për t’ju ndihmuar në ndërtimin e të ardhmes që e dëshironi për vete dhe për Kosovën.

Kjo nuk do të jetë ngjarje që mbahet vetëm një herë.  Jo vetëm që do të kthehemi, por do t’ju ofrojmë mjete si ndihmë juridike falas, kurse universitare, si dhe takime dhe diskutime publike.

Shpresoj që do t’i shfrytëzoni ato mjete.  Janë këtu për juve dhe për vendin tuaj.  Besoj se në mesin tuaj është një Thurgood Marshall, që vetëm pret për ta ndërtuar të ardhmen më të mirë në Kosovë.  Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini atë gjë.

Ju faleminderit.