Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e pritjes së Institutit Kombëtar Demokratik Udhëheqësia demokratike e së nesërmes, 14 dhjetor 2016
Mirëmbrëma dhe mirë se vini. President Thaçi, kryeministër Mustafa, kryetar i kuvendit Veseli, ju faleminderit për praninë tuaj sonte, si dhe falënderojmë partnerët tanë nga IKD-ja për organizimin e kësaj ngjarjeje.
Kjo është mbrëmje e veçantë sepse paraqet rastin për udhëheqësinë politike të Kosovës për tu takuar me shumë zëra të ri që do ta formësojnë pamjen politike dhe shoqërore të këtij vendi për shumë vite.
Këta zëra të ri duhet të dëgjohen dhe të fuqizohen ashtu që ata të bëhen ata shtytës të ndryshimit që i nevojitet çdo vendi.
Për këtë arsye jam kaq i lumtur që me ne sonte janë kaq shumë gra e të rinjë nga i tërë spektri politik, të cilët i janë përkushtuar avokimit për bashkëqytetarët e tyre. Këta individë janë të gatshëm ta marrin vendin e tyre në jetën politike në Kosovë – dhe ne duhet t’ua bëjmë vendin.
Përfshirja nuk është vetëm vlerë në të cilën besoj – është edhe mur mbrojtës kundër cinizmit. Shumë shpesh qytetarët besojnë se zyrtarët dhe institucionet qeveritare nuk janë në valë të njëjta me njerëzit të cilëve iu shërbejnë.
Ky perceptim mund të forcohet në vetëkënaqësi, por prurja e zërave të ri në klasën drejtuese fuqishëm lufton shprehjen se ndikimi është vetëm në duart e disave.
Puna që e keni ndërmarrë përmes Akademisë së Grave për udhëheqësi dhe shkollës së re për mediume ka qenë e pabesueshme.
Jam mahnitur nga larmia dhe sensi i qartë e i mirë i nismave politike që i keni shtyrë përpara: për mjedisin, korrupsionin, pajtimin etnik, kujdesin për fëmijë, si dhe shumë tema të tjera të rëndësishme. Ju lumtë, të gjithëve.
Natyrisht, ka shumë mënyra si qytetarët mund ta ngrejnë zërin.
Sonte jemi me fat që i kemi këtu 20 artistë të rinj nga e tërë Kosova, të cilët kanë përdorë shprehjen artistike për të përkrahur përfshirjen dhe pajtimin ndëretnik. Sonte po ashtu mund ta shohim talentin dhe pasionin e tyre të ekspozuar këtu.
Liria e shprehjes artistike është shenjë dalluese e një shoqërie përfshirëse dhe të hapur, kurse arti – nganjëherë provokativ dhe madje edhe i sikletshëm – mund të jetë edhe ftesë. Një vend ku njerëzit bëhen bashkë për t’i ndarë idetë e tyre dhe për të marrë këndvështrime të reja.
Artisti i madh francez Edgar Degas ka thënë se “Arti nuk është çka sheh, por çka i bën të tjerët të shohin”. Prandaj, faleminderit të gjithëve që po na ndihmoni për ta parë një çështje të vështirë në mënyrë tjetër sonte.
Pa marrë parasysh a kemi të bëjmë me ndonjë pikturë apo politikë, sonte jemi këtu për t’iu bashkuar apo mbështetur çështjet për të cilat shqetësohemi dhe për t’i fuqizuar të tjerët për ta bërë të njëjtën gjë. Ju nxis të gjithëve që jeni këtu të takoheni me gratë dhe të rinjtë e zgjuar që kanë punuar me kaq mund për këto nisma të politikave dhe t’i pyetni rreth hapave të ardhshëm të domosdoshëm për të ecur përpara.
Të gjitha këto përpjekje do t’ju ndihmojnë ta ndërtoni Kosovën e begatshme, transparente dhe përfshirëse që e di e duam të gjithë.
Është synim frikësues për çdo komb, por çdo ditë që e kaloj në Kosovë e shoh se çka mund të bëhet. Jam shumë krenar që jam partneri juaj dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta ndërtuar Kosovën më të fortë dhe më përfshirëse.