Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e nismës për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse, 30 mars 2017
Mirëmëngjesi. Zëvendës-kryeministër Kuçi, ministra, kryetarë të komunave, është me të vërtetë kënaqësi që sot kam mundësitë të ndihmoj në nisjen e këtij projekti të rëndësishëm.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu për fillimin e një nisme kaq të rëndësishme. Jam i bindur se partneriteti ynë me ekipin e nismës për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse (TEAM) do të sjellë ndryshim të njëmendtë në Kosovë. Jo vetëm për forcimin e mënyrës së funksionimit të funksionimit të prokurimit publik, por edhe për rritjen e besimit të publikut në qeverisjen lokale dhe modernizimin e mënyrës se si Kosova bën biznes.
TEAM do të punojë në pesë komuna për të ofruar mentorim, trajnim dhe udhëzime të përditshëm rreth përmirësimit të mënyrës se si japin llogari për fondet dhe shpenzimet publike. Por, ekipi i TEAM do të jetë aktiv në të gjitha komunat e Kosovës duke i stërvitur zyrtarët e prokurimit për procedurat e prokurimit dhe duke ofruar udhëzime si të bashkëpunojnë me partnerët qeveritarë në nivelin lokal dhe qendror.
TEAM përmban edhe një element të rëndësishëm të prokurimit elektronik dhe ky projekt do të mbështesë shpalosjen e vijueshme të sistemit elektronik të prokurimit të kombinuar me mbështetje për kontroll të brendshëm, mbledhje të të dhënave dhe monitorim. Prokurimi elektronik do të vëjë në funksion tenderimin dhe ankandin elektronik, si dhe menaxhimin elektronik të kontraktave, përfshirë edhe procedurat për shqyrtimin e ankesave. Ç’është më e rëndësishme, Qeveria e Kosovës vlerëson se sistemi do të sjellë 5 – 20 % më shumë kursime për buxhetin e Kosovës, gjë që përkthehet në rreth 50 – 200 milionë euro kursime në vit për Kosovën.
Ndoshta më keni dëgjuar një ose dy herë – ose edhe me qindra herë – qysh kur kam ardhur këtu në 2015-tën për rëndësinë që ia jap luftës kundër korrupsionit dhe nevojës që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë duhet t’iu shërbejnë besnikërisht qytetarëve të tyre, të cilët llogarisin në ta çdo ditë.
Luftimi i korrupsionit kurrë nuk është i lehtë dhe s’është e thënë që gjithmonë dëgjojmë lajme të mira. Por, të gjithë ju që jeni sot këtu, jeni bashkë me ne sepse po rreshtoheni për të bërë diçka rreth kësaj çështjeje.
Prandaj, i përgëzoj kryetarët e pesë komunave, të cilët janë pajtuar për të bashkëpunuar me këtë nismë, të cilët kanë shprehur vullnet politik për të bërë ndryshime pozitive. E di se është e vështirë për t’i ndryshuar mënyrat se si bëhet biznesi, veçanërisht për diçka aq të ndërlikuar si prokurimi në nivel komunal.
Por, po ashtu e dimë se ka ardhur koha për të punuar së bashku për ta bërë prokurimin publik më transparent, me kosto më efikas, si dhe – më e rëndësishmja – më të fokusuar për t’i përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetarëve.
Po ashtu, shpreh mirënjohje për përpjekjet e nismës së qeverisë qendrore për të zhvilluar dhe zbatuar prokurimin elektronik. Suksesi në komuna varet nga aftësia juaj për të vazhduar me shpalosjen e prokurimit elektronik në nivel kombëtar.
Ndër pjesët më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit është krijimi i kushteve për ta vështirësuar atë ose për t’i zvogëluar hapësirat për korrupsion. Mendoj se ekipi TEAM do të ketë efekt të njëmendtë dhe të prekshëm në këtë aspekt duke i zvogëluar mundësitë për ryshfet dhe duke siguruar që të gjithë zyrtarët publikë e kuptojnë se transparenca në prokurim duhet të bëhet normë në Kosovë.
E kam thënë edhe më përpara që korrupsioni minon besimin e publikut, minon besimin në qeveri. Ky besim është thelbësor për çdo gjë që Kosova dëshiron ta përmbushë – forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e ekonomisë, tërheqjen e investimeve të huaja dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt integrimit evropian.
Të gjitha këto varen nga puna e përbashkët me njerëzit tuaj. Si dhe varet nga besimi i publikut sepse qeveria paraqet kontratë shoqërore. Dhe ky besim duhet të mbahet i shenjtë dhe të përtërihet çdo ditë. Standardet janë të larta. Një vendim i keq nga një zyrtar komunal i marrë nga nepotizmi apo patronazhi do ta minojë besimin e publikut në çdo vendim që e merr komuna.
Kjo vlen edhe për qytetarët dhe komunitetet, si dhe dhe për institucionet qeveritare. Kjo është rrugë dykahëshe. Të gjithë duhet t’i përkushtohen klimës së transparencës, të llogaridhënies. Të gjithë duhet ta luajnë rolin e tyre në këtë kontratë për të mundësuar që një shoqëri demokratike të lulëzojë.
Një prej ish-shefave të mi njëherë ka thënë: “Luftimi i korrupsionit nuk nënkupton vetëm qeverisje të mirë. Është vetëmbrojtje”.
Më pëlqen kjo shprehje. Më pëlqen ideja që puna për të ndërtuar transparencën dhe llogaridhënien nuk është vetëm vepër meritore, por është vepër për vetëmbrojtje nacionale, e madje edhe përkushtim.
Natyrisht, kjo është më e madhe se sa veç luftim i korrupsionit. Ka të bëjë me efikasitetin dhe me modernizimin. Mënyra se si qeveria e cakton buxhetin dhe i ndan fondet, mënyra se si bëhet shpallja e kërkesave për prokurim dhe si merren vendimet për to… këto nuk janë vetëm instrumente burokratike.
Këto vendime ndikojnë çdo aspekt të jetës sonë – prej teksteve shkollore, te asfaltimi i rrugëve e deri te kujdesi shëndetësor. Transparenca në prokurimin publik siguron që projektet e mëdha e të vogla kryhen me integritet, zbatohen shkëlqyeshëm dhe ndërmerren për të mirën e komunitetit.
Kjo do të thotë që nuk ka më ujdi në prapaskenë, nuk ka më tenderë të kurdisur, si dhe nuk ka fitim për një pakicë në dëm të shumicës.
Jam i lumtur që TEAM përfshin trajnim dhe mentorim për zyrtarët e prokurimit publik sepse zgjidhja nuk varet vetëm nga teknologjia e re. Trajnimi dhe këshillimi nevojiten për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë sistem dhe për të siguruar se çdo zyrtar i prokurimit ndjehet i fuqizuar dhe ka hise të barabartë në ndryshimin e mënyrës si bëjmë biznes.
Por, meqenëse qeveria nuk jeton në vakuum, roli i shoqërisë civile si partnerë të plotë në monitorimin e prokurimit publik do të jetë më se thelbësor. Rol të njëjtë do të ketë edhe themelimi nga ana e TEAM-it e sistemit për raportimin e performancës së kontraktorëve me standarde reale për raportim për të siguruar që edhe ndërmarrjet me performancë të dobët që i përdorin fondet publike japin llogari.
Çdo pjesë e këtij projekti është thelbësore sepse besimi duhet të ekzistojë në çdo nivel për ta rikthyer mirëbesimin e publikut.
Ju faleminderit të gjithëve që po i besoni kësaj nisme të re, që jeni agjentë të ndryshimeve dhe jam krenarë që bashkëpunojmë me juve përderisa vazhdojmë të punojmë për të mirën e komuniteteve të Kosovës.
Ju faleminderit shumë të gjithëve.