Zoti kryetar i kuvendit, kryeministër, ministër Bajrami, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, rektorë dhe zyrtarë të tjerë të universitetit, të diplomuar përmes programit Fulbright, mysafirë të nderuar. Është kënaqësi e madhe për mua që jam bashkë me juve këtu për këtë ceremoni të shënuar të nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit.
Këtë vit festojmë përvjetorin e 70-të të programit Fulbright, të propozuar nga senatori amerikan J. William Fulbright në vitin 1945 dhe të miratuar nga presidenti Truman një vit më vonë. Ajo që filloi si ideja e senatorit Fulbright për shfrytëzimin e tepricës së pronës së luftës për financimin e “promovimit të vullnetit të mirë përmes shkëmbimit të studentëve në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës” u zgjerua për tu bërë programi i shkëmbimit akademik më i njohur dhe më me ndikim në botë. Prej ngjizjes së tij, më shumë se 360.000 përfitues nga Shtetet e Bashkuara dhe nga e tërë bota kanë marrë pjesë në këtë program të çmuar.
Edhe pse programi Fulbright ka ekzistuar në Kosovë vetëm prej vitit 2009, jemi jashtëzakonisht krenarë me 84 studentët, studiuesit, hulumtuesit dhe specialistët që janë pjesë e këtij grupi të nderuar të përfituesve të Fulbright-it – disa prej të cilëve janë këtu sot. Jam krenar me përfituesit e Fulbright-it nga Kosova, të cilët janë kthyer për të mundësuar ndryshime pozitive këtu në shtëpi – në qeveri, në shoqërinë civile dhe në botën akademike. Po ashtu, më gëzon fakti se përfituesit e Fulbright-it nga SHBA-ja i kanë mbajtur lidhjet e tyre të forta me Kosovën. Disa prej këtyre të diplomuarve amerikanë janë kthyer në Kosovë pas përfundimit të granteve të tyre, duke ua huazuar ekspertizën e tyre partnerëve të ri dhe duke forcuar bashkëpunimin e tyre me të vjetrit.
Në më shumë se 30 vjet në Shërbimin e Jashtëm, vazhdimisht i kam parë beneficionet që programi Fulbright ua ofron studiuesve amerikanë dhe të huajve. Para katër viteve, në përvjetorin e 60-të të programit të Fulbright-it ndërmjet SHBA-së dhe Gjermanisë, pata rastin të flisja para nja 500 përfituesve amerikanë e gjermanë të programit Fulbright të dekadave të ndryshme. Fola për përfitimet si për studiuesit nga jashtë, po ashtu edhe për institucionet nikoqire. Vura në pah se këto përfitime gjithmonë janë dykahëshe, meqenëse vizitorët, kur kthehen në mëmëdhe sjellin me vete mënyrën e re të të kuptuarit të vendit nikoqir, si dhe një varg marrëdhëniesh që i kanë vënë me palën tjetër, marrëdhënie këto që do të japin fryte për vite të tëra.
Kjo është ambicia ime për Fulbright-in në Kosovë. Që pas dekadave të tëra, do të shikojmë prapa drejt qindra pjesëmarrësve nga të dy vendet, të cilët jo vetëm që kanë fituar njohuri të reja domethënëse në fushën e tyre të ekspertizës, por po ashtu kanë ndërtuar ura të qëndrueshme të bashkëpunimit me profesorët, studentët dhe me të tjerët që i kanë takuar jashtë vendit.
Në të vërtetë, programet më të mira të Fulbright-it nëpër botë janë njëmend bashkëpunues, me përfshirjen dhe investimet që vijnë nga SHBA-ja dhe nga qeveria nikoqire. Prej fillimit të programit Fulbright në Kosovë, kemi qenë të nderuar sepse kemi pasur mbështetjen dhe përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve nikoqire nëpër tërë vendin. Prandaj, ne e ndajmë përkushtimin e fuqishëm për shkollimin e lartë si mjet për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta dhe për vlerën e programeve të shkëmbimit arsimor për të ndihmuar në zhvillimin e një sistemi të shkollimit të lartë në Kosovë të klasit botëror. Prej punës tonë në Programin për udhëheqësit e rinj e deri tash në zgjerimin rrënjësor të programit Fulbright, veçanërisht dëshiroj ta falënderoj ministrin Bajrami dhe ekipin e tij në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për lidershipin e tyre të fortë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Por, jam i vetëdijshëm se ky bashkëpunim dhe financimi i këtij programi ka nevojë dhe ka pasur qasjen e tërë qeverisë. Prandaj, dëshiroj ta uroj presidentin, kryeministrin, ministrinë e financave, ministrinë e punëve të jashtme, ministrinë e integrimit evropian, ministrinë e punës dhe të mirëqenies sociale, ministrinë e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, si dhe Kuvendin, që shpresoj do ta ratifikojë këtë Memorandum Mirëkuptimi javën e ardhshme. Në fakt, e tërë qeveria e Kosovës e ka mundësuar këtë investim të rëndësishëm në institucionet dhe njerëzit, që do të ndërtojnë të ardhme të ndritur për vendin tuaj. Përderisa ceremonia e sotshme shënon fillimin e pesë viteve të ardhshme të programit Fulbright, e di se investimi dhe bashkëpunimi ynë i përbashkët do të vazhdojë të mundësojë ndryshime me dekada të tëra.
Dëshiroj ta lexoj një telegram urimi nga z-nja Evan Ryan, Ndihmës-sekretare e shtetit për çështje të edukim dhe kulturë, që shkruan në emër të Departamentit të Shtetit në Uashington, D.C.
I nderuari z. Kryeministër,
Ju lutemi pranoni urimet e mia të përzemërta për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për programin Fulbright në Kosovë. Dëshiroj t’ju falënderoj juve, Ministrin e Arsimit Bajrami dhe ekipin e tij në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për përkushtimin tuaj të fuqishëm për këtë program.
Programi Fulbright është programi ndërkombëtar më i njohur dhe më prestigjioz i shkëmbimit në botë dhe jemi krenarë për bashkëpunimin me qeverinë tuaj për zgjerimin e tij në Kosovë. Kontributi zemërgjerë i qeverisë suaj do të japë më shumë mundësi për bashkëpunim dhe bashkërenditje ndërmjet studentëve dhe studiuesve në të dy vendet tona.
E ndajmë vizionin për sistem të klasit botëror të shkollimit të lartë në Kosovë dhe besojmë se programi Fulbright do të vazhdojë të jetë mjet efikas përderisa përparoni për ta përmbyshur atë vizion.
Sinqerisht e juaja,
Evan Ryan
Ndihmës Sekretare e Shtetit
Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu sot. Është me të vërtetë ngazëllyese për të gjithë neve në ambasadën amerikane që mund t’ju ndihmojmë për ta shkruar kapitullin e ri në këtë program vital të shkëmbimit ndërmjet dy vendeve tona.