Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e fillimit të punës për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, 19 prill 2017
Ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në shënimin e fillimit të punës së rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Ministre Hoxha, e di se ju dhe ekipi juaj keni punuar drejt kësaj ngjarjeje qysh kur e keni marrë detyrën, prandaj e ndaj gëzimin tuaj që kjo punë më në fund po ia fillon. Ky rishikim do t’ju ndihmojë në racionalizimin e sistemit të sundimit të ligjit, përkufizimin e prioriteteve të qarta drejt përqendrimit dhe reformës së sistemit të drejtësisë, mënjanimin e tepricave dhe që ta bëjë atë më efikas e efektiv – nga i cili mund të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Me vendimin e marrë në nëntor, qeveria ua dha juve dhe të gjitha agjencive që e përbëjnë komisionin drejtues një detyrë të madhe. Gjatë vitit të ardhshëm, ju do ta studioni kornizën ligjore dhe institucionet që qeverisin me sektorin e sundimit të ligjit, t’i identifikoni prioritetet për reformë dhe të rekomandoni (e shpresojmë, edhe t’i zbatoni) ndryshimet që do të rrisin efektshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Kjo paraqet mundësi për reformimin e sistemit dhe për t’i bërë ndryshimet që do ta lehtësonin integrimin tuaj eventual në institucionet evropiane.
Kjo nuk është punë e vogël, por është përpjekje që do të duhej t’i korrigjojë mangësitë e sistemit që janë identifikuar në vitet qysh prej pavarësisë.
Nuk është e tepërt të thuhet se suksesi i kësaj ndërmarrjeje janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Më duhet ta shfrytëzoj rastin dhe ta lavdëroj Kuvendin, i cili dje miratoi Ligjin për ekzekutimin e dënimeve penale, që paraqet masë kryesore kundër korrupsionit për Kosovën. Ky është hap i shkëlqyeshëm, por është vetëm një hap në procesin shumëhapësh. Sektori i fuqishëm i sundimit të ligjit është thelbësor që populli i Kosovës të ketë besim në qeverinë dhe institucionet e saj. Është thelbësor për sigurinë dhe rritjen ekonomike. Duke i mbyllur zbrazëtirat dhe duke i korrigjuar mangësitë, do të krijoni një sistem ku investitorët – të huaj dhe vendorë – mund të kenë besim se të drejtat e tyre janë garantuar. Do të krijoni një sistem që lehtëson dhe përkrah ekonominë e Kosovës.
Kjo nuk është detyrë që mund të kryhet vetëm nga Ministria e Drejtësisë. Prania e bashkëfolësve e dëshmon atë.
Edhe pse Ministria ka rolin prijës në sektorin e sundimit të ligjit, është e ditur se nuk është lojtari i vetëm. Të premten i pata për kafe anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Institucion i pavarur ky, pjesëmarrja aktive e të cilit në këtë proces do të jetë jetik për suksesin e tij. Ngjashëm, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe zyra e Kryeprokurorit të Shtetit janë elemente të pavarur dhe jetikë të sektorit të sundimit të ligjit. Fakti se ka organizata dhe individë të shumtë që luajnë rol të rëndësishëm në sundimin e ligjit dhe në reformën e tij. Më vjen mirë që shoh që janë të përfaqësuar në komisionin drejtues për rishikimin funksional dhe i nxis të marrin pjesë në mënyrë aktive për të mundësuar suksesin e kësaj përpjekjeje.
Edhe pse kjo është ndërmarrje e Kosovës dhe udhëhiqet nga institucionet e Kosovës, besoj se bashkësia ndërkombëtare po ashtu luan rol të rëndësishëm kontribues. Jemi të përkushtuar ndaj suksesit tuaj dhe kemi kontribuar burime e ekspertizë për t’ju ndihmuar. Ju nxis ta shfrytëzoni këtë dhe të na drejtoheni nëse ju duhet ndihma dhe këshilla jonë. Për këtë arsye, është shenjë pozitive që në komisionin drejtues i keni përfshirë përfaqësuesit e donatorëve nga organizatat ndërkombëtare që ofrojnë ndihmë në procesin e rishikimit funksional. Shpresoj që do të jenë përkrahës të përkushtuar në ndërmarrjen tuaj për reformë.
Edhe njëherë, urime për fillimin e punës në këtë ndërmarrje. Shpresoj se gjatë dy javëve të ardhshme do të merrni komente të matura dhe të dobishme për propozimet tuaja. Ekipi im dhe unë jemi të përkushtuar t’ju ndihmojmë në këtë përpjekje, siç jemi të përkushtuar për çdo gjë që institucionet e Kosovës e bëjnë për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ju faleminderit dhe punë të mbarë.