Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, 30 qershor, 2017
Mirëmbrëma dhe urime Dita e Pavarësisë të gjithëve!
Kam kënaqësinë që po ju pres të gjithëve sonte në ndejën tonë në plazhin Northeastern. Në veçanti dëshiroj t’i shpreh mirëseardhje Adjutantit të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral-majorit Timothy Orr, Sekretarit të Bujqësisë të Ajovës, zt. Bill Northey, si dhe tërë delegacionit të Ajovës – prej zhvillimit ekonomik e deri te arsimimi i lartë – që janë me ne sonte. I falënderojmë të gjithë ajovasit që kanë ardhur nga plazhi i tyre te i yni. Është e jashtëzakonshme që po shohim se marrëdhëniet përmes programeve të shteteve simotra dhe partneritetit shtetëror po vazhdojnë të thellohen.
Sonte kemi rastin të festojmë – të festojmë përvjetorin e 241-të të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të 21-tin të festimit të kësaj dite nga ana e qeverisë sonë këtu në Kosovë. Mendoj se është e udhës t’ia fillojmë mbrëmjes me një dolli: Nga e kaluara te e ardhmja jonë, të ngrejmë dolli për miqësinë dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe të gjërave që mund t’i arrijmë së bashku për të mirën e përbashkët të të dy vendeve tona. Gëzuar!
Nuk ka dyshim që Kosova ka arritur shumë në këto 21 vjet; përparimi është i pamohueshëm. Por, mendoj se është e qartë që entuziazmi i hershëm është zbehur paksa. Po shohim më shumë ngecje e më pak përparim. Më shumë njerëz shqetësohen më tepër për mbrojtjen e të ardhmes së tyre politike se sa për të ardhmen e vendit të tyre. Qytetarët e Kosovës e shohin këtë po ashtu. Disa e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre duke migruar jashtë vendit, të tjerët e shprehën pakënaqësinë duke i “prishur fletëvotimet” në zgjedhjet e para disa javëve.
Besoj që Kosova sot është në pikë kthimi. Çka do të shohim përderisa shikojmë kah e ardhmja? Më shumë ndryshim pozitiv apo më shumë ngecje? Gjatë vitit të ardhshëm, a do të përparojë më shumë ky vend, a do të ecë përpara në rrugëtimin drejt integrimit evroatlantik dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve apo do të qëndrojë në një vend? Mendoj se zgjidhja dhe rezultati i asaj zgjidhjeje do të përcaktohet në masë të madhe nga njerëzit që janë sonte këtu.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pasur një pikë kthimi thelbësore 11 vjet pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. E çka është interesante, ajo pikë kthimi po ashtu kishte të bënte me formimin e qeverisë së re. Në vapën përcëlluese të verës së 1787-tës, përderisa etërit themelues po debatonin për strukturat e një qeverie të re kushtetuese, një çështje dukej e patejkalueshme: ajo e përfaqësimit. Si do të përfaqësohej çdo votues dhe çdo shtet në qeverinë e re? A do bazohej ky përfaqësim në numrin e popullatës apo do të kishte përfaqësim të barabartë të secilit shtet? Nuk kishte pajtim të plotë për këtë dhe ngërçi i krijuar kërcënonte t’i shkatërronte të gjitha përpjekjet për nxjerrjen e Kushtetutës së re. Gjërat dukeshin të pashpresa deri në çastin kur dy kolegë, Roger Sherman dhe Oliver Ellsworth, dolën me një zgjidhje radikale: sistem dydhomësh ose bikameral: njëra dhomë me përfaqësues të zgjedhur sipas numrit të popullatës — Dhoma e Përfaqësuesve, dhe dhoma tjetër me përfaqësim të barabartë të shteteve — Senati. Kjo ide u bë e njohur si “Kompromisi i madh” dhe paraqet pikën e parë të madhe të kthimit në historinë e Kushtetutës sonë.
Kompromisi i madh paraqet një mësim të rëndësishëm për udhëheqësit sot, veçanërisht përderisa Kosova fillon ta formojë qeverinë e vet të re. Levat ndërkombëtare që kanë mbështetur vendimmarrjen në Kosovë në të kaluarën nuk janë aq aktive sa dikur. Bota është e shpërqëndruar; shumë vende janë të preokupuara me çështjet e brendshme. Sytë e të gjithëve nuk janë të kthyer nga Ballkani tash. Gjithnjë e më shumë po llogarisim në juve për t’i marrë vetë vendimet tuaja dhe për ta marrë përgjegjësinë për to.
Në të kaluarën, Kosova ka tërhequr vëmendjen e botës për arsye negative: për shkak të luftës, dhunës, hakmarrjes, korrupsionit. Sot, Kosova duhet ta rikthejë vëmendjen e botës në kuptim pozitiv: duke demonstruar me veprimet e veta se jeton në përputhje me vlerat evroatlantike të klubeve që aspiron t’iu bashkohet. Udhëheqësit kosovarë duhet ta demonstrojnë këtë dhe duhet t’i bindin bashkëqytetarët e tyre për t’i mbështetur.
Në demokracitë si e juaja dhe e jona, nuk duhet të ketë aspak dyshim për kë punojnë të gjithë këta prijës — jo për ndonjë parti, rajon a të afërm, por për interesat më të mirë të vendit. Për mua, kjo është trashëgimia e qëndrueshme e Kompromisit të madh: Udhëheqësit u bënë bashkë në një pikë kthimi të historisë së kombit, duke lënë anash interesat e tyre personalë apo partiakë për të gjetur zgjidhje për të mirën më të madhe. Këta udhëheqës e kuptuan se kishin përgjegjësi më të madhe: ndaj tërë popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç tha Roger Sherman atëherë: “Qeveria krijohet për ata që jetojnë nën të”.
Gjatë 21 viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar përparim të madh në vendin tuaj — çaste të panumërta kur qeveria dhe qytetarët u bashkuan për të marrë vendimet e duhura për rrugën që Kosova duhet ta ndjekë përpara. Por, po ashtu kemi qenë dëshmitarë edhe të ngërçit dhe ngecjes – kohëve kur politika dhe motivet e fshehta kanë parandaluar përparimin në vend që ta mbështesin atë. Në këtë pikë kthimi, nuk kemi më kohë për ngërç; është koha për përparim. Këtë e duan qytetarët e Kosovës dhe këtë e meritojnë.
Përderisa kremtojmë këtu përvjetorin e 21-të të Ditës së Pavarësisë së bashku, shpresoj se të gjithë mund të pajtohemi — prej qeverisë e deri te opozita dhe prej bujkut e deri te shërbyesi civil – se Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë më shumë kohë apo energji duke qëndruar në një vend. Ajo duhet t’i kthehet vendosmërisht të ardhmes dhe ta ngazëllejë botën me përparimin e saj. Duhet të vë sistem të sundimit të ligjit që garanton mbrojtje të barabartë dhe llogaridhënie të barabartë për të gjithë. Ajo tashmë e ka demonstruar se mund të mbajë zgjedhje sipas mënyrës perëndimore; tani duhet të demonstrojë se mund të qeveriset në të njëjtën mënyrë.
Pas 21 viteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përkushtuara për përparimin në Kosovë. Mbesim të përkushtuara për Kosovën si shtet sovran, demokratik, shumetnik në paqe me fqinjtë e saj dhe plotësisht të integruar në komunitetin botëror. Do të kemi kënaqësinë të punojmë me ata që i ndajnë këto vlera. Kam shpresë se do t’i shohim udhëheqësit — qeveritarë dhe opozitarë — që e demonstrojnë përkushtimin e njëjtë. Udhëheqës, që demonstrojnë vlerën e kompromisit për hatër të zgjidhjes, si dhe vlerën e bashkëpunimit për hatër të përparimit të përbashkët. Udhëheqës me vizion dhe vendosmëri për ta krijuar të ardhmen e Kosovës si demokraci e rëndomtë evropiane.
Ju faleminderit. Ju faleminderit që jeni këtu dhe që po kremtoni me ne.
Urime Dita e Pavarësisë!